Konsulata në Bujanoc ka shumë punë e mendim për të përhapur mes shqiptarëve atje. Njëjtë konsulata serbe në Shkodër mes shqiptarëve në Shqipëri
Nga Hysamedin Feraj
Konsulatat kanë detyrë të dërgojnë mendimin e qeverisë së vet në vendin pritës. Kështu, shqiptarët e Luginës do të mësojnë shumë nga mendimi i qeverisë së Shqipërisë.
■ Mes tjerash, do të mësojnë se,
– Përdorimi kudo i gjuhës shqipe, siç tha Begaj, është mirë për ta, gjë që nuk e dinin!
– Siç thoshte kryeministri Rama, Ballkani i hapur është në të mirën e tyre, gjë që ata nuk e dinin. Po ta dinin, Shaip Kamberi nuk do të mendonte se Minishengeni shqiptarët “i bën më të brishtë dhe po krijon hapësira që lojtarët e tjerë ta marrin primatin”, duke aluduar për Rusinë (Koha Jonë, 28.12.2019).
– Do të mësojnë se formalisht Serbia është trashëgimtarja e Jugosllavisë, se Jugosllavia ka qenë “planet i lirisë”, madje “në disa mënyra më mirë sesa BE” (Shqiptarja, 7.12.2022). Por shqiptarët atje nuk e dinin dhe prandaj në “planetin e lirisë” bënë burg (jo pak por rreth 666 shekuj).
– Gjatë edukimit në rini, për kryeministrin e Shqipërisë, televizioni jugosllav “ishte dritarja e vetme në botë” (BalkanWeb, 11.6.2021). Por shqiptarët atje dinin se nga ajo dritare shiheshin si “rrezik për Jugosllavinë”. Ngjashëm, tani Rama i shikon shqiptarët si rrezik edhe për Shqipërinë (Panorama, 01.08.2026).
– Vuçiqi është mik i kryeministrit të Shqipërisë, siç e pohon ky në në një mesazh intim drejtuar Sinisha Mihajlloviqit (Panorama sport, 23.11.2020). Për rrjedhojë ashtu duhet ta shohin edhe shqiptarët atje, pra siç e mendon i pari i qeverisë së Shqipërisë, përndryshe konsulata në Bujanoc nuk e ka kryer punën.
■ Gjithnjë duke e parë nga ajo dritare, shqiptarët e Luginës do të mësojnë se,
– Veriu i Kosovës është tokë e diskutueshme, tokë e askujt, por jo edhe Jugu i Serbisë (BalkanWeb, 16.10. 2023) që mbetet i padiskutueshëm.
– Kosova duhet të përmbushë në mënyrë unilaterale të gjitha detyrimet ndaj Serbisë, pa i kushtuar rëndësi çka bën Serbia (BalkanWeb, 25. 09. 2025).
– Superfuqitë duhet t’i kidnapojë, më saktë “t’i kapin për veshi” Kurtin dhe Vuçiqin”, t’i mbyllin e mos t’i lirojnë deri sa të merren vesh (Bota Sot, 1.3.2023).
Meqë ra fjala: qeveria Rama e ka qejf kapjen për veshi. Këto ditë ministri i kulturës, Blendi Gonxhe, kërcënoi protestuesen se policia “do të të kapë për veshësh”. Por, ndryshe nga kryeministri, shtoi edhe se do të të kapë “për leckash, do të të fus në furgon, dhe…” (TemaA, 30.07.2026).
Nejse, lista është shumë e gjatë. Konsulata në Bujanoc ka shumë punë e mendim për të përhapur mes shqiptarëve atje. Njëjtë konsulata serbe në Shkodër mes shqiptarëve në Shqipëri.
Rruga Press

