Lajme

Kryetari i Prishtinës me veturë të re rreth 37 mijë euro

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nga e premtja ka nisur që t’i kryejë punët e Komunës me një veturë të re.

Vetura e tipit “Shkoda Superb”, me 2000 kubikë, ka marrë targat zyrtare dhe do të jetë në shërbim të kryetarit.

Në buxhetin e këtij viti, për të ishin ndarë 46 mijë euro derisa me kontratën e nënshkruar, ajo ka kushtuar 36 mijë e 800 euro.

Se që tani do të udhëtojë me veturë tjetër, ka konfirmuar edhe vetë Rama.

“Shumë fantastike”, tha Rama.

Përfaqësuesit e opozitës në Prishtinë e quajtën blerjen e veturës si të panevojshme në këtë fazë, teksa theksuan se kryeqyteti ka probleme më të mëdha se sa rritja e luksit personal për kryetarin.

Lexo më shumë  Kongresistët Self dhe Subramanyam të martën vizitojnë Luginën dhe Kosovën

“Një veturë mund të jetë nevojë për një kryetar komune, por jo domosdoshmërish të jetë e shtrenjtë”, tha Sami Boroci, Këshilltar komunal i AKR-së.

Nga INPO thanë se Komuna ka shkurtuar afatet e ofertave për veturë, në atë që bie në kundërshtim me ligjin.

“INPO ka gjetur se Komuna e Prishtinës ka shkurtuar afatet për pranimin e ofertave, me arsye të pabazuara në ligj për të mos thënë edhe për arsye krejtësisht të paqëndrueshme, përkatësisht në kundërshtim me ligjin, duke ndikuar kështu që të vështirësohet pjesëmarrja e të gjithë operatorëve ekonomikë, për shkak të kohës së shkurtër për përgatitje të kërkesave të dosjes së tenderit. Pra, nga 20 ditë sa e parasheh Ligji i Prokurimit, është shkurtuar në 12 ditë apo në vetëm 7 ditë pune. Vlen të theksohet se ky tender është paraparë me Planifikimin Përfundimtar të Prokurimit për vitin 2023 me 52.110 euro, por që me buxhet nuk i ka pasur kaq shumë para, e cila lë të nënkuptohet se Komuna planifikon më shumë sesa që ka”, tha Valmir Ilazi, përfaqësues i INPO-s.

Lexo më shumë  Investimet publike në Shqipëri në nivelin më të ulët të dekadës, pavarësisht buxhetit rekord për 2026

Udhëheqësit e Prishtinës vazhdimisht kanë qenë lajm për sa u përket veturave.

Isa Mustafa, si kryetar i Komune, pati blerë një veturë të tipit “Audi Q7”, me vlerë prej mbi 70 mijë euro.

Rruga Press

YouTube player