Koncertet e Filharmonisë së New Yorkut me kuptim tjetër në kohë lufte
Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, Orkestra e Filharmonisë së New Yorkut udhëtoi jashtë vendit javën e kaluar. Ata do të luajnë tri koncerte në ishullin Usedom të Detit Baltik të Gjermanisë, në kuadër të Festivalit të Muzikës Usedom.
Yjet nga skena e muzikës klasike – pianisti kanadez Jan Lisiecki, violinistja gjermane Anne-Sophie Mutter dhe baritoni amerikan Thomas Hampson – i janë bashkuar në skenë Orkestrës së njohur.
Vendi i koncerteve është salla e turbinave të fabrikës “Peenemünde”, e cila u ndërtua në Usedom në vitin 1936. Gjatë sundimit nazist, “Peenemünde” ishte qendra më e madhe e armëve në Evropë, me mijëra punëtorë kryesisht të detyruar që punonin në armët e shkatërrimit në masë.
Historia e vendndodhjes dhe fakti që koncertet zhvillohen ndërsa lufta po shkatërron Ukrainën, e ngarkon ngjarjen me një tjetër kuptim.
“Është një moment veçanërisht i rëndësishëm me atë që po ndodh në Ukrainë”, ka thënë dirigjenti i Orkestrës, Jaap van Zweden. “Kjo është një kohë ku të gjithë ne ndiejmë se jemi duke u futur në një lloj pragu të lashtë lufte, një që e menduam të pamundur vetëm disa vjet më parë, ndoshta edhe disa muaj më parë. Kështu që, unë besoj se vizita jonë ka edhe më shumë kuptim tani”.
Anne-Sophie Mutter luajti “Anne-Sophien”, koncertin për violinë të Andre Previn kushtuar asaj. “Andreas iu desh të ikte nga persekutimi nazist me familjen hebraike në vitin 1938, duke lënë gjithçka pas në Gjermani”, ka thënë Mutter në një mesazh për Festivalin Usedom.
“Mendoj se do ta kishte bërë shumë të lumtur nëse do të mund të kishte dëgjuar koncertin e tij për violinë në ish-sallën e turbinave të termocentralit ‘Peenemünde’. Ai gjithashtu ishte i bindur, ashtu si unë, për fuqinë pajtuese të muzikës”, ka thënë ajo.
Orkestra e Filharmonisë së New Yorkut, e drejtuar nga Jaap van Zweden, është në Peenemünde për të festuar 20-vjetorin e serisë së koncerteve të Detit Baltik dhe shoqërohet nga muzikantë të orkestrës së Detit Baltik.
Përpara pandemisë orkestrat dhe yjet e muzikës klasike udhëtonin rregullisht nëpër botë. Dalja e Filharmonisë në Gjermani përfaqëson një rikthim të orkestrave amerikane në normalitetin e muzikës klasike.
Orkestrat evropiane prej disa muajsh po udhëtojnë sërish jashtë vendit. Sezonin e kaluar Filharmonia e Berlinit performoi në qytete, përfshirë Parisin, Aarhusin dhe Zagrebin. Një koncert i planifikuar në Odesa, Ukrainë, në fillim të majit, duhej të zhvendosej në Liepaja në Letoni për shkak të luftës.
Në shtator, festivali gjerman do të bashkojë muzikantë nga shtetet baltike: Gjermania, Polonia, Lituania, Letonia, Estonia, Suedia, Finlanda dhe Rusia.
Usedom është vetëm disa kilometra nga kufiri polak. Festivali ka krijuar Orkestrën e njohur Filharmonike të Detit Baltik me ansamblin e saj ndërkombëtar. /DW
Rruga Press