Lajme

Kosova merr fjalën për herë të parë në KiE. Bogujevci flet si e mbijetuar e luftës, për luftën në Ukrainë

Në Asamblenë e Këshillit të Evropës, e mbijetuara e luftës së Kosovës, Saranda Bogujevci, deklaroi të martën se Kosova qëndron me Ukrainën dhe popullin ukrainas përball agresionit rus.

Duke iu drejtuar deputetëve ukrainas, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e VV-së, tha se populli i Ukrainës është në mendjen, zemrën dhe në lutjet e kosovarëve.

Ky është adresimi i parë i një deputeti kosovar në këtë institucion ku synon të anëtarësohet.

“Tani, duke qenë se kjo është hera ime e parë që i drejtohem seancës plenare, do të doja t’u them kolegëve të mi ukrainas dhe gjithashtu popullit të Ukrainës se mendimet, zemrat tona dhe lutjet tona janë me ju. Ne e dimë shumë mirë se çfarë po kaloni. Unë vetë jam e mbijetuar e një masakre gjatë luftës në Kosovë. Do të jemi gjithmonë me ju në këtë luftë. Shpresojmë që së shpejti kjo luftë e tmerrshme të marrë fund dhe drejtësia të triumfojë. Lavdi Ukrainës”, deklaroi ajo.

Lexo më shumë  Blinken: Planet e Putinit kanë dështuar

Sipas Bogujevcit, duhet qenë të guximshëm dhe të vendosur për të marrë vendime që do të kenë ndikim pozitiv në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Ajo shtoi se Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor janë pjesë e Evropës, e sipas saj, nuk mund të ketë të ardhme tjetër pos të qenit “anëtarë të familjes së Bashkimit Evropian”.

Për fjalën e Kosovës në Këshill të Evropës, ka shkruar në Facebook, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“11 tetor 2022, Kosova e fitoi të drejtën e fjalës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Për herë të parë u dëgjua zëri i Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu.

Lexo më shumë  Gërvalla në Bruksel: Kosova lidere në Ballkan në luftimin e korrupsionit

Në majin e këtij viti, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Zyrtarët e Qeverisë janë shprehur optimistë që nisma e Kosovës do të marrë përkrahje.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *