Lajme

Kosova nga tani përfituese e programit të BE-së “Tregu i Përbashkët”, me vlerë 4.2 miliardë euro

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe drejtorja e përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (DG GROË), Kerstin Jorna, në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen e Republikës së Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.

Përmes një njoftimi për media thuhet se pjesëmarrja në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët” për Kosovën është një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian.

“Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetës që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Sot nis verifikimi i​ votave me postë të mërgatës së Kosovës

Kjo do të thotë se bizneset dhe organizatat e Kosovës mund të ndërveprojnë me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve jo anëtare, që janë pjesëmarrëse të pjesshme ose të plota në këtë program.

“Programi “Tregu i Përbashkët” do të mbështesë sektorët e sipërpërmendur me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, e që nga tani bizneset dhe organizatat vendore mund të përfitojnë nga ky program”, thuhet tutje në njoftim.

Lexo më shumë  Kurti takohet me kancelarin austriak Christian Stocker, në fokus bashkëpunimi dhe integrimi evropian

Në lidhje me mënyrën e aplikimit dhe përfitimit nga ky program bizneset dhe organizatat vendore do të njoftohen me kohë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në mënyrë që ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mundësi shumë domethënëse për zhvillimin e përgjithshëm dhe transformimin ekonomik të vendit tonë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *