Lajme

Kurti shkon në veri, viziton Banjskën

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar të mërkurën komunat me shumicë serbe në veri të vendit – Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun – për, siç ka thënë ai, të biseduar me udhëheqësit vendës për përmirësimin e marrëdhënieve me qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, apo fetare.

“Ne jemi kundër ndarjes së shoqërisë, jemi për barazi. Institucionet tona duhet t’i trajtojnë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe t’iu mundësojnë qasje në sistemin institucional”, ka thënë Kurti pas takimit me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Kryetarët shqiptarë erdhën në pushtet në komunat në veri të Kosovës në fillim të vitit të kaluar përmes zgjedhjeve të cilat u bojkotuan nga popullata serbe dhe partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe.

Lexo më shumë  Kurti uron Plenkoviqin: Kosova e vlerëson miqësinë me Kroacinë

Kjo çështje ngriti edhe tensionet etnike në maj të vitit të kaluar, të cilat kulmuan më 24 shtator 2023, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Por, ka kohë që kanë nisur procedurat për shkarkim të kryetarëve të tanishëm, çka do të mund të hapet rruga për zgjedhje të reja në këto komuna.

Kurti ka thënë se gjatë vizitës së tij në veri e ka vizituar edhe vendin në Banjskë “ku ka rënë në pritë” Afrim Bunjaku, rreshteri policor i vrarë në atë sulm.

Kryeministri i Kosovës nënvizoi se “tendencat për destabilizimin e Kosovës vijnë nga ana tjetër”, duke iu referuar Serbisë.

Gjatë vizitës së tij në veri të Kosovës, Kurti vendosi lule edhe në pllakën përkujtimore të ish-policit të Kosovës, Enver Zymeri, në Zubin Potok, ku ishte vrarë në vitin 2011, nga persona ende të paidentifikuar.

Ai u vra gjatë një aksioni të organizuar nga Qeveria e Kosovës për marrjen e kontrollit të pikave kufitare 1 dhe 31 në Jarinjë dhe Bërnjak.

Më pas njësia speciale e policisë së Kosovës ka kryer aksionin e parë në veri, duke tentuar të marrë nën kontroll pikat kufitare në atë rajon.

Rruga Press

YouTube player