EditorialKryesore

Kur Eqerem Vlora fliste për “Zajednicën” me emrin Vorio-Epiri grek

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe. Në diskursin publik kjo mori emrin “Zajednica”, që në gjuhën serbe do të thotë asociacion apo bashkësi, kjo për të theksuar se ky entitet nuk ka si të emërtohet ndryshe veç se sipas interesave që ai mbron, interesat politike dhe territoriale ekspansioniste të shtetit serb në Kosovë.

“Zajednica” serbe parashikonte që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Veriu i Mitrovicës, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni kishte për qëllim të përfaqësojë interesat e atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë, duke theksuar se interesat e këtyre komunave të drejtuara prej përfaqësueve serbë vendosen dhe lëshohen në formë instruksioni nga Beogradi zyrtar.

Asociacioni do të kishte qasje të plotë në fushat e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtronte edhe përgjegjësi të tjera shtesë.

Më 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni, marrëveshje e cila ende nuk është jetësuar, përkundër insistimit të Beogradit zyrtar.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Kur ishte në opozitë, partia e kryeministrit Kurti, Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar protesta dhe kishte bllokuar punën e kuvendit, për shkak të kundërshtive ndaj Marrëveshjes së Asociacionit dhe asaj për Demarkacionin me Malin e Zi.

Prej vitit 2015 deri më 2018, opozita e atëhershme, kishte hedhur gaz lotjsjellës në ambientet e kuvendit, me qëllim që të parandalonte ratifikimin e këtyre dy marrëveshjeve. Megjithatë, më 21 mars të vitit 2018, deputetët kishin ratifikuar Demarkacionin.

Lexo më shumë  Ky është gjakovari që u arrestua dje nga policia serbe, prokuroria e Serbisë ia sajon brenda dite një akuzë për kinse krime lufte si pjestar i UÇK-së

Pas dështimit të Zajednicës si nga jashtë Kosovës dhe brenda saj erdhën shumë modulime të saj, si ajo më evidentja, ideja e ndarjes territoriale të Kosovës që u idejua nga Vuçiqi, u promovua nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Nga ana tjetër, administrata e Donald Trumpit, me të dërguarin special Richard Grenell, ishte shumë agresive në drejtim të realizimit të këtij synimi të shtetit serb. Nga futja e një entiteti artificial serb brenda Kosovës që do e rrënonte dhe ndante Kosovën në një të ardhme të afërt, u kalua te ndarja e saj duke tejkaluar fazën e Zajednicës.

Me rezistencë politike nga brenda dhe trysni nga Gjermania, edhe ky projekt për copëtim të Kosovës dështoi, por hijet e këtyre projekteve vazhdojnë dhe marrin forma të reja edhe në këto ditë.

Forma të tilla të gërryerjes së sovranitetit të shteteve shqiptare dhe futjes së entiteteve separatiste kanceroze brenda këtyre territoreve janë shumë të vjetra.

Një të tillë e risjell në vëmendje profesori Elvis Hoxha, i cili na paraqet një faqe nga Kujtimet e Eqerem Vlorës, ku në vend të Zajednicës serbe kemi Vorio-Epirin grek. Ndryshojnë vetëm datat, emrat e armiqëve të sovranitetit shqiptar dhe emrat e projekteve, por jo thelbi i këtyre projekteve.

Ja çfarë shkruan Elvis Hoxha:

Faqja 374 nga Kujtimet e Eqrem Vlorës.

Vihen re dy fakte që ngjajnë me çastin e tanishëm, pikërisht kur Grenelli pas festiviteteve të tij në Beograd, vrapon nëpër Tiranë:

1. Koordinimi i armiqve të pavarësisë së shqiptarëve; edhe pse u përkasin lobeve dhe interesave të ndryshëm, këta i bashkon qëllimi për më dëmtu shqiptarët.

2. Për ta mbajtur të gjallë në çdo kohë mundësinë e një luftë, atyre u duhet një territor i ndarë autonom brenda tërësisë territoriale shtetërore shqiptare, qoftë Vorio-Epir apo Zajednicë; dhe si Zografi i atëhershëm, shqiptar i Zagorisë, gjetën edhe për Kosovën mercenarë shërbëtorë që në emër të shqiptarëve u bënë premtime për territor.

Suksesi i armiqve të huaj të shqiptarëve vjen nga fakti se të huajt kanë monedhë, ndërsa mes shqiptarëve ka plot me zellin të shiten.

Se çfarë shprehet Eqerem Vlora në faqen 374 të librit të tij Kujtimet e lexoni si më poshtë:

Lexo më shumë  Skandaloze/ Gjykata në Beograd pa asnjë fakt i cakton 30 ditë paraburgim qytetarit nga Gjakova që u arrestua para dy ditësh në Serbi

…U pa qartë që të gjithë kundërshtarët e pavarësisë shqiptare (rastësisht apo të parapërgatitur) vepronin në harmonizim të plotë.

Në mes të prillit trupat greke u larguan nga Korça, xhandarmëria shqiptare mori qytetin nën kontroll, dhe zoti Pandeli Vangjeli u caktua prefekt i saj. Trupat e huaja u larguan edhe nga fshatrat midis Pogradecit dhe Tepelenës. Por në fund të prillit, kur trupat greke u tërhoqën edhe nga Gjirokastra, një grup propagandistësh grekë krijoi “qeverinë autonome të Vorioepirit” nën drejtimin e zotit Zografos dhe filloi të përndjekë me egërsi popullsinë shqiptare myslimane.

Qeveria shqiptare u detyrua, që për të fituar kohë, të pranojë të hyjë në bisedime me këtë “qeveri autonome Vorioepirote”. Ajo ngarkoi kolonelin hollandez të xhandarmërisë, Tomson, të përpiqet të vendosë kontaktet e para në Korfuz me zotin Zografos. Ishte e qartë që kjo lëvizje në Epirin e Veriut ishte një rebelim i kurdisur nga Greqia çka dukej që me kërkesat e tij: 1. krijimi i një krahine autonome “vorioepirote” në përbërjen e shtetit shqiptar. 2. autonomi të plotë vetëqeverisjeje dhe caktimin e lirë të nëpunësve, duke ruajtur vetëm gllabërimin, në çastin e volitshëm, të kësaj krahine nga Greqia.

Kolonel Tomsoni u kthye punëpabitisur në Durrës.

Nërkaq gjendja në Shqipëri u përkeqësua shumë. Për këtë arsye qeveria iu lut Komisionit të Kontrollit të ndihmonte në këtë çështje dhe me ndërmjetësinë e tij u arrit një marrëveshje me zotin Zografos, sipas së cilës, Epiri i Veriut do të mbetej pjesë e shtetit shqiptar, me kusht që popullsia e krishterë ( pra edhe të 160 mijë shqiptarët ortodoksë) do të gëzonte të drejta të veçanta në krahasim me myslimanët. Një kërkesë krejt qesharake…

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *