Konflikti me Rusinë/ Shqiptari nga Ukraina: Gati të luftojmë! Disa familje pranë zonës së “kuqe”, kemi trupa edhe në ushtri
“Nëse situata e kërkon, shqiptarët do të luftojnë”, kështu shprehet Aleksandër Dermentli, kryetar i shoqatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës” në një intervistë për Abcnews.al. Megjithatë ai shton se situata aktualisht është stabël në Ukrainë.
Prej më shumë se dy muajsh vëmendje është përqendruar tek një pushtimi i mundshëm i Ukrainës nga Rusia, që ka vendosur trupat ushtarakë në kufij. Pikërisht kjo zhvendosje e trupave ushtarake të Rusisë në Kufirin me Ukrainën ka sjellë tensione të mëdha mes dy shteteve ndërsa fuqitë e mëdha, po ndahet në përkrahës të Ukrainës dhe në ato që mbështesin ofensivën ruse. Ky konflikt prek edhe mijëra shqiptarë që jetojnë në Ukrainë. Përllogaritet që në Ukrainë të ketë rreth 5 mijë shqiptarë që kanë emigruar shumë vite më parë por edhe ata që kanë shkuar kohët e fundit. Shqiptarët duket se nuk kanë frikë nga ndonjë sulm i mundshëm rus.
Aleksandër Dermentli, kryetar i shoqatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës” është shprehur për Abcnews.al, se shqiptarët në Ukrainë janë të gatshëm t’i bashkohen luftimeve nëse situata e kërkon. I pyetur nga Abcnews.al, Aleksandër Dermentli shprehet se shumë pranë zonës së konfliktit ku edhe janë dislokuar mijëra ushtarë rus, ka prani të shqiptarëve. Ai pohon se janë përkatësisht 20 familje shqiptare që jetojnë në zonën e Donetskut.
Rusia prej vitesh ka aneksuar edhe Krimenë me anë të forcës ushtarake, ndërsa për Abcnews.al, shqiptari që jeton në Ukrainë, shpjegon se në Krime jetojnë shqiptarë dhe ende janë atje.
Për sa u përket ushtarakëve shqiptar në Ukrainë, Aleksandri shprehet se ka disa persona nga Shqipëria që bëjnë pjesë në ushtrinë e Ukrainës. Në fund ai ka dhënë një mesazh për të gjithë shqiptarët atje duke thënë se është e nevojshme të bashkohen dhe zgjidhja e vetme është uniteti.
Pjesë nga intervista:
Si po e kalojnë shqiptarët situatën e tensionuar në Ukrainë dhe kërcënimet që po vijnë nga Rusia? A ndjeheni të rrezikuar?
Aleksandër Dermentli – Në Ukrainë, situata është stabël dhe jo e tensionuar, nuk ka asnjë rrezik
Nga ajo që dini ju, sa shqiptarë afërsisht në Ukrainë dhe a ndodhen në zona pranë vijës së konfliktit me Rusinë?
Aleksandër Dermentli – Po, ka shqiptarë që jetojnë në zonën e konfliktit. Ky është territori i Donetskut, aty ka rreth 20 familje.
Në ushtrinë e Ukrainës, a ka shqiptarë, nëse po sa shqiptarë kë në ushtri?
Aleksandër Dermentli – Po, ka emrat e tyre – por është një sekret ushtarak.
A do luftonin shqiptarët vendas atje, krah Ukrainasve në rast të një pushtimi të mundshëm nga Rusia?
Aleksandër Dermentli – Nëse situata e kërkon, ata do të luftojnë.
A ka shqiptarë të largua nga Krime, pas aneksimit të Rusisë, apo kanë qëndruar atje në dijenin tuaj? Dhe gjatë konfliktit në Krime a ka pasur shqiptarë të lënduar?
Aleksandër Dermentli – Po, në Krime ka familje shqiptare, të cilat janë të shpërndara në të gjithë gadishullin.
Çfarë thirrje ke për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Ukrainë dhe që do të lexojnë këtë intervistë?
Aleksandër Dermentli – Është e nevojshme të bashkohemi, forca është në unitet.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë shtuar shqetësimin për vendosjen e trupave rus në kufi me Ukrainën. Ndërkohë, Rusia tha se po e ndjek “me shqetësim të madh” vendimin për të vënë trupat amerikane në gatishmëri të lartë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti para gazetarëve akuzat ruse se Shtetet e Bashkuara po përshkallëzojnë tensionet në krizën përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë, ku presidenti Putin ka vendosur rreth 127,000 trupa.
Kërkesa e Rusisë që Ukrainës t’i ndalohet anëtarësimi në NATO, është hedhur poshtë nga udhëheqësit perëndimor, të cilët thanë se nuk do t’i japin Moskës fuqinë e vetos mbi atë se kush i përket aleancës ushtarake prej 30 vendesh, e cila u themelua për t’iu kundërvënë agresionit sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore./abcnews.al
Rruga Press