KryesoreLajme

Kurti shpalos detaje nga takimi në Bruksel, thotë se Borrell iu përshtat interesave të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur sërish për takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Kurti ka shpalosur detaje nga propozimi që kishte dhënë BE-ja për çështjen e targave.

Kryeministri shtoi se propozimi nuk përmbante ndalimin e lëshimit të targave ilegale nga ana e Serbisë.

“Gjatë tetë orëve i zhvilluam 6 takime. Parakushti për targat kishte të bënte vetëm me pezullimin e veprimeve nga ana e Qeverisë së Kosovës, dhe jo me ndalimin e lëshimit të targave nga ana e Serbisë. Ne ishim të pajtimit që për ti dhënë hapësirë bisedimeve për propozimin e BE-së të pezullonim fazën e dytë të vendimit për targat, mirëpo natyrisht atëherë kur Serbia ndalon së regjistruari vetura me targa ilegale”, tha Kurti.

Kryeministri tregoi se para fillimit të takimeve, ftesa e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell ishte e shoqëruar me një tekst me katër paragrafë që mëtonte të lëshohej si deklaratë në fund të takimeve.

“Në paragrafin e parë bëhej ftesë për përqendrim me urgjencë në propozimin e BE të përkrahur nga Gjermania e Franca për normalizim të marrëdhënieve. Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave së bashku me granacionet për komunitetin serb që do të diskutoheshin në propozimin e BE. Kurse në paragrafin e tretë teksti bënte thirrje që të fillonin menjëherë bisedimet për propozimin e BE-së në nivel të lartë për të arritur një marrëveshje para marsit 2023”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Ministrja Nagavci: Ligji për Arsimin e lartë ka mbetur i bllokuar për shkak të pengesave nga Lista Serbe

Kurti shtoi se këtë propozim të zotit Borrell ai e ka mirëpritur.

“Tashmë ishim deklaruar që propozimi franko-gjerman që Borrell insistonte që ta quanim propozim të BE-së, paraqet një bazë të mirë për diskutim. Përfaqësuesi i BE-së e ndryshoj premisën e negocimit të ditës së hënë. Në kundërshtim me parimin e propozuar nga vetë ai filloi të insistoj në një marrëveshje që adreson vetëm pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda, nevoja urgjente për propozimin evropian u zhduk nga tavolina duke ju përshtatur e qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e BE-së por për targat”, tha Kurti.

Lexo më shumë  MPJD-ja apel qytetarëve: Evitoni me çdo kusht kalimin nëpër Serbi

Ai bëri të ditur se ka dalë i fundit nga ndërtesa e BE-së në Bruksel, duke thënë se “ka ekzistuar edhe përpjekja e fundit”.

“Ka qenë edhe përpjekja e fundit. Emisari special Lajçak ka ardhur te dhoma ku ndodhej delegacioni ynë dhe bëri edhe një përpjekje të fundit për një tekst i cili do ta përfshinte edhe propozimin e BE-së, por më pastaj na njoftoi se presidenti i Serbisë nuk e ka pranuar këtë dhe tashmë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell ndodhej tashmë në konferencë për media”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se nga ana e Kosovës, ekziston qëllimi dhe gatishmëria për të arritur marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve që duhet të përfundoj me njohje reciproke.

“Vendimi ynë për targat nuk mund të jetë objekt i negocimit. Është vendim i Qeverisë tonë”, tha Kurti.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *