Kryetarët e rinj të partive të vjetra
Nga Elvis Hoxha
Do të ishte mirë që opozita në Kosovë të ndryshonte sjellje, por jo. Analistët e medieve na thonë shpesh se opozita ka ndryshuar. Janë vënë në krye njerëz të rinj. Por këta të rinj janë në fakt tashmë të vjetër. Kryetarë të rinj të rritur në parti të vjetëruara. Ata kanë qenë aty kur është nënshkruar cënimi i Republikës. Falë pjesëmarrjes së tyre të bindur kanë bërë karrierën.
Mund të ndryshohet kryetari, por jo besnikëria ndaj ish-kryetarit. Kryetari i ri ka qenë pranë kryetarit të vjetër përherë. E ka trashëguar postin falë besnikërisë.
Partitë e vjetëruara do të bëjnë çmos të kapen pas tradhtive të tyre të vjetra. E vjetra shkon pashmangshmërisht drejt vjetërimit të mëtejshëm. Kryetarët e rinj do ta ndihmojnë plakjen e familjeve të tyre partiake. Këta nuk janë të rinjtë që e lënë plakun në shenjtninë e tij. Këta janë të rinj që jetojnë falë plakut. Ata e dinë se nuk iu mbetet asgjë për të thënë nëse nuk përsërisin tezat e Isës dhe Hashës. Aq më tepër që tezat e këtyre të fundit janë grumbuj frazash pa kuptim. Nëse dikush është i aftë të më tregojë një tezë të Isës, do ta përshendes.
Kryetarët e rinj u plakën pra sapo pranuan të drejtojnë parti të vjetëruara.
Rruga Press