Lajme

Dokumentat/ Si trukohet një tender në bashkinë e Veliajt

Kur del në publik për të bërë propagandë, Edi Rama flet për organizimin e tenderave dhe prokurimeve publike përmes Inteligjencës Artificiale (IA). Por në fakt realiteti është krej tjetër: shteti është me brekë nëpër këmbë dhe rolin e tij e luan vetë privati. Pra ato kompani që janë caktuar për të fituar luajnë edhe rolin e arbitrit shtetëror duke bërë punën dhe disponuar paswordet e komisionerëve që duhet të shpërndajnë paranë publike. Lapsi.al ka gërmuar së paku tre raste kur kjo ka ndodhur në mënyrë flagrante.

Sekuestrimi nga hetuesit i celularëve dhe kompjuterave të vartësve të  firmës private të drejtorëve bashkiakë, Maringlen Qatos dhe Redi Mollës dëshmon për një realitet rrënqethës. Djegja e ofertave të kompanive konkurente rezulton se nuk bëhej nga zyrtarët e shtetit, që ishin pjesë e Komisionit të Tenderave, por nga vetë kompania 5D që ishte edhe lojtar edhe arbitër njëkohësisht. Në mënyrë flagrante kjo shihet tek atribuimi i 150 mijë eurove për “rikonstruksionin e sheshit të parkimit tek Selman Stermasi”. Për ti fituar këto para konkuronin disa kompani, të cilat u përjashtuan prej garës nga një punonjëse e kompanisë 5D, e quajtur Manjola Bunguri. Ajo e bëri vetë “vlerësimin” e ofertave dhe shpalli fituese kompaninë e Mollës dhe Qatos. 

Natyrisht e gjitha kjo ka ndodhur edhe me bashkëpunimin e drejtoreshës bashkiake të Tirana Parking,Eglantina Zëre, në dosjen e prokurorisë thuhet:

“Janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k”, e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.

Shtetasja Eglantina Zere ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhametllari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.”, njoftoi dje SPAK për Zeren”. Lapsi.al ka arritur të sigurojë bisedat që figurojnë në dosjen e gjykatës ku ajo i drejtohet administratorit të kompanisë fituese 5D me termin “LAL” .

Në dosje figurojnë dhe bisedat e kryera mes administratorit të 5D Nestor Muhametllari, punonjës së kësaj kompanie Manjola Bunguri si dhe drejtoreshës së Tirana Parking, Eglantina Zëre.

Lexo më shumë  Kurti jep detaje nga takimi me ambasadorët e QUINT-it

Biseda e kryer mes shtetasve Nestor Muhametllari dhe Manjola Bunguri datë 23.09.2019:

Nestori: O Manjola, nga ajo lista që më dërgove ti nga Tirana Parking vetëm Ndregjoni dhe Turja kanë ngelur se të tjerët kishin ngatërruar ofertën. Këto duhen parë kur të kesh mundësi.
Manjola: Pa merak se i shikoj unë.

Biseda e datës 24.09.2019
Manjola: Nestor, Ndregjonit i gjeta plot mangësi. Se këtë kisha merak.
Nestori: Aaaaa shumë mirë. Shyqyr se atë kisha merak.

Biseda e datës 26.09.2019
Manjola: Nestor janë gati skualifikimet nesër në orën 9. Më vonoi pak Kevin Konstruksion se i kishte shumë të mira letrat, kurse Turja kishte plot mangësi.

Biseda e datës 28 shtator 2019
Nestori: O Manjola, taksirat e ke të shohësh pak edhe Shpresa.al se nuk po i japin dot drejtim.

Manjola: Ok pa merak.

Më pas, përjashtimet e kompanive që i caktonte punonjësja e 5D, Manjola Bunguri, i përcilleshin drejtorëshës së Tirana Parking Eglantina Zëre dhe miratoheshin formalisht nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Kjo sipas SPAK është faktuar nga bisedat mes Nestor Muhametllarit dhe drejtoreshës së Tirana Parking Eglantina Zëre.

