KryesoreLajme

Kurti: Për të bërë hapa drejt BE-së, kemi nevojë për Procesin e Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se zgjidhja për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian. Në ditën e parë të tryezës së rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë dhe gazetën “The Economist”, Kurti ka thënë në Athinë, se për të bërë hapa drejt BE-së, këto vende kanë nevojë për Procesin e Berlinit.

Ai ka theksuar se Procesi i Berlinit mund të sjellë një valë që do të ngrinte të gjitha varkat në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht një iniciativë me Bashkimin Evropian si vlerë dhe mekanizëm.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti ka thënë se reformat demokratike mbi stabilitetin politik sigurojnë që të mos shfaqen autokratët.

“Republika e Kosovës është një sukses i dyfishtë: së pari, sukses i ndërhyrjes perëndimore dhe NATO-s në vitin 1999 për të ndaluar gjenocidin serb, dhe në këtë mënyrë për t’u mundësuar refugjatëve kthimin dhe rindërtimin e shtetit tonë. Dhe së dyti, është një tregim suksesi për sa i përket rritjes ekonomike dhe demokracisë cilësore, që funksionojnë krah për krah”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Restorantet e Sarandës dhe Vlorës shtrenjtojnë çmimet deri në 33%

Ai ka thënë se për shkak të ndryshimeve demokratike që ndodhën vitin e kaluar, Kosova përjetoi rritjen më të lartë ekonomike që nga pavarësia me 10,53%, eksportet u rritën 83,6% dhe investimet e huaja u rritën 21%.

Kurti ka thënë se Kosova renditet ndër vendet e para në rajon në Projektin Botëror të Drejtësisë.

“Ne po tregojmë se me reformat demokratike, nga njëra anë bëmë rritjen e ekonomisë sonë, por edhe e rishpërndamë këtë rritje përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, tha kryeministri, duke theksuar se demokracia dhe ekonomia shkojnë bashkë, dhe se Kosova ndonëse nuk është një vend i madh është një shembull i shkëlqyer për këtë”, ka thënë ai, përcjell Kryeministria.

Lexo më shumë  Osmani takoi presidentin e Liberisë në SHBA. Diskutuan për thellimin e bashkëpunimit

E duke folur për dënimin nga Qeveria e Kosovës ndaj invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë, Kurti tha se nuk mund të jenë neutral.

Sipas tij neutraliteti në këndvështrimin e Kosovës është cinizëm dhe do të thotë kërkim i rehatisë në kohë krize.

“Agresioni i Kremlinit ishte një luftë e zgjedhur, por solidariteti në Evropë nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrë. Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri tha se kemi një rrethanë fatkeqe ku fqinji ynë Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, dhe ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë”, ka thënë ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *