KryesoreLajme

Kurti: S’mund të ketë Asociacion njëetnik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti se nuk mund të themelohet një Asociacion mbi baza etnike në Kosovë.

Kurti në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve “APA”, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon një Asociacion të tillë.

“Unë e kam marrë pushtetin vitin e kaluar, kanë qenë parardhësit e mi që e kanë nën shkruar këtë marrëveshje me të njëjtit njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi. Pse nuk e zbatuan atëherë? Kushtetuta jonë nuk njeh Asociacion njëetnik”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se as qytetarët serbë në Kosovë nuk duan Asociacion të tillë, por këtë e do Beogradi.

“Vetëm Beogradi e dëshiron në këtë mënyrë, që të kompensohet për humbjet që pësoi në luftën në kohën e Millosheviqit”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Kurti takon Baerbockun: Gjermania, kyçe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Sa i përket planit franko-gjerman, ai ka thënë se është bazë e mirë për negociata.

“Ka shumë mangësi, por është pikënisje e mirë”, tha Kurti.

Ai është optimist se mund të arrihet një marrëveshje Kosovë – Serbi brenda dy vjetëve të ardhshëm.

“Njohja e ndërsjellë nuk do të jetë çështja e vetme, por duhet të jetë pjesa qendrore. Unë jam shumë optimist, pasi me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington dhe me kancelarin Olaf Scholz në Berlin, kemi mundësi të mirë të arrijmë marrëveshje”, tha Kurti.

Ai ka konfirmuar edhe se deri në fund të vitit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Lexo më shumë  Takimi me O’Brien, Kurti: Gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen ndaj Kosovës

“Duam të tregojmë publikisht se duam të anëtarësohemi në BE”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës.

“Duhet të organizojmë zgjedhje të reja për katër kryetarë të komunave veriore të Kosovës. Sa i përket deputetëve të tërhequr të Listës Serbe duhet të zëvendësohen me tjerët. Nëse nuk duan, duhet të vazhdojmë me partnerë tjerë. Po ashtu duhet të ndërrohen sa më shpejt punonjësit policorë dhe atë pa problem. Sepse duhet të garantojmë sundimin e ligjit dhe sigurinë e të gjithëve”, ka thënë Kurti.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *