“Kodi zgjedhor duhet ndryshuar” – Ish-kreu i KQZ, Kume: PS dhe PD nuk duan, janë mirë me këtë ligj
Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, deklaron se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk kanë vullnetin e nevojshëm politik për të realizuar një reformë të thellë zgjedhore në Shqipëri. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Kume u shpreh se, pavarësisht deklaratave publike për gatishmëri, deri më tani nuk ka pasur rezultate konkrete, ndërsa palët politike duket se janë komode me Kodin Zgjedhor aktual.
Sipas tij, Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore është ngritur gati një vit më parë, por gjatë kësaj periudhe ka arritur të prodhojë vetëm një draft për projektligjin mbi financimin e partive politike, i cili është dërguar edhe në Komisionin e Venecias.
Kume theksoi se Shqipëria nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur rekomandimet e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve, veçanërisht ato të OSBE/ODIHR-it, ndërsa legjislacioni aktual ka treguar problematika që cenojnë funksionimin e demokracisë përfaqësuese.
Ai nënvizoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk duhet të kufizohen vetëm te përshtatja me hartën e re territoriale dhe administrative, pasi kjo do të përbënte thjesht arnime të ligjit dhe jo një reformë të mirëfilltë.
Duke komentuar qëndrimet e dy forcave kryesore politike, ish-kreu i KQZ-së tha se PS dhe PD kanë një emërues të përbashkët: mungesën e dëshirës për ndryshime thelbësore. Sipas tij, të dyja palët janë të kënaqura me mënyrën aktuale të ndërtimit të administratës zgjedhore, ku përfaqësuesit e partive kanë rol në komisionet zgjedhore, pavarësisht rekomandimeve të përsëritura të ndërkombëtarëve për ndryshimin e këtij modeli.
“Ata janë shumë komodë me këtë ligj kështu siç është, pavarësisht se pastaj natyrisht ka nuanca të ndryshme për çfarë më shumë janë dakord dhe për çfarë më pak janë dakord”, u shpreh Kume.
Ai shtoi se një ndër problematikat kryesore mbetet mbivendosja e interesave të shtetit me interesat partiake, veçanërisht në proceset zgjedhore, duke theksuar se ndryshimet ligjore duhet të synojnë ngushtimin e hapësirave që lejojnë abuzime nga aktorët politikë.
Kume paralajmëroi se, nëse reforma do të kufizohet vetëm te përshtatja e Kodit Zgjedhor me ndarjen e re territoriale, Shqipëria do të humbasë sërish mundësinë për të adresuar problemet e përsëritura të proceseve zgjedhore.
Rruga Press

