Lajme

Komandanti Walker: Paqeruajtësit amerikanë të gatshëm të parandalojnë dhunën në veri të Kosovës

Komandanti i ushtarëve amerikanë nga Garda Kombëtare e Ushtrisë së Teksasit, Ross Walker, ka thënë se trupat paqeruajtëse në Kosovë janë të pajisura mirë dhe janë të gatshme për të parandaluar dhunën në Veri.

Në një intervistë për Reuters, Walker ka thënë se janë të përgatitur mirë, të trajnuar dhe të pajisur për të reaguar ndaj çdo gjëje që mund të ndodhë tani.

“Ne jemi të përgatitur mirë, të trajnuar mirë dhe të pajisur për të reaguar ndaj çdo gjëje që mund të ndodhë këtu tani. Edhe pse jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje, dëshira jonë është që gjithmonë t’i bëjmë gjërat fillimisht përmes një dialogu paqësor”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

NATO ka përforcuar praninë e saj me 1,000 trupa të tjera pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku gjatë një përleshjeje të armatosur me grupin serb, ka mbetur i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku dhe u plagos zyrtari i Policisë së Kosovës, Alban Rushiti.

Më shumë se 570 ushtarë amerikanë shërbejnë nën misionin e udhëhequr nga NATO, i cili në total ka rreth 4,500 trupa të dislokuara.

Disa nga ushtarët amerikanë janë të vendosur në kampin Nothing Hill afër qytetit verior të Leposaviqit dhe rrugëve të patrullimit që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Ata i parkojnë kamionët e tyre të bardhë të paarmatosur afër kufirit me Serbinë dhe më pas ecin pranë hekurave metalike që deri vonë mbanin tabela që sinjalizonin vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ata patrullojnë në këmbë dhe mbajnë vetëm pistoleta, shenjë se gjërat kanë qenë të qeta kohët e fundit.

Diplomatët perëndimorë dhe disa analistë paralajmërojnë se pakënaqësitë e fundit lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re ku përjashtohet dinari serb nga qarkullimi, mund të nxisin më tej tensionet në Veri.

Vendet perëndimore i kanë bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit për ndalimin e dinarit.

Rruga Press

YouTube player