Kurti: Kemi pasur sulme kibernetike në sistemin tonë qeveritar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka pasur disa sulme kibernetike në sistemin qeveritar të Kosovës.
Kurti ka thënë se adresimi i rrezikimit të sigurisë kibernetike kërkon bashkëpunim me aleatët.
“Digjitalizimi kontribuon për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe demokratike. Kemi zhvilluar një udhërrëfyes strategjik për digjitalizimin. Progresi ynë i transforimit digjital është njohur në indeksin e pjekurisë së Bankës Botërore, ku Kosova është ngritur nga grupi C në B. Sulmet kibernetike kanë potencial të bëjnë dëme të konsiderueshme deri në rrezikim të sigurisë kombëtare. Kemi pasur disa sulme në sistemin tonë qeveritar. Dezinformimi është shfaqur si rrezik që ka mundësi të krijojë rreziqe të mëdha për shoqëri. Adresimi i rrezikimit të sigurisë kibernetike kërkon bashkëpunim me aleatët dhe krijim të urave me palët e interesit. Kjo siguri kibernetike është e rëndësishme për Qeverinë në muajt në vijim”, tha Kurti, që po merr pjesë në Konferencën për Integritetin e Informacionit, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), mbështetur nga USAID në Kosovë, DISICON.
Kurti ka folur për strategjinë në parandalimin e sigurisë kibernetike.
“Realizimi i fushatës për vetëdijësim të shoqërisë sa i përket sulmeve, përfshirja e zyrtarëve e ekspertëve, udhëzimet e qarta për shkollat dhe trajnimet e mësimdhënësve lidhur me mbrojtjen e fëmijëve online. Siguria kibernetike është edhe siguri kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme”, tha Kurti.
Kurti në konferencë ka folur edhe për çështjen e pluralizimit politik.
“Pluralizimi politik nuk duhet të jetë në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Nuk mund të kemi demokraci pa pluralizëm politik, por edhe pa të drejtat e njeriut. Ne duhet të mbrojmë të drejtat e njeriut. Të drejtat e njeriut janë vlerat themelore të shoqërisë dhe shtetit. Barazia gjinore është vendimtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë sociale. Gjinia, orientimi seksual mund të ketë ndikim në hapësirën kibernetike, shoqëria duhet ta mbrojë veten përmes mbrojtjes së pakicave dhe njerëzve të cenueshëm. Rreziqet dhe kërcënimet kibernetike janë rrezik për të gjithë. Gratë shpesh përballen me diskriminim online që mund të ndikojë në sigurinë tyre edhe fizike por edhe mendore. Një siguri kibernetike mund të arrihet edhe përmes programeve arsimore dhe ndërgjegjësimit. Në të njëjtën kohë prokurorët, policët, duhet të edukohen që t’i kundërvihen krimit kibernetik. Nëse diçka fillon e bëhet shumë më serioze dhe më e madhe prandaj është e rëndësishme të kemi kuadër të trajnuar profesionistësh në aparatin shtetërorë që besojnë në drejtat e njeriut dhe reagojnë”, tha Kurti.
Rruga Press