Lajme

Kurti për televizionin boshnjak: Serbia ëstë kthyer në provincë ruse

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dëshiron të ketë një marrëveshje me Serbinë, e cila do të ishte e përqendruar te njohja e ndërsjellë. Porse, Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiq, nuk dëshiron marrëveshje, por dëshiron vetëm që Kosovën ta bëjë shtet jofunksional.

Kurti në intervistë për televizionin “N1 Sarajeva”, sërish ka përsëritur se nuk do të lejohet që në Kosovë të formohet një Republika Sërpska e dytë.

“Ne duam një marrëveshje, të shkojmë në dialog. Por, Beogradi e Vuçiqi duket se nuk e duan këtë. Ne duam marrëveshje që do ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë. Nëse Beogradi thotë se nuk do të ndodhë, atëherë është kundër marrëveshjes. Kosova nuk do të lejojë një Republika Sërpska brenda saj dhe e dimë mjaft mirë se Serbia e do pikërisht këtë. Ne kemi përvojë të hidhur nga Bosnjë-Hercegovina dhe jemi shumë të kujdesshëm që Serbia të mos e kopjoj atë model edhe në Kosovë. Serbia do një shtet të saj brenda Kosovës. Qëllimi i Serbisë është destruktiv, nuk do asgjë për serbët e Kosovës, vetëm do diçka kundër nesh. Beogradi që thotë se Kosova është shtet fals dhe kërkon Asociacionin, nuk është serioz. Po ta donte Asociacionin do ta njihte së pari Kosovën. Ata duan Asociacionin që Kosova të bëhet jofunksionale”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka përsëritur rrezikun e ndikimit rus në Ballkan. Ai ka thënë se Serbia nën regjimin e SNS-së sillet sikur një provincë e Rusisë.

Lexo më shumë  Daniele Macheda: Shumë e rëndë që Meloni sulmon një investigim gazetaresk

“Kosova është një vend normal, me progres dhe zhvillim, por marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Nuk ka të bëjë me Kosovën, por se Serbia nuk është vend normal. Është një autokraci me lidhje shumë të gjera e të ngushta me Kremlinin. Serbia në kohën e sundimit të SNS-së është kthyer në një provincë të Rusisë dhe për këtë arsye situata në Ballkan është e rrezikshme, sepse pos që po e luftojmë hegjemoninë e Beogradit, aty është edhe Rusia. Kosova ka ushtrinë dhe policinë e saj dhe është shumë vend më demokratik se Serbia, dhe pavarësia e Kosovës është shumë më e madhe sesa ajo e Serbisë, që është e varur nga Rusia. Në Serbi opozita nuk mund të fitojë e në Kosovë ne si opozitë dëshmuam se mund ta marrim pushtetin. Ky është testi kryesor i demokracisë. Ju e dini se edhe në Rusi opozita s’ka shanse të fitojë. Ne jemi të kujdesshëm pasi në kufi kemi një vend jodemokratik”, tha Kurti.

Ai ka folur edhe për propozimin që njihet si “franko-gjerman”. Tha se është bazë e mirë për dialogun.

“Ka elemente të reja në atë propozim dhe është bazë e mirë për të vazhduar bisedimet tona në një nivel të ri. Duhet të shohim se si do të shkojnë takimet e reja, për ta ditur se ku jemi”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës gjatë intervistës është pyetur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve në Ballkan Perëndimor dhe po ashtu nëse shpreson që Bosnjë-Hercegovina do ta njohë Kosovën.

Kurti për shkëmbimin e territoreve ka thënë se ka dështuar projekti, porse ideja jo, pasi është ajo që dëshiron Beogradi.

“Nuk mendoj se ideja dështoi, por projekti dështoi. Ideja nuk ka vdekur, sepse kjo është ajo që dëshiron Beogradi, ta relativizojë integritetin territorial të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi mbështetjen e popujve në rajon, por edhe mbështetjen e Perëndimit demokratik”, tha Kurti.

Sa i përket njohjes nga Bosnjë-Hercegovina ai ka përmendur ndikimin e Republika Sërpskas atje, që ka të drejtën e vetos.

“Më kujtohen mirë ato vite kur u arrit Marrëveshja e Dejtonit dhe ata që ishin optimistë thanë, se ajo do të ndalonte luftën e do të mundësonte gjithëpërfshirjen. Për fat të keq, ajo përfshirje u degradua në një veto të Republika Sërpskas. Në vend që Republika Sërpska të integrohej në shtet, ajo u bë e kundërt – një armë e Beogradit kundër integritetit të Bosnjë-Hercegovinës. Të gjithë duhet të kujtojmë se motivi dhe qëllimi i Marrëveshjes së Dejtonit abuzohet çdo ditë nga Banja Lluka”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *