KryesoreOpinion/Aktualitet

Kosova: Drejt zhvillimit më të lartë, më të gjelbër e më të qëndrueshëm

Nga Gabriel Di Bella

Javën që shkoi, më 15 nëntor, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi rishikimet e para të marrëveshjeve dyvjeçare të Kosovës, asaj Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF). Gjatë realizimit të këtyre rishikimeve, menaxhmenti i FMN-së nënvizoi rritjen e qëndrueshme të Kosovës përkundër vështirësive globale dhe rajonale, si dhe trendit të rënies së konsiderueshme të inflacionit. Gjithashtu menaxhmenti i FMN-së lavdëroi performancën shumë të mirë në të dy programet. Ndonëse ky aprovim ofroi në dispozicion rreth 24.8 milionë euro në kuadër të SBA-së dhe rreth 38.4 milionë euro në kuadër të Marrëveshjes RSF, këto dy programe ofrojnë shumë më shumë se vetëm mbështetje financiare.

Marrëveshja SBA është rrjet sigurie që ndihmon në zbutjen e rreziqeve eventuale nga goditjet, si për shembull, ngritjes së çmimeve të mallrave ose ndryshimeve në disponueshmërinë e financimit. Meqenëse programi i Kosovës është me financim të plotë dhe Kosova ka rezerva të konsiderueshme fiskale, marrëveshja SBA trajtohet si e kujdesit paraprak, që do të thotë se financimi i ofruar nuk do të përdoret nëse nuk materializohen rreziqet. Megjithatë, disponueshmëria e rrjetit të sigurisë që mundëson SBA-ja kontribuon në stabilizimin e pritshmërive ekonomike, në zvogëlimin e pasigurisë dhe zbutjen e rënieve të mundshme. Është shtyllë kyç që mbështet përpjekjet e autoriteteve për të siguruar stabilitet makroekonomik dhe është katalizator për avancimin e politikave dhe për rritje ekonomike.

Theksi që SBA-ja i vë disiplinës makrofiskale dhe reformave të qeverisjes – duke përfshirë fuqizimin e administrimit tatimor, uljen e informalitetit, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike – është jetik për ankorimin e politikës fiskale të Kosovës. Mbështetja nga SBA-ja për politikat fiskale të Kosovës të bazuara në rregulla fiskale, ka bërë të mundur që politika fiskale të arrijë një bilanc mes ofrimit të mbështetjes fiskale dhe menaxhimit të presioneve të inflacionit. Gjithashtu ajo ka kontribuuar në përpjekjet e Qeverisë për t’i shpërndarë në mënyrë efikase dhe efektive shpenzimet publike dhe për t’i balancuar nevojat sociale me transformimin ekonomik. Tutje, borxhi ende i ulët publik i Kosovës ofron hapësirë për të forcuar infrastrukturën e saj ekonomike dhe sociale, që është kritike për ndërtimin e kapitali njerëzor dhe fizik të nevojshëm për rritje të qëndrueshme. Për të përfituar nga kjo hapësirë, marrëveshja SBA është duke mbështetur përpjekjet e autoriteteve në përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike.

Lexo më shumë  Taravari-Peter Vanhoutte: Rruga evropiane e RMV-së do të jetë në duar të sigurta

Programi i autoriteteve i mbështetur nga SBA-ja fuqizon edhe qeverisjen e sektorit financiar të Kosovës. Përkundër qëndrueshmërisë së përgjithshme të sektorit financiar, rreziqet globale kërkojnë monitorim të vëmendshëm të rrezikut të kreditimit dhe përmirësime rregullative. Ligji i ri për bankat, i cili është në përgatitje e sipër, do të forcojë kontrollin dhe mbikëqyrjen e bankave, hapa këta në drejtim të duhur. Angazhimi i udhëheqjes së re të Bankës Qendrore të Kosovës për t’i qartësuar rolet dhe përgjegjësitë e dy bordeve të saj do të forcojë performancën e BQK-së.

Ambiciet energjetike dhe klimatike të Kosovës janë të guximshme dhe realiste. Marrëveshja e RSF e Kosovës është e para e këtij lloji në Evropë. Strategjia e Kosovës për Energji, e mbështetur nga RSF-ja, nuk ka të bëjë vetëm me shkëmbimin e qymyrit me burime të ripërtëritshme. Është një qasje gjithëpërfshirëse ndaj energjisë dhe ndryshimeve klimatike që përfshin reduktimin e emetimeve, trajtimin e ndotjes, garantimin e sigurisë së energjisë dhe mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm.

Projektligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, i miratuar së fundi nga Qeveria, është “revolucionar”, meqë përgatit terrenin për investime private në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë elektrike, që është shfaqje e guximshme e zotimit të Kosovës për angazhimin mjedisor. Miratimi i këtij ligji nga Kuvendi i Kosovës do të ndihmojë në përmbushjen e objektivit për rritjen e pjesës së energjisë së ripërtëritshme në 35 për qind deri më 2031, përmes ankandeve konkurruese, të hapur dhe transparentë. Ankandi pilot për 100 MW të kapacitetit me bazë diellore, i lansuar më herët më 2023 dhe tenderi i ardhshëm (në mes të vitit 2024) për kapacitet prej 150 MW të bazuar në erë janë hapat e parë në këtë drejtim dhe janë sinjal i zotimit serioz për një të ardhme të qëndrueshme.

Lexo më shumë  “E pashë një person të maskuar me armë në dorë” – policia jep detaje nga tentim vrasja ndaj Marko Jablanoviqit

Strategjia e Kosovës për Energji nuk është vetëm “energji e gjelbër”, por është qëndrueshmëri ekonomike. Duke përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe funksionimin e tregut, Kosova është duke punuar drejt një tregu më konkurrues të energjisë elektrike, duke tërhequr investime private dhe duke forcuar sigurinë e furnizimit. Mbrojtja dhe fuqizimi i konsumatorëve, veçanërisht përmes tarifave të drejta dhe fushatave të ndërgjegjësimit për energjinë, janë komponentë thelbësorë të kësaj. Rritja e efikasitetit të energjisë në shtëpi dhe ndërtesa do të zvogëlojë pjesëmarrjen e përgjithshme të karbonit në energji. Instalimi i filtrave në “Kosovën B” do të kontribuojë drejt një cilësie më të lartë të ajrit dhe shëndetit më të mirë.

Si përfundim, qasja strategjike e Kosovës, e mbështetur nga SBA-ja dhe RSF-ja me FMN-në, pasqyron një zotim të thellë për reforma dhe politika të shëndosha. Fokusi i Kosovës në rritjen e qëndrueshme, efiçiencën e energjisë dhe maturinë fiskale përforcon rrugëtimin e saj drejt zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm. Ky rrugëtim kërkon përkushtim të vazhdueshëm për politika dhe reforma të shëndosha, veçanërisht karshi rrethanave sfiduese globale. FMN-ja është partner i afërt dhe i përkushtuar në këtë rrugëtim.

(Gabriel di Bella ishte shef i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën që nga viti 2019)

Rruga Press

YouTube player