KryesoreLajme

Kurti: Kosova kampione nëse prokurorët e gjyqtarët do t’i kishim më të guximshëm e më punëtorë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova do të ishte kampione evropiane për luftë ndaj krimit të organizuar, “vetëm sikur edhe prokurorët t’i kishim pak më të guximshëm edhe gjyqtarët t’i kishim pak më punëtorë”.

Në fjalimin e tij në festën e fundvitit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Kurti ka lavdëruar qeverisjen e tij deri tash. Ai ka thënë se 2023-shi ka qenë “vit i qeverisjes progresiste me stabilitet institucional që anti-korrupsionin e bëri rritje ekonomike, kurse lirinë për qytetarët e bëri zhvillim shoqëror”.

“Progresi ynë të dashur aktivistë nuk ka pasur dysheme. Sepse Kosovën na e patën lënë në bodrum. Sot, progresi ynë nuk ka tavan. Kur rritesh, rriten edhe mundësitë për t’u rritur. Buxheti në vitin e ardhshëm 2024 është 35% më i lartë sesa ai në vitin 2021. E në vitin e ardhshëm Bruto Produkti Vendor do të jetë mbi 10 miliardë apo 50% më e lartë se para tri vjetëve. Ndryshimet e mëdha si këto bëhen me njerëz që kanë zell, për të mos u ndalur asnjëherë e deri në fund. Për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes dhe sidomos pas marrjes së saj. Qeveritë e tilla i dalin hakut popullit. E tillë është qeverisja jonë sepse të këtillë na do neve populli. Ju falemnderit për mbështetjen e vazhdueshme që na ka bërë të pandalshëm”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Sot, në datëlindjen e “Mbretëreshës së Këngës Shqiptare”, Nexhmije Pagarusha

Kurti është lavdëruar për rritje të buxhetit, ndërsa ka thënë se në vitin 2024, Qeveria do të ketë fokus “ndërtimin e infrastrukturës më moderne që ka pasur ndonjëherë Kosova”.

“Këto gjithashtu përveç rrugëve e autostradave do ta lidhin Kosovën edhe me shumë vendet të tjera posaqërisht me vendet fqinjë ku do të kemi edhe investime për rrjetin hekurudhor modern, që na bën pjesë të hekurudhave evropiane, si dhe për telekomunikacion me rrjetin 5G, apo për energji diellore, me parqe diellore, pra me energji të qëndrueshme e të ripërtrishme”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se për tre vjet qeverisjeje është rritur për mbi 17 për qind punësimi. Sipas tij, punësimi te gratë është rritur nga 110 mijë në 140 mijë, te rinia nën 25 vjeç është rritur nga 29 mijë në mbi 61 mijë, kurse në përgjithësi nga 350 mijë në mbi 410 mijë të punësuar.

Ai është lavdëruar për masat subvencionuese dhe shtesat për fëmijët, nënat lehona e pensionistët.

Kurti ka thënë se reformat në drejtësi duhen disa vite që të jepen rezultatet.

Për mbrojtjen ai ka thënë se është rritur numri i ushtarëve e investimet në pajisje.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Zvogëlimi i barrës administrative është prioritet i Qeverisë

Për politikën e jashtme, Kurti ka thënë se Kosova ka dhenë mesazh të bashkëpunimit, paqes e integrimit “por fatkeqësisht vazhdojnë të jenë në fuqi masat e padrejta ndaj nesh, e nuk ka masa ndaj atyre që strehojnë dhe armatosin terroristë”.

“Megjithatë ka patur lajme të mira edhe nga politika e jashtme, agjenda integruese e Kosovës është përparuar dhe kemi patur disa anëtarësime të vlefshme në organizata ndërkombëtare e gjallërim aktivitetesh diplomatike në shumë vende të botës”, ka thënë Kurti.

Për sigurinë, ai e ka quajtur vitin 2023 si jo të lehtë, por ka shtuar se sfidat janë kaluar me sukses. Ka përsëritur se aktori kryesor që dëshiron destabilizimin e Kosovës qëndron në Beograd.

“Na mbetet shumë për të bërë, por ne nuk do të ndalemi dhe ditë pas dite do të forcojmë institucionet tona e do ta fuqizojmë Republikën e Kosovës. Ndryshimet që ndodhin gjatë një dite nuk duken, ato që ndodhin përgjatë një viti duken pak, por ato të cilat bëhen përgjatë një mandati qeverisës janë të dallueshme, e këto do të prezantohen nga ne gjatë vitit që vjen 2024, i cili është edhe viti i katërt, teksa po i afrohemi zgjedhjeve të reja”, ka thënë ai më tej.

Rruga Press

YouTube player