Hekuran Murati demanton Adriatik Kelmendin: “Shpifje në emër të gazetarisë, marrëveshja me BB është bllokuar nga opozita që prej vitit të kaluar”
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj një postimi të gazetarit Adriatik Kelmendi, i cili pretendonte se qeveria e Kosovës po vendos interesat personale mbi ato shtetërore, duke aluduar se emërimi i Albulena Haxhiut si kryeparlamentare ishte kusht për të mos humbur 90 milionë euro nga Banka Botërore.
Në një reagim publik, Murati i ka quajtur “shpifje” dhe “rrena” këto pretendime, duke sqaruar se marrëveshja me Bankën Botërore është nënshkruar që në maj të vitit 2024 dhe ka qenë e bllokuar për ratifikim nga opozita në Kuvend, në një kohë kur çështja e konstituimit të tij nuk ekzistonte fare.
“Marrëveshja me Bankën Botërore po e pret ratifikimin në Kuvend që nga maji 2024, kur çështja e konstituimit të Kuvendit nuk ka ekzistuar fare”, shkruan Murati. “Kjo vetëm sa e dëshmon që bllokada e opozitës nuk është veç tash, por ka tashmë disa vite, dhe nuk po bëhet bllokadë kundër Lëvizjes Vetëvendosje, por po i bëhet bllokadë shtetit.”
Ministri shton se fajtorë për humbjen potenciale të fondeve janë deputetët e opozitës, të cilët nuk e kanë votuar marrëveshjen gjatë legjislaturës së kaluar. Ai akuzon gazetarin Kelmendi për njëanshmëri dhe mungesë të së vërtetës në raportim:
“Çka i pengoi para një viti deputetët e opozitës që t’a votojnë këtë marrëveshje e t’i shpëtojnë nga humbja këto 90 milionë euro? Pse asnjëherë një rresht nuk e shkrove kur kjo marrëveshje nuk po votohej në legjislaturën e kaluar? Apo kritikën, e madje edhe shpifjet i ke të rezervuara vetëm për Qeverinë Kurti?”
Postimi i Muratit vjen si kundërpërgjigje ndaj një deklarate publike të Adriatik Kelmendit në rrjetet sociale, ku ai ironizonte me faktin se ministri paska deklaruar që “ose Albulena Haxhiu bëhet kryeparlamentare, ose Kosova humb 90 milionë euro”. Kelmendi e interpretoi këtë si një pranim që interesat personale po i kushtojnë Kosovës miliona euro.

Murati e përmbyll reagimin e tij duke e konsideruar këtë si një shembull të keqpërdorimit të fjalës së lirë për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të sulmuar në mënyrë të padrejtë qeverinë aktuale.
Rruga Press