Kurti pas homazheve te varret e heronjve Konushevci dhe Malaj: Ushtria e Kosovës sot është më e pajisur dhe më e madhe se kurdoherë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe te varret e heronjve të kombit Ilir Konushevci dhe doktor Hazir Malaj në shënim të 27-vjetorit të vrasjes së tyre teksa po sillnin armatim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës jo vetëm që merrte pjesë në beteja, por ajo ngadhënjente aty.
“Homazhet tona që i bëjmë tek varret e dëshmorëve të martirëve gjatë kësaj pranvere e në veçanti sot tek Ilir Konushevci – Mërgimi dhe Dr. Hazir Malaj, shprehin mirënjohjen tonë të thellë, falënderimin e pafund për punën, kontributin, rolin dhe sakrificën e tyre, por, në të njëjtën kohë, shprehin edhe përkushtimin tonë qytetar, kombëtar, shoqëror e institucional që të vazhdojmë rrugën e tyre, e cila sot e ka kuptimin e një republike të pavarur, demokratike, me zhvillim e përparim që nuk lë askënd prapa e sidomos me furnizim të ushtrisë tonë, me forcim të Forcës së Sigurisë të Kosovës, ashtu që të kemi ushtri e cila i del zot atdheut, i del zot edhe republikës, edhe popullit të Kosovës”, tha Kurti.
Tutje, kryeministri në detyrë tha se Ushtria e Kosovës sot është më e pajisur, më e madhe se kurdoherë më parë.
“Prandaj, edhe me gëzim themi që krenaria jonë për Ilir Konushevcin e Hazir Malën është në të njëjtën kohë edhe realitet i ri, sepse Kosova anembanë, posaçërisht rrotull kufirit me Serbinë, ka më shumë forca se asnjëherë më parë dhe në këtë mënyrë brezi i rinisë dhe i fëmijëve sot dhe ata që do të vijnë pas nesh do të mund të punojnë, studiojnë edhe flenë të qetë, në mënyrë që asnjëherë të mos përsëritet çkado që mund t’i përngjajë agresionit të Serbisë në të kaluarën”, tha ndër të tjera Kurti.
Rruga Press