Bota

Kompania dezinformuese nga Izraeli manipuloi mbi 30 palë zgjedhje në mbarë botën

Një ekip ekspertësh izraelitë është përgjegjës për manipulimin e më shumë se 30 zgjedhjeve në mbarë botën përmes hakerimit, sabotimit dhe dezinformimit të automatizuar, ka zbuluar The Guardian në një hulumtim të gjatë, të publikuar të mërkurën.

Një ekip operativësh izraelitë që punonin nën udhëheqjen e Tal Hananit, një 50-vjeçar ish-operativ i forcave speciale që tani njihet me pseudonimin “Jorge”, kishte punuar për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve në dhjetëra vende në dy dekadat e fundit.

Duke vepruar me emrin e koduar “Team Jorge”, operativët ofruan shërbimet e tyre për ata që kërkonin të ndërhynin në zgjedhje në mbarë botën, si dhe për klientët e korporatave, zbuloi hulumtimi.

Një nga komponentët kryesorë në përpjekjet e ekipit për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve janë mediat sociale, veçanërisht Twitteri.

Roboti i quajtur si “Canaelan” u zbulua se kishte lidhje me profile të shumta të rreme në mediat sociale, të gjitha të kontrolluara nga softueri dezinformues në pronësi të “Jorge” me bazë në Izrael.

Dhe ky robot është vetëm një nga shumë të tillë që ekzistojnë.

Sipas hetimit, softueri i njohur si Advanced Impact Media Solutions (AIMS) kontrollon më shumë se 30 mijë profile të rreme të mediave sociale, të cilat të gjitha mund të përdoren për të përhapur dezinformata ose propagandë me shpejtësi të jashtëzakonshme.

Zbulimet, të publikuara nga The Guardian të mërkurën, ishin rezultat i një hetimi të fshehtë nga një konsorcium gazetarësh nga 30 media të ndryshme, duke përfshirë Le Monde, Der Spiegel dhe El Pais.

Gjatë hulumtimit, duke u regjistruar në mënyrë sekrete, Hanani apo “Jorge” u tha gazetarëve se qasja në softuerin AIMS u ishte shituar agjencive të paidentifikuara të inteligjencës, partive politike dhe klientëve të korporatave.

Hanani ka thënë se shërbimet e tij janë vënë në dispozicion të agjencive të inteligjencës në mbarë botën, së bashku me fushatat politike dhe kompanitë private. Shërbimet janë përdorur në të gjithë Afrikën, Amerikën Jugore dhe Qendrore, SHBA-në dhe Evropën.

Si funksionoi softueri

Paketa e sofistikuar e softuerit AIMS e ofruar nga Hanani dhe ekipi i tij i operativëve izraelitë kontrollon mijëra profile të rreme të mediave sociale në Twitter, LinkedIn, Facebook, Telegram, Gmail, Instagram dhe YouTube. Sipas The Guardian, disa nga këto profile të rreme zotërojnë llogari edhe në Amazon, karta krediti dhe bitcoin.

Çdo profil individual ka sfondin e tij unik digjital dhe mund të imitojë sjelljen njerëzore duke përdorur inteligjencën artificiale.

Nëpërmjet regjistrimeve sekrete të më shumë se gjashtë orë takimesh mes Hananit dhe operativëve të tij, ekipi hulumtues mësoi se si “Team Jorge” mund të mblidhte inteligjencë mbi kundërshtarët e klientëve të tyre duke hakuar llogaritë e Gmailit dhe Telegramit.

Ata gjithashtu mburreshin se si informacionet e krijuara prej tyre vendoseshin në media legjitime të lajmeve, që përforcoheshin nga softueri AIMS.

Sipas hulumtimit, pjesa më e madhe e punës së ekipit në manipulimin politik është përqendruar në prishjen ose sabotimin e fushatave zgjedhore. Në një rast, ekipi pretendoi se “kishte dërguar një lodër seksi përmes Amazonit në shtëpinë e një politikani, me qëllim që t’i jepte gruas së tij përshtypjen e rreme se ai kishte një lidhje jashtëmartesore”.

Lexo më shumë  G7-a nuk arrin marrëveshje përfundimtare për përdorimin e aseteve ruse për Ukrainën

Hulumtimi për “Team Jorge” mund të vënë në siklet Izraelin, i cili ka qenë nën presionin diplomatik në rritje vitet e fundit për eksportimin e armëve kibernetike që minojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Hanani ka drejtuar të paktën disa nga operacionet e dezinformimit përmes kompanisë izraelite Demoman International, e cila është e regjistruar në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit për promovimin e eksporteve ushtarake.

Duke pasur parasysh ekspertizën e tyre në mashtrim, është e habitshme që Hanani dhe kolegët e tij lejuan veten të ekspozoheshin nga gazetarë të fshehtë.

Takimet e regjistruara në fshehtësi, të cilat u zhvilluan midis korrikut dhe dhjetorit 2022, ofrojnë një pasqyrë të rrallë se si funksionon dezinformimi.

Tre gazetarë nga Radio France iu afruan “Team Jorge” duke pretenduar se ishin konsulentë që punonin në emër të një vendi politikisht të paqëndrueshëm afrikan që kërkonte ndihmë për shtyrjen e zgjedhjeve.

Takimet e “Team Jorge” me gazetarët e fshehtë u zhvilluan përmes video-telefonatave dhe fizikisht në bazën e ekipit, 30 kilometra jashtë Tel Avivit.

Hanani e përshkroi ekipin e tij si “të diplomuar të agjencive qeveritare”, me ekspertizë në financa, media sociale dhe fushata, si dhe “luftë psikologjike”, që vepron në gjashtë zyra në mbarë botën. Katër nga kolegët e Hananit morën pjesë në mbledhje, duke përfshirë vëllain e tij Zohar Hanan, i cili përshkruhet si shefi ekzekutiv i grupit.

Në paraqitjen fillestare me gazetarët e fshehtë, Hanan pohoi: “Tani jemi të përfshirë në një palë zgjedhje në Afrikë… Ne kemi një ekip në Greqi dhe një ekip në Emiratet… Ju ndiqni drejtimet. Ne përfunduam 33 fushata në nivel presidencial, 27 prej të cilave ishin të suksesshme”. Ai ka thënë se ishte i përfshirë në dy “projekte të mëdha” në SHBA, por pohoi se nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në politikën amerikane.

“Team Jorge” u ka thënë gazetarëve se ndërhyrja në zgjedhje mund të kushtojë nga 6 deri në 15 milionë euro.

Megjithatë, emailet e rrjedhura tregojnë se Hanani përmend tarifa më modeste, siç është në vitin 2015, ku kërkoi 160 mijë dollarë nga një konsulencë britanike për të ndërhyrë në zgjedhje në një vend të Amerikës së Jugut.

Softueri AIMS duket se është rritur ndjeshëm deri në vitin 2022, sipas asaj që Hanani u tha gazetarëve të fshehtë. Ai ka thënë se kontrollonte një ushtri shumëkombëshe prej më shumë se 30 mijë profilesh të rreme, të kompletuara me histori digjitale.

Duke demonstruar softuerin AIMS, Hanani lëvizi nëpër dhjetëra robotë dhe tregoi se si profilet e rreme mund të krijohen në një çast, duke përdorur skedat për të zgjedhur kombësinë dhe gjininë dhe më pas duke përputhur fotografitë e profilit me emrat.

“Ky është një spanjoll, një rus, shihni aziatikët, myslimanët. Le të bëjmë një kandidat së bashku”, u tha ai gazetarëve të fshehtë përpara se të vendoste një foto të një gruaje të bardhë. “Sophia Wilde, më pëlqen emri. Britanike. Tashmë ka një email, datëlindje, gjithçka”.

Hulumtimi i The Guardian ka zbuluar se fotot për emrat e profileve të rremë janë marrë nga llogari të vërteta.

Lexo më shumë  Ukrainasit dëmtojnë aeroplanët rusë

Aktiviteti i profileve të rreme nga “Team Jorge” qëndronte pas fushatave të mediave sociale, të cilat përfshinin më së shumti mosmarrëveshje tregtare, në rreth 20 vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe, SHBA-në, Kanadanë, Gjermaninë, Zvicrën, Meksikën, Senegalin, Indinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Këtë javë, pasi gazetarët shpërndanë një numër të madh të profileve të rreme, kompania Meta hoqi profilet e lidhura me AIMS-in.

Hanani u tregoi gazetarëve dhe për “makinën e tij të blogimit” – një sistem i automatizuar për krijimin e faqeve në internet që profilet e rreme të kontrolluara nga AIMS-i mund t’i përdornin për të përhapur lajme të rreme. “Sapo të keni krijuar besueshmëri, çfarë bëni? Atëherë mund të manipuloni”, ka thënë ai.

Siguria e Telegramit dhe Gmail

Jo më pak alarmante ishin demonstrimet e Hananit për aftësitë hakeruese të ekipit të tij. Ai tregoi se si mund të ndërhynte në llogaritë në Telegram dhe Gmail. Në një rast, ai shfaqi në ekran llogarinë Gmail të një njeriu të përshkruar si “një tip i rëndësishëm ndihmësi” në zgjedhjet e përgjithshme në Kenia, të cilat ishin disa ditë larg.

“Sot nëse dikush ka Gmail, kjo do të thotë se ai ka shumë më tepër sesa thjesht email”, ka thënë Hanan ndërsa klikonte përmes emailit të objektivit, hartonte dosjet, kontaktet dhe disqet. Ai pretendonte se ishte në gjendje të hynte në llogaritë në Telegram, një aplikacion i koduar i mesazheve.

Hanan më pas tregoi se si qasja në Telegram mund të manipulohet për të mbjellë fatkeqësi.

Duke shkruar fjalët “përshëndetje si je e dashur”, Hanani po i dërgonte një mesazh nga llogaria e strategut kenian te një prej kontakteve të tyre. “Unë nuk jam vetëm duke parë”, mburrej Hanan, përpara se të shpjegonte se si manipulimi i aplikacionit të mesazheve mund të përdoret për të bërë kërdi në fushatën zgjedhore të një rivali.

“Një nga gjërat më të mëdha është të vendosësh shkopinj mes njerëzve të duhur. Dhe mund t’i shkruaj atij se çfarë mendoj për gruan e tij, ose çfarë mendoj për fjalimin e tij të fundit, ose mund t’i them që i kam premtuar të jetë shefi im i ardhshëm i kabinetit, në rregull?”, shpjegonte “Jorge”.

Hanan më pas tregoi se si, pasi të lexohej mesazhi, mund ta “fshinte” për të mbuluar gjurmët e tij.

Hanan u tregoi gazetarëve të fshehtë se disa nga metodat e tij të hakerimit shfrytëzonin dobësitë në sistemin global të telekomunikacionit të sinjalizimit, SS7, të cilin ekspertët e kanë konsideruar një pikë të dobët në rrjetin e telekomunikacionit për dekada.

Google, që ka në pronësi Gmailin, nuk pranoi të jepte komente në lidhje me çështjen. Telegrami ndërkohë ka thënë se çështja e cenueshmërisë SS7 është e njohur gjerësisht dhe jo unike për Telegramin.

Hanan nuk iu përgjigj kërkesave të hollësishme për koment, por ka thënë: “Për të qenë i qartë, mohoj çdo keqbërje”.

Zohar Hanan, vëllai dhe partneri i tij në biznes, ka thënë: “Kam punuar sipas ligjit gjithë jetën!”.

YouTube player

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *