Lajme

Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit: Do të shtohen çdo vit nga 100 asistentë për fëmijët gjatë mësimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Botërore të Autizmit ka thënë se për çdo vit të mandatit qeverisës të tij do të shtohen nga 100 asistentë për fëmijët gjatë orëve mësimore.

Sipas Kurtit, prioritet i qeverisjes së tij do të jetë rritja e cilësisë dhe edukimit cilësor për çdo fëmijë, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetua dhe ligjet e vendit.

“Duhet të ketë trajtim dhe kujdes shtesë për fëmijët me autizëm. Për prindërit është sfidë përfshirja e nxënësve me autizëm në sistemin shkollor, megjithëse këtë e parasheh ligji. Kjo sepse është i nevojshëm asistimi i rregullt në orarin mësimor, prandaj gjatë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetjen profesionale të fëmijëve. Do të shtohen edhe nga 100 asistentë të tjerë çdo vit deri në fund të mandatit. Vetëm 7 për qind e fëmijëve nga moshat 0-7 vjeç janë të përfshirë në edukimim parashkollor. Prioriteti jonë do të jetë rritja e qasjes dhe edukimit cilësor për çdo fëmijë, si një e drejtë e garantuar nga Kushtetua dhe ligjet e vendit”, ka thënë Kurti.

I pari i ekzekutivit paralajmëroi se shumë shpejt do të organizohet “Java e Diversitetit”, ku fëmijët autist do të tregojnë talentin e tyre në vizatim.

“Për përkrahjen e nxënësve autist me inteligjencë të jashtëzakonshme janë alokuar 200 mijë euro. 2.682 fëmijë me aftësi të kufizuara përfitojnë 100 euro në muaj”, ka deklaruar Kurti.

Për nder të Ditës Botëror të Autizmit, u organizua marsh në Prishtinë, ku mori pjesë edhe presidentja Vjosa Osmmani.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, z. Habit Hajredini,
E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuari ministër i Shëndetësisë, z. Rifat Latifi,
E nderuara znj.Shpresa Xhakli, aktiviste për të drejtat e personave me autizëm,
I nderuari Drejtor i shoqatës “Autizmi”, z. Cenë Krasniqi,
E nderuara Drejtore e organizatës ANAK, znj. Jeta Deva,
E nderuara Drejtore e organizatës “Autizmi Flet”, znj. Violeta Hyseni,
I nderuari Kryetar i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, z. Bujar Kadriu,
Të dashur prindër, punonjës profesionalë e shëndetësorë,
Të nderuar të pranishëm,

Mirë se po takohemi së bashku sot, në këtë konferencë që po organizohet me rastin e 2 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Autizmit. Është shumë e vlefshme që takime të tilla të bëhen sa më të shpeshta, për ta rritur bashkëpunimin tonë me njëri-tjetrin.

Sepse nuk kemi të bëjmë në këtë rast vetëm me shëndetin, por edhe me të drejtën. Duhet të njohim së bashku, sa më shumë mekanizma e mundësi që ekzistojnë në përvojat më të zhvilluara. Ato t’i përshtatim me kapacitetet dhe gjendjen tonë shoqërore dhe ekonomike.

Kemi të bëjmë pra me çështje të drejte, e cila është e garantuar me Kushtetutë e me ligjet tona. Por jemi të ndërgjegjshëm se mbështetja në ligje dhe Kushtetutë duhet të zgjerojë kapacitetet tona të veprimit. Njerëzit tanë, për të cilët po flasim këtu, përbëjnë një grup, trajtimi i të cilit është treguesi themelor i cilësisë dhe i shkallës së demokracisë.

Vetëdija është e rëndësishme, por ajo nuk është abstrakte. Ajo është profesionale, mjekësore, psikologjike, sociologjike, pra na duhet pjesëmarrje e shtuar e profesioneve dhe e profesionistëve. Na duhet shoqëria civile, e cila do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me profesionistët, na duhet arsimi si integrimi më i rëndësishëm dhe parësor. Me ç’rast duhet të pajisemi me idenë e plotë mbi njeriun.

Lexo më shumë  Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave, eurodeputeti holandez: Shtetet anëtare të KiE-së iu përulen Serbisë

Duke qenë se njeriu është qenia në përkufizim i shoqërueshëm, kjo do të thotë dy gjëra: ai është i pajisur domosdoshmërisht me ndjenjën e marrëdhënies me të tjerët, raportin me të tjerët; por, kjo do të thotë edhe se ai është i ndryshëm në aftësinë për qasje në shoqëri. Andaj edhe duhet flasim për cilësinë e demokracisë. Rasti i fëmijëve autistë nuk dëshmon për deficit në dëshirën e tyre për marrëdhënie shoqërore, por vetëm për nevojën e tyre për shoqërim më të matur, më të hollë, e më të rregullt.

Nëse shoqëria nuk zotëron mjetet për të përmbushur këtë pritje, atëherë pa dyshim që deficiti qëndron te shoqëria dhe institucionet e saj. Në një mungesë të tillë, do të shohim se në vend të pranisë së shëndetshme të shoqërisë, izolimi i personave me aftësi të kufizuar, e paaftëson shoqërinë në tërësi në empati.

Një shoqëri e ndjeshme ndaj këtyre personave, është një shoqëri më e vërtetë në vetvete. Sepse sapo të dështojmë në kuptimin e vështirësisë dhe hallit të tyre, do të kemi rënie në terrenin, i cili është jo vetëm i izolimit, por edhe i ngacmimit, i paragjykimit dhe i stigmatizimit.

