Sport

Kuqezinjtë në fushën e blertë, nisin përgatitjet finale për ndeshjen me Italinë

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll është kthyer në fushën e blertë dhe ka nisur përgatitjet finale për ndeshjen e parë në “Euro 2024”. 

Të shtunën kuqezinjtë udhëtuan nga Austria për në Gjermani dhe u vendosën në kompleksin sportiv në Kaiserau. Pritja për lojtarët e Shqipërisë ishte shumë e mirë. Qindra shqiptarë dolën në aeroport dhe në afërsi të kompleksit ku është vendosur Kombëtarja e Shqipërisë. Fëmijët kanë mbajtur në duar flamuj shqiptarë, ndërsa pritja që u është bërë është vlerësuar nga lojtarët dhe drejtuesit e Shqipërisë. 

E diela ishte ditë pushimi sa u takon stërvitjeve, ndërsa të hënën Kombëtarja i kishte dy stërvitjet e para në Kaiserau.

Ndeshjen e parë në “Gjermania 2024”, Shqipëria e luan të shtunën prej orës 21:00 në Dortmund. Përballë do ta ketë kampionen në fuqi të Evropës, Italinë.

Lexo më shumë  Zvicra e nis me fitore ndaj Hungarisë – Xhaka luan gjithë ndeshjen, Shaqiri nuk inkuadrohet

Sipas raportimeve, të gjithë lojtarët e Shqipërisë janë të gatshëm.  Portieri Etrit Berisha ka dhembje në shpinë, por pritet të jetë gati për takimin ndaj Italisë.

Njëri prej lojtarëve më me përvojë të Shqipërisë, mbrojtësi i krahut të djathtë, Elseid Hysaj, vlerëson përgatitjet e bëra dhe atmosferën në ekip.

“Kemi punuar shumë fizikisht. Nuk ishim në 100-përqindëshin tonë në dy miqësoret. Por treguam se jemi në formë të mirë dhe po stërvitemi edhe më shumë që të jemi gati për ndeshjen me Italinë. Po punojmë që të jemi sa më kompakt dhe të mos lëmë shumë hapësira për kundërshtarët”, ka thënë Hysaj të hënën në konferencë për shtyp.

Ai ka theksuar se Shqipëria mund të jetë prej befasive të Evropianit, ndonëse e di që grupi është shumë i fortë. Kroacia e Spanja janë dy rivalet tjera të Shqipërisë në grup.

Lexo më shumë  Hungari – Zvicër, formacionet zyrtare: Shaqiri nuk starton

“Italia është përfaqësuese shumë e fortë, ka individë të fortë. I njoh pasi kam luajtur ndaj tyre, një pjesë i kam edhe shokë skuadre. Ndeshjen duhet ta marrim seriozisht, sepse Italia nuk është ashtu si duket në miqësore”, ka shtuar futbollisti i Lazios.

Sipas Hysajt, Shqipëria mund ta kalojë grupin. Ai thotë se lojtarët duhet të jenë të qetë dhe të japin maksimumin. Edhe Hysajt i pëlqen roli i autsajderit.

“Ndihem më mirë kur më thonë që ne nuk jemi favoritë. Na motivon, është gjë e bukur. Presioni kalon tek ata. Ne i dimë vlerat tona, mund të arrijmë diçka, mund të fitojmë edhe ndaj skuadrave të forta. Futbollit nuk i dihet kurrë”, ka thënë Hysaj.

Shqipëria është Kombëtarja e parë e vendosur në Gjermani për “Euro 2024”

YouTube player