KryesoreOpinion/Aktualitet

Kush punon apo do të punojë për komb, sot duhet të jetë në linjë me qëndrimet e Prishtinës zyrtare

Nga Bekim Qoku

A ia vlen si shqiptar aktivizmi qytetar apo politik në Maqedoninë e Veriut?

Po themi që në fillim në formë postulati, se koncepti i politikes barazohet me konceptin e shtetit ose atë të kombit. Të kombit, deri sa ai atë akomodohet përfundimisht në një arkitekturë shtetërore.

1. Nëse koncepti i politikes barazohet me konceptin e shtetit, ose nëse politika ka për qëllim zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit, atëherë çështja themeltare, kryepyetja e angazhimit politik në MV si qytetar i kombit shqiptar është se ‘a ia vlen barra qiranë të angazhohesh politikisht për shtetin e quajtur Maqedoni e Veriut në përgjithësi?’ Angazhim politik them, jo vetëm si anëtar partie që për qëllim të vetëm ka pushtetin, punësimin, tenderin apo pasurimin privat, por si aktivizëm qytetar, si kontribut politik në kuptim e vërtetë të fjalës, që ka për qëllim interesin e përgjithshëm të kombit apo shtetit ku jeton. Thënë shkurt, të zhvillosh mirëfilli aktivitet politik do të thotë të kesh dashuri për shtetin ku jeton dhe me angazhimin personal të synosh lulëzimin dhe mirëqenien e tij në përgjithësi.

Por, po duket sheshit që qytetarët shqiptarë në MV nuk ndjejnë asnjë dashuri për këtë shtet dhe rrjedhimisht nuk e ndjejnë as nevojën për të kontribuuar për të. Akoma më keq është fakti se ata e urrejnë atë, shumica e tyre. Shqiptarët këtu janë parë dhe trajtuar gjatë gjithë kohës sa ekziston ky shtet si element destruktiv i shtetit. Janë trajtuar si trup i huaj, si një tumor që duhet larguar apo eliminuar fizikisht. Shumë pak ka ndryshuar nga ky mentalitet sot e kësaj dite. Nga pafuqia për t’i eliminuar fizikisht, ata janë lënë në margjinat e tij, të vyshken e zhduken ngadalë vetiu. Të përjashtuar për kaq kohë, të përbuzur skajshmërisht, shqiptarët e kanë mishëruar këtë akuzë tani edhe realisht. Pjesëmarrjen në strukturat e shtetit shqiptarët e përdorin më shumë për t’u hakmarrë e për ta shkatërruar shtetin sesa për ta avancuar dhe zhvilluar atë.

Lexo më shumë  SPAK ‘zbërtheu’ bandën e Suel Çelës! Arrestohen Xhino dhe Marsel Roka, dy vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

2. Shteti shërben si arqitekturë për ta akomoduar kombin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Shqiptarët e MV megjithëse si sasi dhe përqindje e madhe, janë dëshmuar se janë të paaftë që me forcat vetanake ta avancojnë veten e tyre intelektualisht, kulturalisht dhe politikisht si komb në kuadër të shtetit ku jetojnë. Inferior në raport me sllavët maqedonas në të gjitha fushat, ata janë të varur në këto aspekte nga qendrat e mëdha politike dhe administrative të Tiranës dhe Prishtinës. Do të thotë, që pa Tiranën dhe Prishtinën, shqiptarët si komb këtu, me gjithë numrin e madh, do të kishin një fat shumë më të zi se ç’e kanë.

Duke marrë parasysh që Tirana politike dhe administrative po ruan një raport tejet indiferent ndaj shqiptarëve të MV, historikisht, por edhe aktualisht me Ballkanin e Hapur dhe me ngrohtësinë miqësore me Vuçiqin, ajo ka hequr dorë si mbartëse e interesave kombëtare dhe si kujdestare e tyre. Këtë rol e ka aktualisht Prishtina zyrtare.

Kosova, me drejtimin politik që ka sot, me Albin Kurtin, Glauk Konjufcën dhe Vjosa Osmanin, mund të thuhet padyshim se është gardiani dhe kujdestari i kombit shqiptar në botë. Nëse këtë fakt e pranojmë si postulat legjitimimi, atëherë, kushdo shqiptar që angazhimin apo aktivizmin politik e bën për hir të kombit, për ta mbrojtur dhe zhvilluar atë, orientimi i tij, kibla e tij duhet ta ketë kah Prishtina. Kush punon apo do të punojë për komb, sot duhet të jetë në linjë dhe në harmoni me qëndrimet e Prishtinës zyrtare. Çdo bashkëpunim tjetër substancial, si me Tiranën e Edi Ramës, si me Podgoricën e Abazoviqit apo me Beogradin e Vuçiqit do të duhej të konsiderohej minimalisht i dëmshëm për interesat kombëtare.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

Përmbledhtas:

a. Nëse si shqiptar i MV ke vetëdije kombëtare dhe angazhimin dhe aktiivizmin politik e zhvillon për hir dhe për interesa të kombit;

b. nëse pranojmë faktin që shqiptarët e MV nuk ia dalin dot vetë si komb;

c. nëse konstatojmë që Tirana zyrtare përmes kryeministrit të saj Edi Rama, duke bërë miqësi me Vuçiqin, armikun e përbetuar të shqiptarëve, duke u bërë pjesë e Ballkanit të Hapur dhe duke treguar një indiferencë të hapur ndaj bashkëkombësve jashtë 28 mijë katrorëve të saj,

ç. nëse pranojmë faktin që aktualisht kujdestari dhe gardiani i kombit është Prishtina zyrtare në krye me Albin Kurtin,

– atëherë, të kesh vetëdije kombëtare dhe të angazhohet për avancimin dhe mirëqenien e kombit, por nuk je në linjë me Prishtinën zyrtare, është tregues i qartë se në qëndrimet e tua ka një kontradiktë të thellë, dhe se në mënyrë të pavetëdijshme je duke i shkaktuar dëm indit kombëtar.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *