Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë: Duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë, Albin Kurti gjatë vizitës në shkollën e mesme të ulët “Naim Frashëri” ka thënë se për Qeverinë e Kosovës zhvillimi i gjithmbarshëm nuk mund të paramendohet pa arsim cilësor, pa zhvillim të kapitalit njerëzor e pa qasje të barabartë në mundësitë për zhvillim.
Ndër të tjera, Kurti ka theksuar se përmes punës së përbashkët duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor, të sigurohemi që pjesëmarrja e grave në fushën e shkencës, teknologjisë e inovacionit të mos jetë përjashtim, por normë.
“Së bashku do të punojmë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për arritjen e barazisë gjinore”, tha kryeministri.
Mes të tjerash, kryeministri bëri të ditur se nëpërmjet “Sfidës së Shkencës” do të synohet qysh herët te nxënësit e nivelit parauniversitar të frymëzohet me ndërveprim me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve e shkollave.
Me Rrjetin e Grave në STEM do të ofrojmë ombrellë afatgjatë të organizimit dhe forcimit të grave dhe vajzave në këto fusha shkencore, tha kryeministri.
Ai ka njoftuar se nga viti i ardhshëm do të organizohet edhe një konferencën vjetore për gratë në shkencë, për të promovuar arritjet shkencore të grave dhe vajzave.
Kurti u bëri thirrje vajzave që do të nisin studimet sivjet, që t’i konsiderojnë studimet në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës – STEM.
Në këtë vizitë të pranishme ishin edhe: ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit Edona Maloku Bërdyna, zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jacob Webber, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës, Myzafere Limani, si dhe fitueset e çmimeve për shkencëtar të vitit dhe shkencëtar të ri të vitit, dr. Ibadete Bytyçi dhe dr. Fjolla Kaçaniku.
Rruga Press