Lajme

Kryeministri Kurti takohet me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë

Agresioni rus në Ukrainë dhe qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor ishin pjesë e diskutimeve në takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, i tha Zërit të Amerikës se gjatë takimit, zoti Sullivan falënderoi kryeministrin Kurti për gatishmërinë e Kosovës për të pritur refugjatët afganë.

“Ata shkëmbyen pikëpamje mbi agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, përfshirë ofrimin e ndihmës humanitare nga Kosova për popullin e Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë”, tha ajo duke nënvizuar se gjatë u diskutua edhe për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor.

Lexo më shumë  Kurti: Lirohen katër policët e mbajtur peng në Serbi, Jankoviq ende jo

Këshilltari Sullivan, tha ajo, shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet thelbësore të pazgjidhura.

Zoti Sullivan, thuhet më tej, mirëpriti planet e Kosovës për të kaluar nga varësia e saj nga qymyri linjit në energji më të pastër dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Ndërkaq qeveria e Kosovës tha në një njoftim se kryeministri Kurti e falënderoi zotin Sullivan për kontributin dhe mbështetjen amerikane për Kosovën dhe për paqen e qëndrueshme, qëndrueshmërinë afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

Lexo më shumë  Eurodeputetja holandeze reagon pas ndalimit të shtetasve të Kosovës në Serbi

Kryeministri Kurti, thuhet në njoftim, tha se Kosova “është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me SHBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO”.

Kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se dialogu me Serbinë duhet të jetë “parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *