Lajme

Komuna e Podujevës synon që t’ua japë familjeve në nevojë drutë që nuk arriti t’i shesë

Komunarët e Podujevës po synojnë t’i japin për familjet në nevojë drutë që nuk i bleu askush gjatë vënies në ankand publik.

Janë 345 m3 masë drusore që janë prerë ilegalisht dhe janë konfiskuar nga pylltarët e Policia. Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Fatmir Rudari, ka thënë se meqenëse drutë janë duke qëndruar qe 2-3 vjet në një depo në fshatin Peran dhe nuk kanë arritur t’i shesin, kanë vendosur t’i japin për familjet në nevojë, pasi kanë filluar ta humbin edhe cilësinë.

“Kjo masë drusore është e konfiskuar nga Policia e Kosovës së bashku me Drejtorinë e Bujqësisë, e cila është prerë në mënyrë ilegale. Vlen të ceket që Drejtoria e Bujqësisë ka tentuar në katër raste që këtë masë drusore ta shesë përmes Zyrës së Prokurimit, por asnjëherë nuk ka pas të interesuar që ta marrin këtë masë drusore. Dhe ka qenë nevoja që kjo t’i paraqitet Kuvendit Komunal, pasi që kjo po e humb edhe cilësinë”, ka thënë Fatmir Rudari.

Lexo më shumë  Varfëria, Shqipëria ka koston më të lartë në Evropë për dietën ushqimore

Ky vendim është miratuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, por ende nuk ka filluar së zbatuari.

Zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia, ka thënë se janë në pritje të vlerësimit të ligjshmërisë së këtij vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe pastaj të fillojë zbatimi i tij.

Në vendimin e miratuar në Kuvend lejohet shpërndarja e druve të zjarrit familjeve me gjendje të rëndë ekonomike, shprehur në sasi prej 345m3.

“Masa e druve sipas nenit 1 të këtij vendimi është konfiskuar nga sektori përkatës i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në asistmin e Policisë së Kosovës, nga dëmtuesit e pyjeve dhe do t’iu shpërndahen nga 2m3 për familje”, thuhet në nenin 2 të këtij vendimi.

Lexo më shumë  Lufta ndaj parave të falsifikuara, BQK: 2.5 milionë monedha nga 2 euro janë tërhequr nga qarkullimi

Sipas nenit pasues, realizimin e këtij vendimi, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës e bëjnë Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim dhe koordnim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

“Vendimi hyn në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në zyrën e protokolit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe publikimit në ueb-faqen zyrtare të Komunës, përkatësisht konform nenit 81 të Ligjit për vetëqeverisje lokale nr.03/L-040 dhe Rregullores (QRK) nr.10/2019 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave, me plotësim-ndryshimet e bëra me Rregulloren nr.06/2021”, thuhet në nenin 4 të këtij vendimi.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *