Bota

Kosova do të bëhet pjesë e programit në vlerë 7 miliardë euro, Evropa Digjitale

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka nënshkruar marrëveshjen kornizë të Programit të Evropës Digjitale, ndërsa nga ana e Komisioni Evropian kjo marrëveshje u nënshkrua nga Roberto Viola, komisionar për Komunikim, Rrjete, Përmbajtje dhe Teknologji. 

Marrëveshja kornizë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës ia mundëson kësaj të fundit pjesëmarrjen në Programin e BE-së “Evropa Digjitale”, i cili financohet nga BE me qëllim që të bëhet i mundur transformimi digjital, rritja e përdorimit të teknologjive digjitale për bizneset dhe qytetarët me çka do të ketë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Lexo më shumë  Vulini: Kush mendon keq për Putinin, mendon keq edhe për Vuçiqin

Përmes pjesëmarrjes së Kosovës në këtë program do të forcohet dhe zhvillohet më tej bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendit tonë. Po ashtu, zbatimi kësaj marrëveshje do të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës, pas miratimit në Qeveri dhe Kuvend të Kosovës.

Bizneset, administrata publike si dhe OJQ-të nga vendet nënshkruese të kësaj marrëveshje do të kenë mundësi të aplikojnë në projekte që ndërlidhen me fusha specifike si inteligjenca artificiale dhe aftësi të avancuara digjitale.

Programi synon rritjen e qasjes në digjitalizim te qytetarët, bizneset dhe institucionet, dhe përmes granteve strategjike të avancojë katër fusha: resurset kompjuterike me performancë të lartë, inteligjenca artificiale (IA), shkathtësitë e avancuara digjitale, si dhe përshpejtimi dhe shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve digjitale dhe ndërveprueshmëria. 

Ky program synon t’i afrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor me ekonominë e shoqërinë e BE-së, për të mbështetur digjitalizimin në përgjithësi, veçanërisht të bizneseve të vogla dhe të mesme, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë së Ekonomisë.

Rruga Press

YouTube player