KryesoreLajme

Kurti: Gabimet politike historike të qeverive të kaluara s’do të përsëriten asnjëherë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin në Bruksel të hënën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ishte i gatshëm të nënshkruante Planin evropian.

Ai tha se ofroi nënshkrimin e marrëveshjes, por Vuçiqi e refuzoi kategorikisht.

“Në takimin trilateral i ofrova BE-së nënshkrimin zyrtar si kryeministër i Republikës për marrëveshjen bazike, që duhet të nënshkruhet edhe nga përfaqësuesi i lartë Borrell dhe nga presidenti i Serbisë, Vuçiq e të miratohej në Samit të Këshillit Evropian. Propozimin tim e refuzoi menjëherë Vuçiqi dhe atë në mënyrë kategorike. E bëri publike edhe pasi doli nga takimi. Qëndrimi i Borrellit, është që ky dokument nuk do të diskutohet më. Pra, ka format të finalizuar dhe është shpallur në faqe të BE-së, të dyja palët janë pajtuar për këtë pozitë, por nuk nënkupton se kanë pranuar zyrtarisht marrëveshjen. Pranimi bëhet përmes nënshkrimit të gjitha palëve. Refuzimi i Serbisë është për të treguar se s’është dakord me marrëveshjen”, ka thënë Kurti në seancën e Kuvendit.

Ai ka thënë se plani i zbatimit të kësaj marrëveshje duhet negociuar dhe ende nuk është negociuar.

Kurti ka thënë se nëse kjo marrëveshje është e dëmshme, atëherë “të tregohet pse Vuçiqi nuk po e nënshkruan”.

Kurti ka thënë se marrëveshja është hap i rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, flet për barazinë, respektimin e integritetit territorial, pavarësinë dhe heqjen dorë të pengesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Po ashtu edhe shkëmbime të misioneve diplomatike, e njohjen e simboleve shtetërore, pasaportave.

Lexo më shumë  Sveçla: Luftimi i migrimit të paligjshëm është prioritet

“Marrëveshja ia hap rrugën Republikës sonë për anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare, më e rëndësishme përmes pranimit të kapacitetit ligjor për anëtarësim në NATO, e nënshkrim të Partneritetit për Paqe me NATO-n, ku për herë të parë Ushtria e Kosovës shndërrohet aleate partnere në NATO”, ka thënë Kurti, që ka shtuar se do të vijë edhe marrja e statusit të shtetit kandidat të BE-së.

Kurti ka thënë se asnjëherë nuk do të pranojë diçka që është kundër Kushtetutës së Kosovës.

“Më lejoni të riktheksoj se si kryeministër nuk do të lejoja të negocioja asgjë që nuk është në përputhje me sistemin tonë kushtetues e ligjor apo diçka që synon territorializimin, monoetnicitetin apo krijimin e urave për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Asnjë nga kjo asnjëherë. Gabimet politike historike të qeverive të kaluara s’do të përsëriten asnjëherë. Do të bëjë përpjekje maksimale që ato gabime t’i eliminojë, apo së paku t’i reduktojë substancialisht që të mos jenë pengesë për karakterin e qëndrueshëm, demokratik e unitar të Kosovës”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se nuk mund të tregojë shumë detaje, por thotë se i vetmi nen problematik në marrëveshje është ajo që lidhet me obligimet e trashëguara, e për të cilat ka konsensus ndërkombëtar që duhet zbatuar.

Lexo më shumë  ​Ushtarët e FSK-së përfundojnë ushtrimin fushor ‘’Ujku Alfa’

“Ajo është pika 10 e marrëveshjes në fjalinë e fundit, që e përmban normën që të gjitha marrëveshjet duhet zbatuar. Pra, marrëveshja bazë nuk i veçon elementet, por i vendos në një normë të tipit kategori. Pra, kam pranuar se ekziston një thes me marrëveshje. Dhe për t’i zbatuar ato rreth 40 marrëveshje, duhet të sigurohemi që ato do të zbatohen sipas rrjedhës kohore, e zbatohen vetëm ato për të cilën ka autorizim kushtetues e ligjor për Republikën tonë. Prandaj, kur thuhet se duhet zbatuar, lexoni fjalinë deri në fund, nuk thotë se vetëm duhet të zbatohen. Nëse më pyesni a duhet zbatuar ato që i gjithë komuniteti ndërkombëtar pret të zbatohet sepse janë miratuar e ratifikuar nga qeveritë e kaluara, përgjigja ime është po. Vetëm nëse zbatohen të gjitha e janë në përputhje me përcaktimet kushtetues të Republikës sonë, duke respektuar demokracinë, barazinë, të drejtat e njeriut e simetrinë. Nuk lejoj përjashtime apo veçime. Garantoj se asgjë e re që nuk ka qenë e pranuar katërcipërisht në marrëveshjet e kaluara, nuk është pranuar, nuk është negociuar e nuk është përfshirë në marrëveshjen bazike”, ka thënë Kurti.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *