Lajme

Kush është Oleksiy Goncharenko, deputeti që dërgoi rezolutë për njohjen e Kosovës në parlamentin e Ukrainës?

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se ka dorëzuar një draft-rezolutë në Parlamentin e Ukrainës, ku bëhet thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa ditë më parë, kur situata ngjau e tensionuar në Veri të Kosovës, Goncharenko përmes Twitter-it, shkroi se “nëse Serbia sulmon Kosovën, ne ukrainasit jemi të gatshëm ta ndihmojmë me trupa”.

Por, kush është Oleksiy Goncharenko, deputeti ukrainas që po bën luftë që Ukraina ta njohë Kosovën?

Ai është ukrainas nga qyteti i Odesës, deputet i Parlamentit të Ukrainës dhe anëtar i delegacionit ukrainas në Asamblenë e Përgjithshme në Këshillin e Evropës.

Është gjithashtu zëvendës-president në Komisionin për Migrim, Refugjatë dhe Zhvendosje të Brendshme të Personave.

Goncharenko është edhe themelues i rrjetit ukrainas për edukim dhe kulturë.

Në vitin 2014 ishte zgjedhur si deputet në parlament, apo siç njihet në Ukrainë, në Verkhovna Rada, në listën e partisë së bllokut të Petro Poroshenko-s.

Kurse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, Goncharenko garoi dhe u zgjodh si deputet i pavarur, duke fituar një ulëse nga qyteti i Podilsk, zona e Odesës.

Goncharenko është djali i ish kryetarit të Odesës, Oleksiy Kostusyev.

Nga viti 1999 deri në 2001, ai kishte punuar në stacionin e emergjencës mjekësore në Odesa, kurse në vitin 2002, u diplomua me nderime në Universitetin e Medicinës, porse vendosi që të mos bëjë karrierë brenda profesionit, por t’i futet politikës.

Lexo më shumë  Miratimi i buxhetit 2025, Kurti: Ky buxhet është i qytetarëve dhe për qytetarët

Ishte vetëm 21 vjeçar, kur garoi, por pa sukses, për Këshillin e Distriktit në Odesa nga zona e fshatit Tairove, për Partinë e Të Gjelbërve Ukrainas.

Pas kësaj, një kohë punoi si asistent në këtë Këshill.

Më pas kishte regjistruar studimet në Universitetin e Moskës, drejtimi Financa, ku diplomoi në vitin 2005, me një diplomë në Ekonomiks.

Prapë do t’i kthehej politikës për të fituar në zgjedhje lokale në disa pozicione, derisa në vitin 2012 garon për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Ukrainës, por humbi nga kundërkandidati Ihor Markov.

Para Euromaidan-it që ndodhi në Ukrainë, Goncharenko ishte anëtar i Partisë së Regjioneve. Por në vitin 2014, me 19 shkurt, pasi kishin mbetur disa viktima në Euromaidan gjatë protestave, Goncharenko dha dorëheqje nga partia.

Në vitin 2015 ai ishte arrestuar nga forcat ruse, pasi kishte marrë pjesë në marshin në kujtim të Nemtsov, opozitarit rus.

Sipas tij, kur ishte arrestuar ishte rrahur brutalisht nga forcat policore ruse dhe ishte zotuar se do ta padisë Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë.

Nga viti 2015, Goncharenko ka qenë anëtar i delegacionit parlamentar ukrainas në Këshillin e Evropës. Prej atëherë ai ka qenë kritik i madh i regjimit në Rusi dhe ka folur hapur për shkeljen e të drejtave të njeriut atje.

Lexo më shumë  Bislimi në Poloni, pjesëmarrës në panelin në temën për zgjerimin e BE-së

Në fjalimet e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ai kritikoi Moskën për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për pushtimin e Krimesë dhe pjesëve të Donetskut e Luhanskut.

Ka luftuar gjithashtu prej kohësh kundër propagandës ruse dhe narrativës së Kremlinit.

Në fjalimin e tij të 9 tetorit të vitit 2018, Goncharenko kishte mbajtur doreza plastike teksa fliste. Kishte thënë se pa to, “nuk do të jetë i sigurt t’i jap dorën kujt e të prekë dyert”, duke akuzuar kështu rusët për helmimet me agjentë kimikë të kundërshtarëve politik.

Prejse ka filluar lufta në Ukrainë, ai aktivisht avokon për krijimin e një tribunali ndërkombëtar që do të hetonte krimet e Rusisë në Ukrainë.

Ai ka vazhduar të luftojë propagandën ruse, derisa aktivisht ka dhënë intervista për mediat ndërkombëtare.

Ka mbajtur takime online me kongresmenë amerikanë. Një nga takimet më të vlefshme ishte biseda online me 50 kongresmenë amerikanë ku kishte kërkuar embargo për vajin dhe gazin rus. Më vonë, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj vajit rus.

Dhe kohëve të fundit ai është marrë aktivisht me çështjen e Kosovës dhe njohjen nga Ukraina, kurse Serbinë e ka quajtur satelit të Rusisë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *