Lajme

Kurti: Jemi të interesuar që marrëveshja të zbatohet në tërësi, jo vetëm pika shtatë

Kërkesa dhe vërejtje në drejtim të emisarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, kanë drejtuar udhëheqësit e shtetit të Kosovës, pas takimit të fundit në nivel negociatorësh. Kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani i kanë kërkuar BE-së që të mos e vendosë si prioritet e parakusht themelimin e Asociacionit, për zbatimin e pikave të tjera nga propozimi i Bashkimit Evropian.

Liderët e shtetit kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mos e vërë parakusht Asociacionin për zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes së Brukselit.

Një ditë pas takimit të Brukselit në nivel të negociatorëve, që përfundoi pa ndonjë rezultat, kryeministri Albin Kurti e ka theksuar se kërkohet plan zbatimi i hollësishëm e gjithëpërfshirës, e i cili nuk reduktohet vetëm në Asociacion.

“Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por neni 7 nuk është marrëveshja dhe këtë gjë zëvendëskryeministri Bislimi e ka bërë të qartë mbrëmë në Bruksel dhe gjithashtu kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkret, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit i sekuencuar për marrëveshjen që e kemi bërë, vetëm në nenin 7”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Ministrja Haxhiu – opozitarëve: Jeni bërë milionerë veç duke qenë në qeveri

Kurti ka treguar se ka vërejtje edhe për propozimin e ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes.

“Tash po zhvillohen negociata, të cilat nganjëherë janë diskutim, bashkëbisedim, por edhe polemika. Natyrisht se me vullnetin e mirë, interesin e mirë dhe gatishmërinë e plotë dëshirojmë të dakordojmë këtë sekeuencim të zbatimit, por deri tani ky nuk është rasti. Ajo çka kemi parë në propozime, nuk mund të jetë marrëveshje për sekuencim të zbatimit, por ne gjithashtu kemi dhënë edhe propozimet tona dhe negocimi është në vazhdim e sipër”, tha Kurti.

E presidentja Vjosa Osmani ka thënë se procesi i dialogut zhvlerësohet nga interpretimet e reja të BE-së, sipas të cilave neni shtatë i marrëveshjes bazë kërkohet të jetë prioritet.

“Republika e Kosovës do të zbatojë të gjitha ato për të cilat është zbatuar, jo për hapa të tjerë që nuk është pajtuar. Këtë qëndrim ne e mbajmë si shtet vazhdimisht edhe në Bruksel dhe kudo tjetër ku mbahen takimet. Ne presim që BE-ja të mos kërkojë që të zbatohen gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar. Ndërkaq të kërkohet pikërisht ajo që është pajtuar Kosova dhe Serbia. Ne presim akoma që BE-ja të jetë e qartë në raport me shkeljet e Serbisë, deri tani nuk e kemi pa një gjë të tillë”, tha Osmani.

Lexo më shumë  Aktivisti nga Lugina, Muharrem Salihu kandidati i parë nga Italia për zgjedhjet në Parlamentin Evropian

Në zyrën e Bashkimit Evropian nuk u janë përgjigjur të martën pyetjeve në lidhje me strategjinë për tejkalohen e dallimeve mes palëve, në mënyrë që marrëveshja të jetë e zbatueshme.

Pas takimit Bislimi-Petkoviq, ndërmjetësi i BE-së Miroslav Lajçak shkroi në “tëitter” se synimi ishte të qartësoheshin pyetjet e hapura dhe paralajmëroi vazhdimin e diskutimeve.

“Kam pritur kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq për një rund të radhës të dialogut në Bruksel. Ne kemi diskutuar për rrugën para në zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe me synim për të qartësuar pyetjet e hapura. Diskutimet do të vazhdojnë”, tha Lajçak.

Nënshkrimi i deklaratës për të zhdukurit nga lufta e fundit është pika e vetme e përmbushur nga aneksi për zbatimin e propozimit të Bashkimit Evropian, rreth të cilit palët janë dakorduar më 18 mars në Ohër.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *