KryesoreLajme

Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë Shaip Kamberin për në parlamentin serb

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginë që të votojnë Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës sepse janë të vetmit që përfaqësojnë drejt shqiptarët në Serbi. Postimi i plotë:

Votoni Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, me numër 16!
Një përqindje e vogël e votave mund të ndryshojë situatën dhe shqiptarët të mund të marrin një ulëse në Kuvendin e Serbisë. Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, janë rritur gjasët që bartësi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, z. Shaip Kamberi, të fitojë edhe një mandat deputeti. Potenciali votues i vendvotimit 6 është 1089 vota. Nevojiten 650 vota ose votimi i 60% të qytetarëve nga lista e votimit që z. Kamberi të vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve.
Për dy mandate përfaqësimi z. Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi.
Ai e pati mbajtur fjalimin e parë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Serbisë së pasluftës. “Sot është një ditë e veçantë. Është ditë e parë pasi që një Gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues ‘šiptari’”, ishin fjalët e para të fjalimit të tij.
Deputeti Kamberi kundërshtonte ashpër para kuvendarëve serbë ndryshimin e pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë, duke besuar se akti duhet të ndryshohet në tërësinë e tij. Ai përmendte si problematike preambulën e Kushtetutës, e cila përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë.
Në seancën e 29 tetorit 2020, z. Kamberi listonte faktet për masakrat e Serbisë në Kosovë dhe mohimin e fshehjen e krimeve nga shteti serb.
Në seancën e 26 nëntorit 2020, dy ditë para Festës së Flamurit, deputeti Kamberi kërkonte që të krijohen kushtet për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare. Skena kur gjersa diskutonte nxori flamurin shqiptar dhe e vendosi në bankën e deputetit, na pati bërë krenarë. Fjalimi i tij edhe më shumë.
Si deputet ai vazhdimisht avokonte për reciprocitet të drejtash të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me ato të pakicës serbe në Kosovë.
Të nderuar bashkëkombas,
Procesi i pasivizimit të adresave që selektivisht po zbatohet ndaj shqiptarëve ka filluar të japë rezultatet e veta. Migrimi i shqiptarëve, si pasojë e diskriminimit dhe shtypjes së vazhdueshme nga pushteti, ka sjellë edhe zvogëlimin e elektoratit shqiptar.
Prandaj, ju ftoj që sot, më 28 prill, të gjithë ju më të drejtë vote, të shkoni në vendvotimin numër 6 në Tërnoc dhe të votoni për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, të votoni për Shaip Kamberin.

Lexo më shumë  Kurti: Ulqini më shumë se sa qytet bregdetar, është shembull i rezistencës për të ruajtur identitetin dhe kulturën

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *