Opinion/Aktualitet

Kur s’di nga dija e thellë e viktimës është e lehtë ta hedhësh fjalën “vëlla” mbi njerëz të paqartë në kuptimin e njerëzores

Shkruan Elvis Hoxha:

Ka në Shqipëri edhe njerëz që i drejtohen Goran Bregoviçit me fjalët vëlla, mik me lehtësinë më të madhe.

Natyrisht është mes tyre edhe ndihmësi i Ramës kur ky i jepte Goranit çelesin e Tiranës.

E ka shumë të lehtë ky tip njeriu ta thotë fjalën brother vend e pa vend. Unë e kam problem për t’iu drejtuar një serbi me këtë fjalë. Serbia nuk ka ndëshkuar kriminelë lufte, as përdhunuesit e grave. Dhe ka bërë 4 luftra. Dhe ka derguar ushtarakë, policë e paraushtarakë. Edhe civilë të tjerë. Më kuptoni drejt. Me numrin e vrasjeve dhe perdhunimeve që ka kryer Serbia, është shumë e mundshme që ti të takohesh me një kriminel të atyre kohëve, edhe pse ky sot të buzeqesh. Për të vrarë dhjetëra mijëra njerëz duhen po aq vrasës. Por ishin dhe ata që u këndonin bëmave të tyre, ose që barazonin viktimën me vrasësin, ose që merrnin pjesë në propagandën kundër Natos. Në këtë rast nuk mund të përmendet fjala vëlla aq lehtë. Nuk mund ta takosh Vuçiçin aq i qetë kur e di se ka thënë në mes të parlamentit se duhet të vriteshin 100 muslimanë për një serb të vrarë. Dhe ishte Serbia ajo që e nisi luftën e jo muslimanët.

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

Nuk mund ta takosh i qetë Vuçiçin, kur ai i ka vënë me dorën e tij emrin “Mlladiç” një rruge. Nuk mundesh ta prekësh atë dorë aq thjeshtë. Duket se krimi si virusi të ngjitet e ti je pjesëmarrës në të thjesht nga aftësia jote për me qenë indiferent, për me bë sikur nuk di, për me harru që ka viktima e të afërm të tyre. Ose dhe me deklaru gjithandej se je partizan i flaktë i të ardhmes së popujve.

Do të ishte më e drejtë për ty e për të tjerë të mos ishe aq trim e ta thoje kollaj fjalën vëlla.

Unë e kuptoj se ka njerëz që nuk ua ndjen për viktimat, e di se ka nga ata që flasin shumë humanisht për viktimat e largëta në kohë dhe hapësirë, sepse veç fjalës nuk lipset asgjë tjetër. Por për viktimat e afërta në kohë e hapësirë nuk flasin dhe mirë bëjnë. Nuk është e lehtë të flasësh per viktimat e afërta. Nuk mjafton fjala, por duhet të shkosh e t’ia ndjekësh dëshminë. T’ia ndiesh dhimbjen. T’ia ndërtosh gjuhën që nuk e kanë më. Viktima e krimit kundër njerëzimit nuk është rast i rendomtë. Kjo viktimë nuk mund ta thotë krimin që është kryer mbi të.

Lexo më shumë  Në Beograd rikthehen zyrtarisht Sllobodan Milosheviç dhe Vojisllav Shejshel!

Gjuha nuk është bërë për të thënë sublimen dhe katastrofën e subjektit. Viktima e krimit kundër njerëzimit pret që ne të bëjmë një pjesë të rrugës drejt saj. Viktima e krimit të madh paradoksalisht ka turp… për ne. Ajo është pjesa e njerëzve që kanë parë çnjerëzoren, sadizmin brenda njeriut, ndyrësinë e njeriut që fshuhet nën zhelet e paqes. Viktimat kanë qenë vërtet lakuriqe para dhunës, të pambrojtura e të pambrojtshme para saj. Por dhe njeriu i dhunës ka qenë një shpirt lakuriq që ia shihnim hapur perversitetin. Ndaj viktima ka turp për ne…

Viktima na njeh fund e krye. Ajo të sheh dhe thotë: me ty njeri, çdo ndyrësi është e mundshme.

Eh pra. Kur nuk di gjë nga dija e thellë e viktimës, kur nuk je i aftë ta bësh udhën drejt viktimës, e ke më të lehtë ta hedhësh fjalën “vëlla” mbi njerëz të paqartë në kuptimin e njerëzores.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *