KryesoreOpinion/Aktualitet

Kur pleqtë e pushtetshëm çmenden dhe e marrin njerëzimin me vete në varr

Shkruan Lirim Gashi

Një dukuri shqetësuese dhe thellësisht dramatike është bërë e dukshme në politikën botërore të shekullit XXI: presidentët dhe liderët shtetërorë që ndodhen në muzgun e jetës së tyre – në kohën kur njeriu normalisht i dorëzohet reflektimit, shpirtit të pendesës dhe kërkimit të paqes me veten dhe Zotin – po zgjedhin rrugën e kundërt: rrugën e çmendurisë.

Në vend që të lënë pas një akt human për njerëzimin, ata mbajnë në duar një vendim të errët: Nëse unë po vdes, le të vdesë edhe bota me mua.

Siç thoshte Schopenhauer: “Plaku i marrë është më i rrezikshëm se i riu, sepse ka më shumë mundësi të shkaktojë fatkeqësi.”

Një vështrim historik: kur plaku i çmendur djeg botën

Historia ka njohur plot dikatorë dhe despotë të moshuar që në orët e fundit të jetës kërkonin të shkatërronin gjithçka.

Hitleri, në bunker, urdhëroi asgjësimin e Gjermanisë, jo për strategji, por sepse populli i tij “nuk e meritonte fitoren”.

Stalini u kthye në një fantazmë paranojake që nuk i besonte më as mjekëve të vet.

Në kohën tonë, figurat si Vladimir Putin, Ali Khamenei, Kim Jong-un, Xi Jinping etj.., të lodhur nga jeta por të sëmurë nga etja për kontroll, nuk zgjedhin mençurinë, por radikalizimin.

Lexo më shumë  Dyshimi për spiunazh, Jevtiq ia mundësoi BIA-s serbe qasjen në kompjuter zyrtar

Biologjia e pushtetit: narkotik që çmend

Psikologjia politike e përshkruan pushtetin si një drogë që krijon varësi.

Por kur trupi plaket dhe mendja s’kontrollon më veten, pushteti e kthen njeriun në përbindësh.

Kur lideri nuk kontrollon më veshkat dhe këmbët, kërkon të komandojë botën.

Nietzsche kishte të drejtë: “Kur sheh një plak të marrë, kujto se dikur ishte një i ri i fuqishëm.”

Filozofia që mungon: heshtja e ndërgjegjes

Këta burra nuk i afrohen varrit me pendesë, por me furi.

Nuk lënë amanet, por raketa.

Nuk flasin me Zotin, por me gjeneralët.

Heidegger thoshte se njeriu duhet të jetojë me vetëdijen e vdekjes për të qenë autentik – por këta burra e përçmojnë vdekjen dhe e bëjnë atë armën e tyre më të madhe.

Dështimi i epokës sonë arsimore

Shkollat moderne krijojnë teknokratë, por jo njerëz të mençur.

Na mësojnë si t’i qeverisim turmat, por jo si ta sundojmë vetveten.

Na edukojnë për konkurrencë, por jo për urtësi.

Lexo më shumë  “Vritni agresorët rusë, fitoni pikë”, ukrainasit po prezantojnë një model të ri lufte

Konfuci thoshte: “Njeriu i madh rregullon veten para se të rregullojë botën.”

Ne, përkundrazi, lejojmë që pleqtë e marrosur të kenë çelësin e bombës bërthamore.

Politika si tragjedi: ndërmjet Apokalipsit dhe teatrit

Si në tragjeditë greke, kur heroi tejkalonte kufijtë dhe ftonte Zotin në duel, kështu janë këta liderë: Promete të çmendur që vjedhin zjarrin jo për ta ndriçuar botën, por për ta djegur atë.

Kush do t’i ndalë?

Pyetja që rri pezull është e tmerrshme: A s’ka askush që mund t’i ndalë?

Demokracia botërore s’mund të ndalojë një plak me kode atomike.

Sistemi ndërkombëtar është një perde e hollë pas së cilës fshihet kaosi.

Siç thotë populli: “Kur plaku s’ka më mend, s’e ndihmon më as litari.”

Fund si paralajmërim: nata para mëngjesit të fundit

Këta burra nuk po vdesin si të mençur, por si të rrezikshëm për njerëzimin.

Ata nuk po lënë trashëgimi shpirtërore, por varreza masive.

Seneka na kujtonte: “Jeta është mjaftueshëm e gjatë për ata që dinë ta jetojnë.”

Por për ata që jetuan me pushtet dhe vdesin pa pendesë – vdekja nuk është fundi. Është fillimi i një gjykimi hyjnor që s’mbaron kurrë.

YouTube player