Nga trajtimi që i bëjmë ne njëri-tjetrit është vetë shëndeti i shoqërisë në përgjithësi. Ushtrimi në të drejtat e njeriut është mënyra për ta bërë shoqërinë më të mirë. Personat me autizëm janë një shprehje më e drejtpërdrejtë e ngutisë sonë për të krijuar mekanizma të veprimit.

Unë dje isha në shënimin e 10-vjetorit të shërbimeve të Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë, dhe mund të them që, secili e secila nga ne që ishim prezent aty, do të mbetet thellë në kujtesë interpretimi në piano i Elionit. Kujdesi në performancë me një audiencë veshhapur, ishte ky një interpretim i mahnitshëm e i jashtëzakonshëm i Elionit. Talentet si ai e kemi për detyrë e përgjegjësi të identifikohen e të maksimalizohet potenciali i tyre.

Duhet të kemi vëmendje të shtuar në shkollat e në klasat tona. Na duhet gjithëpërfshirje me pjesëmarrje aktive, të nxënësve e të mësimdhënësve, të prindërve e të punonjësve. Trajtim e kujdes shtesë për fëmijët me autizëm do të thotë përkushtim, sepse asistenca do të thotë integrim. Për prindërit është sfidë përfshirja e nxënësve me autizëm në sistemin shkollor, megjithëse këtë e parasheh ligji. Kjo sepse është i nevojshëm asistimi i rregullt në orarin mësimor, prandaj gjatë gjithë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetjen profesionale të fëmijëve. Do të shtohen edhe 100 asistentë të tjerë çdo vit, deri në fund të mandatit.

Në Kosovë, përballemi me përfshirje shumë të ulët në edukim të hershëm për shkak të numrit të pamjaftueshëm të institucioneve dhe pamundësisë financiare. Vetëm 7% e fëmijëve të moshës prej 0 deri në 5 vjeç janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Andaj në qeverisjen tonë, prioritet mbetet rritja e qasjes dhe përfshirjes në edukim cilësor për çdo fëmijë, pa dallim, si një e drejtë e garantuar, jo si diçka që duhet ta meritojë dikush, por ju takon me vetë faktin se janë.

Lexo më shumë  Osmani bashkëbisedim me Hillary Clinton: Për ekonomi të zhvilluara dhe gra të fuqizuara, parakusht janë liria, paqja dhe demokracia

E nuk duhet të mjaftohemi vetëm këtu, por na duhen edhe shërbime më të mira shëndetësore, terapeutike, psikologjike e shoqërore, për fëmijët tanë, por edhe për shoqërinë në përgjithësi.

Na duhet ndërveprimi social i shtuar me njëri-tjetrin, me grupe mbështetëse lokale e projekte të drejtuara me njerëz profesionistë, e për njerëzit autikë. Aktivitete në art, kulturë, sport, e komunikim komunitar. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe organizatat partnere së shpejti do të organizojnë

“Javën e Diversitetit”. Në këtë organizim fëmijët me autizëm do të shprehin talentin e tyre përmes vizatimit.
Qeveria është zotuar për përkrahje të organizatave të specializuara për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente. Për këtë gjë janë alokuar 200,000 euro. Është shumë e rëndësishme përfshirja dhe përkrahja e këtyre fëmijëve, veçanërisht nëse ata janë autikë.

Aktualisht numri total i fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme që përfitojnë shumën mujore prej 100 euro për fëmijë, siç e parasheh ligji përkatës, është 2682. Është e vetmja skemë ku fëmijët e këtyre kategorive përfitojnë këtë shumë. Vetëm në muajin shkurt 2022 në këtë skemë janë përfitues 324 fëmijë me autizëm.

Gjatë vitit të kaluar e kemi themeluar Këshillin për Pesona me Aftësi të Kufizuar. Po ashtu, e kemi miratuar Planin e Veprimit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në Republikën e Kosovës (2021-2022), në kuadër të Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (2013-2023). Kurse sivjet e kemi shpallur vitin 2022 si vit të tyre. Është duke u punuar edhe në Ligjin për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuara, i cili pritet të dorëzohet së shpejti në Qeveri.

Të nderuar pjesëmarrës,

Jemi të vetëdijshëm për brengat dhe shqetësimet tuaja nëpër të cilat keni kaluar dhe po kaloni për çdo ditë, e ato janë edhe sfidat tona. Shumëçka është bërë, por edhe më shumë duhet të bëhet. Bashkëpunimi ndërsektorial është një parakusht i domosdoshëm që të sigurojmë zhvillim cilësor.

Muaji prill është muaj i vetëdijesimit për autizmin, por le të mos të jetë ky muaji i vetëm. Ajo që synohet janë të drejta dhe barazi për të gjithë personat me autizëm në Kosovë. Pra më shumë qasje në shërbime, për çdo person me autizëm.

Si Qeveri vazhdojmë të jemi të përkushtuar për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, për të gjithë qytetarët e Republikës, pa dallim gjinie e moshe, e pa dallim përkatësie e aftësie.

Ne, bashkërisht, duhet të punojmë drejt rritjes së mirëqenies për përmirësimin e cilësisë së jetës, e ta rrisim dinjitetin për më shumë mundësi të barabarta për çdo njërin.

Faleminderit shumë për gjithë punën, angazhimin, kontributin deri më tash dhe ne zotohemi se do t’ju ndihmojmë e do t’ju përkrahim edhe në vijim si asnjëherë më parë, si askush tjetër.

Faleminderit!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *