Lajme

Kurti flet për targat: Beogradi po ushtron terror ndaj serbëve të Kosovës – shtyrja 10 mujore nuk është shtyrje

Kryeministri Albin Kurti nga Berlini ka folur sërish për vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, si dhe për kërkesën e SHBA-ve për shtyrje.

Kurti ka thënë se 21 nëntori është dita kur nis gjobitja e vozitësve me targa ilegale.

“Ajo është dita kur makinat të cilat insistojnë të qarkullojnë me targa ilegale, do të duhet të fillojnë të paguajnë gjoba. Nuk jam i interesuar që dikush të gjobitet, jam interesuar që targat të konvertohen nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia, në targa legale të lëshuara nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai tha se pengesa nuk është mosinformimi por është terrori nga ana e Beogradit që u bëhet serbëve të Kosovës të cilët sipas tij, kërcënohen dhe sulmohen edhe me djegie të veturave të tyre kur ata tregojnë gatishmëri për tu integruar në sistemin e Kosovës.

Lexo më shumë  Shaip Kamberi takon Viola Von Cramon, flasin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve nga Serbia

Për këtë gjë, Kurti tha se njoftoi përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Sa i përket kërkesës së SHBA-ve për shtyrje të vendimit për targa për 10 muaj, Kurti tha se kjo nuk mund të jetë shtyrje dhe se shtyrje mund të jetë për 3 javë ose 1 muaj.

“Por në këtë rast ne s’kemi bërë shtyrje se jemi në të drejtën tonë dhe në të njëjtën kohë kemi shprehur mirëkuptimin për brengat evropiane e amerikane lidhur me mundësitë e cenimit të paqes e sigurisë”, tha Kurti.

Ai shtoi se me Shtetet e Bashkuara janë vazhdimisht në kontakt, me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë por edhe drejtpërdrejt me Departamentin e Shtetit.

“Nuk ka vendim që shkakton preokupim të paqes e sigurisë për të cilin ne nuk i njoftojmë partnerët tanë në Washington dhe Bruksel. Pra, ata e dinë paraprakisht qëndrimin tonë. Nuk do të thotë që pajtohemi çdo herë, kudo, sepse qeveria jonë është qeveri e një vendi sovran, dhe kështu edhe ShBA-ja na duan neve, por në anën tjetër s’mund të thuhet që ka pasur kurrfarë shpërfillje nga qeveria jonë ndaj brengave evropiane”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putini e ka hedhur Serbinë nën autobus

Kryeministri foli edhe për mos-zbatimin e vendimit të qeverisë për targat nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb në veri të vendit.

“Është një gjë kur dështon zbatimi i vendimit dhe është një gjë tjetër kur dikush bën thirrje të mos zbatohet vendimi, përveç që tregon se nuk do ta zbatojë ai ose ajo vet. I përket organeve të sigurisë që të merren me këtë thirrje e cila qartazi është në shpërputhje me rendin dhe ligjin në Kosovë”, u shpreh Kurti.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *