KryesoreLajme

Kurti: Abdixhiku i refuzoi të gjitha ofertat tona, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve

Kryeministri Albin Kurti pas takimit më kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se bisedimet kanë rezultuar të pasuksesshme. 

Ai ka thënë se asnjëra prej ofertave që kanë bërë nuk u është pranuar nga Abdixhiku. 

“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve, të cilat i ka quajtur të panevojshme. 

“Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhje të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe buxhetit të Kosovës mjete. Së paku 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, ka deklaruar Kurti. 

Ai ka thënë se në shpjegimin që VV-ja nuk duhet t’i ketë tri pozitat e larta institucionale, kanë bërë ofertë që kryekuvendari dhe nënkryetari i Kuvendit të pësojnë një rrokadë.

“Kryetarja e Kuvendit, Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit, dhe në këtë mënyrë di t’a kishim qeverinë dhe nuk do të kishim nevojë për zgjedhje. Ndërkohë LDK-ja do ta kryesonte Kuvendin. Për Konjufcën ne nuk kemi kërkuar votë për, ata le të votojnë si të duan”, është shprehur Kurti. 

Lexo më shumë  Qeveria emëron kryetarin e Bordit të Telekomit

Kryetari i Vetëvendosjes ka thënë se as kjo nuk është pranuar, edhe pse sipas tij, ishte një mundësi që të thuhej se tri pozitat e larta shtetërore mbahen nga Vetëvendosja. 

“Tash nuk kemi oferta të tjera, ndërkohë që as nuk u kërkua diçka tjetër nga ne. Ju keni dëgjuar Konjufcën që ka thënë se unë tërhiqem nëse ka figurë konsensuale. Ne nuk e kemi pasur me çdo kusht Konjufcën. Ne nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar që të jemi total te tri pozitat e larta të shtetit, por meqë nuk kishte asnjë propozim, ishte detyrë e jona të propozojmë. Ne nuk mund të krijojmë bashkëqeverisje në kundërshtim me vullnetin e popullit. Përveç kësaj, ne jemi të vetmit që kemi sjell emra. Vetëm ne po flasim me emra të përveçëm, të tjerët jo”, ka shtuar Kurti. 

Ai ka thënë se LDK-ja nuk ka konsideruar që asaj i takon presidenti. “Unë nuk mund të bëhem më LDK se LDK-ja. Nuk ka mundësi të ofroj unë diçka që ata nuk më kanë thënë se e kërkojnë. Ne ua kemi propozuar opozitës dikë që e duan më shumë se mua, Konjufcën. Ai është njeriu i dytë më i votuar në Kosovë”.

Lexo më shumë  Konjufca takon homologun malazez, flasin për rritje të bashkëpunimit

Ai ka folur edhe për diskutimet më PDK-në, duke thënë se i ka dërguar një mesazh kryetarit Bedri Hamza dhe se do të shohin si është e mundur të ecin përpara.

“PDK-ja ka kërkuar nga unë që të bëjë marrëveshje politike blanko ku ata i propozojnë dy kandidatët e ne ua votojmë. Unë i dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës dhe të shohim se si është e mundur të ecim përpara, por oferta për bashkëqeverisje që u ofrua për LDK-në ka qenë ekskluzive për LDK-në”, ka theksuar Kurti. 

Ai ka theksuar se nëse PDK-ja është serioze do të duhej të takoheshin. “Mua m’u tha që pa pasur vendim të Gjykatës Kushtetuese nuk takohemi, patëm vendim po prapë nuk u takuam. Ju e dini që deputetët dhe kryetarët e partive bëjnë aq shumë takime, por disi përveçse me mua. Nuk është mungesë serioziteti e sinqeriteti nga ana ime. Ka një lloj bojkoti”, ka deklaruar Kurti. 

YouTube player