Lajme

Kurti: Një pararendës i imi u zotua që të mos e lejojë FSK-në në veri, por kufiri duhet të ruhet

Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën, duke shtuar se zotimi ka lënë vakum në pjesën veriore.

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tash i burgosur në Hagë si i dyshuar për krime lufte, në vitin 2013 ishte zotuar që nuk do ta dërgonte FSK-në në veri pa koordinim me NATO-n.

E Kurti ka vlerësuar se ky zotim ka lënë vakum në veriun e Kosovës, prandaj siç thotë ai, po shtojnë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë. 

“Vigjilenca dhe gatishmëria jonë për veriun është dëshmuar që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me aleatët tanë ndërkombëtarë, e ata trupat e KFOR-it. Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë s’është ndëshkuar, ajo i ka përsëritur krimet”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Sveçla: Kujtimi për viktimat e marsit 2004 është obligim i përhershëm

Kreu i ekzekutivit është shprehur se faktet tashmë dëshmojnë që Serbia sponsorizon terrorizmin në veri.

“Prej të dielës asgjë nuk është e njëjtë. Faktet dolën në shesh dhe që Serbia po e sponsorizon terrorizmin në veri, u vërtetua. U faktua se janë në krye të këtij organizimi njerëzit që janë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe të afërt me Vuçiqin. Dokumentet e municionet që u gjetën dëshmuan vulën e shtetit serb që treguan origjinën e këtij sulmi”, ka shtuar Kurti.

Kurti u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë që t’i shpallin terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriu”, vendim të cilin e kishte marrë Qeveria e Kosovës në qershor. Ka shtuar se “ata që kanë ikur tinëz malit në Serbi gjatë sulmit” duhet të ekstradohen sa më parë në Kosovë.

Lexo më shumë  Ambasadori bullgar vizitë ministrit Konjufca, e fton në takimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që do të mbahet në Sofje

Më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.

Rruga Press

YouTube player