Lajme

Komuna e Mitrovicës së Veriut kërkon “lirimin” e objektit të saj nga institucionet e Serbisë

Autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut thanë se kanë kërkuar “lirimin” e një objekti komunal, që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve e që aktualisht shfrytëzohet nga institucionet e Serbisë.

Si shkak për këtë vendim përmenden “disa punime të parashikuara që komuna do t’i kryejë në objekte të caktuara komunale”.

“Ne, si Komunë e Mitrovicës së Veriut, kemi shprehur gatishmërinë që çdo institucioni që ofron shërbime në interes të qytetarëve të Kosovës, t’i ofrojmë mbështetje dhe hapësirë pune”, thuhet në deklaratën që komuna i dha Radios Evropa e Lirë.

Paraprakisht, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha se udhëheqja lokale në Mitrovicën e Veriut ka marrë vendim që për tri ditë t’i “largojë” punonjësit e institucioneve serbe nga ndërtesa në Lagjen e Boshnjakëve.

Lexo më shumë  Aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq për mosdeklarim të pasurisë

Sipas Listës Serbe, në këtë objekt janë të vendosura katër institucione, të cilat financohen me mjete të Qeverisë së Serbisë: Zyra për Kosovën, Drejtoria e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria.

Shumica e institucioneve të Serbisë që funksionojnë në Kosovë drejtohen nga zyrtarë të Listës Serbe.

Për shembull, drejtor i Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor në Mitrovicën e Veriut është Millan Radojeviq.

Ai, më herët, ka qenë kryetar i Mitrovicës së Veriut [komunës së Kosovës], por edhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.

Kryetar i Qarkut Administrativ të Mitrovicës së Kosovës është Vuçina Jankoviq, po ashtu nga Lista Serbe. Ai, më herët, ka qenë kryetar i Komunës së Zveçanit – sipas sistemit të Kosovës.

Lexo më shumë  Gjendet armatim në Veri, Sveçla dhe drejtori i Policës mbajnë konferencë të jashtëzakonshme

Në një komunikatë dërguar mediave, Lista Serbe tha se “kryetarët jolegjitimë” – siç u referohet ajo kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri – kanë shkuar “një hap më tej” dhe “duan të na i marrin edhe hapësirat”, shkruan REL.

Në anën tjetër, nga komuna e Mitrovicës së Veriut thanë se zyrtarët e tyre i ka pritur nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili u ka thënë se “nuk ka asnjë dokument për objektin” dhe se “nuk e di se në pronësinë e kujt është”.

Rruga Press

YouTube player