KryesoreLajme

Konjufca takon homologen bullgare në Sofje dhe mban fjalim në takimin ministror të SEECP: Hekurudha Prishtinë–Durrës është projekt strategjik për lidhshmërinë e vendit tonë dhe të rajonit me BE-në

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në takimin ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i mbajtur në Sofje të Bullgarisë, në kuadër të shënimit të 30-vjetorit të këtij formati rajonal.

Gjatë adresimit të tij, Konjufca theksoi se Evropa Juglindore ka shënuar përparim të rëndësishëm gjatë tri dekadave të fundit, por nënvizoi se zhvillimet aktuale gjeopolitike kërkojnë qartësi strategjike, përgjegjësi politike dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj paqes, stabilitetit dhe orientimit evropian e euro-atlantik të rajonit.

“Integrimi evropian duhet të mbetet proces i besueshëm, i drejtë dhe i bazuar në merita, ku përparimi i Kosovës në demokraci, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, liri të medias dhe zhvillim ekonomik njihet dhe përkthehet në hapa konkretë në rrugën tonë evropiane”, deklaroi Konjufca.

Lexo më shumë  Kur kritika ndalet te Kushneri: Pse artikulli i Lea Ypit shmang përgjegjësinë politike të Ramës

Ai vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal që sjell përfitime konkrete për qytetarët përmes projekteve dhe marrëveshjeve të zbatueshme. Sipas tij, avancimi i hekurudhës Prishtinë–Durrës dhe përfshirja e saj në rrjetin evropian të transportit TEN-T përbën një projekt strategjik për lidhshmërinë e Kosovës dhe të rajonit me Bashkimin Evropian.

Ministri Konjufca theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve për njohjen e diplomave dhe lirinë e lëvizjes, si dhe avancimin e marrëveshjeve për të drejtat e sigurimeve sociale dhe lejet e punës.

“Këto janë hapa që e bëjnë bashkëpunimin më konkret, integrimin më të prekshëm dhe të ardhmen evropiane më të afërt për qytetarët tanë”, tha ai.

Gjatë qëndrimit në Sofje, Konjufca zhvilloi edhe një takim dypalësh me ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova. Në takim u diskutua për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të bazuar në merita, perspektivën euro-atlantike të Kosovës, si dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Lexo më shumë  Plenkoviq uron Kurtin: Kroacia e përkushtuar fuqishëm për të mbështetur Kosovën

Sipas Konjufcës, Bullgaria mbetet partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe mbështetëse e vlefshme e rrugës evropiane të vendit.

Ministri ritheksoi se Republika e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj për të siguruar që përparimi demokratik, orientimi evropian dhe kontributi për stabilitetin rajonal të përkthehen në hapa konkretë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Rruga Press

YouTube player