Biseda e kryer në 24 shtator 2019:
Eglantina:C’bën mo… Do e mbyllim apo doni dru
Nestori: Ja kam dhënë Mannjolës, deri nesër mbyllet.

Bisedë e datës 28 tetor 2019:
Eglantina: është hedhur njoftimi i fituesit lal. Besoj sot e shpall APP dhe ecim përpara.

Me publikimin e fituesit edhe në Agjencinë e Prokurimeve Publike, drejtoresha e Tirana Parking uron Nestor Muhametllarin për tenderin.

Eglantina: Ecim tani, ta gëzosh.
Nestori: Thank You, jeni të paparë.

Por si episodi i “rikonstruksionit të sheshit të parkimit tek Selman Stermasi” ka edhe të tjera. Në një tender të zhvilluar nga Klubi Sportiv Tirana për rikonstruksionin e palestrës së mungjes, drejtoresha e këtij institucioni Deborah Keçi, i ka dhënë Nestor Muhametllarit usernamet dhe fjalëkalimet e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Biseda e kryer në 1 dhjetor 2020:
Nestori: Deborah duhet të më dërgosh urgjent kodet e 3 anëtarëve të KVO
Deborah: teuta.guri123456789, jetjon.mera123456789, reinaldo.glerazi123456789
Nestori: Më duhet dhe useri i atij që ka hedhur procedurën
Deborah: joana mullara sporti2020
Deborah: Do e bëni ju vlerësimin tani?
Nestori: Po po patjetër, nesër.

Lexo më shumë  Si e mbështeti projektin e Ajola Xoxës kompania e inceneratorit të Tiranës

Pra edhe këtu tenderi është fiktiv. Atë e di edhe vetë Deborah Keçi që është përgjuar në një vend të thotë me të drejtë: “Aman kujdes se mos përfundojmë në burg”.  Edhe ajo e kupton paligjshmërinë e dhënies së fjalëkalimeve të anëtarëve të Komisionit të Ofertave, duke i mundësuar kompanisë 5D të bëjë vlerësimet dhe skualifikimet e ofertave të kompanive të tjera.

Siç kemi parë nga dokumenta të tjera të sekuestruara nga prokurorët, kjo nuk është vetëm një praktikë e ndjekur nga firma e Qatos dhe Mollës, por një epidemi korruptive që ka infektuar me gjasë gjithë bashkinë e Tiranës. Një tjetër drejtor i lartë i saj, Taulant Tusha, tashmë nën arrest edhe për aferën e inceneratorëve edhe për atë të kompanisë së drejtorëve, vepronte po njësoj për landfillin e Tiranës.

Përpara se shteti shqiptar të merrte një vendim për inceneratorin, ai i dëgonte fillimisht shkresat për miratim tek përfaqësuesi i tij, Klodian Zoto.

Pasi në gusht 2017, u nënshkrua kontrata me “Integrated Energy bv”, për impiantin e përpunimit të mbetjeve të Sharrës, qeveria dhe bashkia ishin në diskutime shkresore për mënyrën se si do të bëhej financimi i këtij koncesioni. Por dokumentat konfidenciale, njeriu më i afërt i Veliajt, Taulant Tushe, që më parë kishte qenë edhe anëtar i komisionit për dhënien e koncesionit, ia kalonte Klodian Zotos. Në emailet e këtij të fundit janë gjetur informacionet në “kohë reale”, për diskutimet qeveritare dhe për planin e financimit të bashkive të Qarkut Tiranë, përpara se vendimi të merrej në Këshillin e Ministrave. Dhjetë ditë para 31 majit 2018, ditës kur në mbledhjen e qeverisë u bë miratimi, Zoto mori nga Tusha e-mailin për planin e financimit.

Pra një gjë është e qartë. Sa herë dalin dokumenta shihet se ushtarët e Veliajt që paguhen si punonjës së shtetit kanë bërë në zyrat e bashkisë punën e privatit. Ata kana luajtur për llogari të tij, ose duke dhenë informacione ose më keq akoma duke shitur fjalkalimet e komisionerëve që duhej të bënin vlerësimin, ose duke i skualifikuar personalisht konkurentët.

Rruga Press

YouTube player