KryesoreLajme

Kusari-Lila: Skemat e subvencioneve do të rishikohen për të nxitur investimet dhe punësimin

Sot në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues për rishikimin e Udhëzimit Administrativ (MTI) Nr. 01/2018, që rregullon ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria ekonomike e subvencioneve dhe transfereve.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se procesi synon riformësimin e qasjes ndaj subvencioneve dhe granteve, me fokus në mobilizimin e kapitalit privat dhe nxitjen e investimeve me ndikim në ekonomi.

Lexo më shumë  Armatim, municion e uniforma të konfiskuara në veri - Policia e Kosovës thërret konferencë të jashtëzakonshme

Në takim mori pjesë edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili prezantoi përpjekjet për avancimin e kornizës ligjore dhe përmirësimin e menaxhimit të kësaj kategorie buxhetore përmes Ligjit të ri për Menaxhimin e Financave Publike.

Sipas Kusari-Lilës, diskutimet u fokusuan në lidhjen e skemave të granteve me strategjitë e industrisë dhe tregtisë, thjeshtimin dhe automatizimin e aplikimit, përdorimin e kritereve objektive dhe inteligjencës artificiale në procesin e vlerësimit, si dhe përfshirjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe bankave komerciale.

Qëllimi është që mbështetja publike të orientohet drejt investimeve që rrisin kapacitetet prodhuese, punësimin dhe eksportet.

Lexo më shumë  Në prag të vitit të ri akademik, qiratë në Tiranë rriten deri në 25% rëndojnë xhepat e familjeve, konviktet nuk përballojnë fluksin e studentëve

Në Grupin Punues janë përfshirë përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Financave, Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, organizatave të shoqërisë civile dhe shoqatave të bizneseve.

Drafti pritet të finalizohet brenda muajit shtator, ndërsa puna e Grupit Punues do të intensifikohet gjatë javëve në vijim.

Rruga Press

YouTube player