Opinion/Aktualitet

BRUKSELIT I DUHET REFLEKTIM DHE NDRYSHIM TË QASJES NË DIALOG

Është koha që negociatorët e Brukselit të reflektojnë dhe të ndryshojnë qasjen që kanë ndjekur në dialogun Kosovë-Serbi. Herë haptazi si këta aktualët, e herë fshehurazi si ata të mëhershmit, negociatorët europianë janë munduar që në dialogun që nisi në vitin 2011 ta kompensojnë Serbinë për humbjen e Kosovës, duke plotësuar kërkesat e saj për të shtrirë kontrollin në pjesët e territorit të Kosovës të banuara me serbë. Kjo tolerancë e Brukselit ndaj aspiratave territorialiste të Serbisë bie ndesh me projektin e vet bashkësisë euro-perëndimore për ndërtimin e Kosovës si shtet qytetar, ku asnjë njësi politike, as shteti e as komunat, nuk mund të identifikohet mbi baza kombëtare apo etnike. Për shqiptarët ky ka qenë kompromis i madh, sepse shteti i Kosovës është projekt shqiptar. Ndërkombëtarët insistuan në shkombëtarizimin shqiptar të çdo segmenti institucional e politik të shtetit të Kosovës, por nuk insistuan të njejtën gjë edhe tek serbët.

– Me marrëveshjen e 19 prillit 2013 ata imponuan kërkesën e Serbisë për segregimin mbi baza etnike të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në 4 komunat veriore, si dhe hodhën farën e idesë së Asociacionit njëetnik serb si një hap tjetër drejt veçimit politik të serbëve si kombësi kundrejt shtetit të Kosovës. Në dialogun përgjatë viteve negociatorët e Brukselit më shumë kanë synuar të kënaqin interesat e Serbisë se sa të shohin se çfarë mund të bëhej më shumë për serbët në kuadrin e avancuar të lirive dhe të drejtave brenda kushtetutës së Kosovës. Brukseli i mori të mirëqena interesat e Serbisë edhe si interesa të serbëve të Kosovës. Duke e pranuar qëndrimin mosnjohës të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, BE e konstatoi këtë edhe si qëndrim të serbëve të Kosovës, duke mos analizuar ndonjëherë faktin që shteti i Kosovës është edhe i serbëve.

– Bashkimi Europian në vazhdimësi i ka injoruar faktet mbi realitetin politik jo të lirë të popullësisë serbe në 4 komunat veriore të Kosovës. Duke e toleruar ndikimin e lirshëm të Beogradit në veri BE-ja e ka trajtuar me standarde të dyfishta Kosovën, në njërën anë me kërkesa për forcim të demokracisë dhe shtetit ligjor për shqiptarët, e në anën tjetër duke e toleruar politikën e modelit autoritarist të Vuciqit në pjesën veriore të Kosovës. Duke jetuar në rrethana të tilla politike, me pamundësi për zgjedhje të mirëfillta demokratike, serbët e veriut u shndërruan në instrument në duar të Beogradit kundër shtetit të Kosovës. Këtë zgjedhje ata nuk e bënë duke qenë të lirë, por nën shantazhin e përditshëm të grupeve kriminale, mafioze e të armatosura që drejtoheshin nga Vuciqi. Bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë BE-në, KFOR-in, EULEX-in, OSCE-në dhe organizata të tjera që ndodhen atje e kanë toleruar këtë kufizim lirie për serbët e komunave veriore.

Lexo më shumë  Njeriu që do të merrte guximin para dy javësh ta thoshte se ligji për "gjykatën speciale" synon vetëm manipulimin e masave do të përballej me një fushatë brutale linçimi

– Duke u propaganduar atyre se do të shtypen nga shqiptarët nëse integrohen, Serbia në fakt i ka shtypur vet serbët e veriut të Kosovës përmes izolimit dhe imponimit të refuzimit të të drejtave që atyre ua garanton shteti i Kosovës. Serbia për interesat e saj u imponoi atyre iluzionin se kjo pjesë e Kosovës një ditë do të bëhet pjesë e shtetit të Serbisë. Pas dështimit të “shkëmbimit territorial”, Serbia iu kthye idesë së Asociacionit si një Republika Srpska brenda Kosovës.

– Marrëveshja e re e Brukselit dhe Ohrit nuk mund të trajtohet nga negociatorët sipas kutit të Serbisë. Ajo marrëveshje ka disa pika të cilat kanë numra, nga numri 1 deri tek numri 11. Renditja e pikave të marrëveshjes sipas numrave është bërë për të identifikuar cila është pika e parë, e dytë e tretë e kështu me radhë. Si çdo gjë tjetër, edhe marrëveshjet i rendisin si të parat aspektet më elementare, bazike dhe themelore të një ceshtjeje, pastaj renditen aspekte që mund të lidhen me detaje ose anë më përiferike. 4-5 nenet e para të marrëveshjes i përcaktojnë parimet themelore të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: si palë të barabarta, që zhvillojnë fqinjësi të mirë dhe respektojnë njera tjetrën si subjekte sovrane në raporte reciproke. Vetëm respektimi i këtyre parimeve bazike i jep shansë zhvillimit të raporteve të mëtejshme. Dështimi i marrëveshjeve të kaluara ka ndodhur pikërisht sepse nuk kanë ekzistuar parime të tilla themelore.

Lexo më shumë  Njeriu që do të merrte guximin para dy javësh ta thoshte se ligji për "gjykatën speciale" synon vetëm manipulimin e masave do të përballej me një fushatë brutale linçimi

– Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka kundërshtuar këtë qasje të Brukselit dhe kjo solli rezultatin e bllokimit të një dialogu që pranonte cdo kërkesë të Serbisë. Refuzimi i qasjes së vjetër të dialogut që po zbatohej edhe nga negociatorët e rinj solli sanksione për Kosovën dhe inkurajim për Serbinë. Duke e parë moszmbrapsjen politike të Qeverisë Kurti përballë presionit ndërkombëtar, Serbia provoi përshpejtimin e krijimit të gjendjes faktike të kontrollit të veriut të Kosovës tashmë haptazi me formacionet paramilitare që e shkaktuan sulmin terrorist në Basnjkë. Vuciqi u mundua ta marrë me forcë atë që iu bllokua nga Kurti që ta merrte përmes negociatorëve në Bruksel. I dështuar në planin negociator dhe tanimë edhe në planin e kontrollit përmes forcës, Vuciqi cdo ditë e më shumë do ta tregojë fytyrën e vërtetë përballë atyre që menduan se me të mund të garantojnë paqen dhe interesat perëndimore në Ballkan.

– BE dhe SHBA duhet të heqin dorë nga përpjekja për perëndimorizimin e Serbisë përmes bosnjizimit të Kosovës. Në vend të kësaj le të provojnë demokratizimin e Serbisë nëse duan ta shpëtojnë edhe Bosnjen. Kosova vet nuk ka dilema as për Perëndimin, as për demokracinë, por as për Serbinë!

Rruga Press

YouTube player