Klubi grek, AEK, reagon për banerin “Kosova është Shqipëri”
Klubi grek, AEK, ka reaguar për banerin “Kosova është Shqipëri”, të shfaqur të enjten gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës me Ajaxin.
AEK-u i Athinës ka dënuar shfaqjen e këtij mesazhi dhe ka paralajmëruar largimin e përjetshëm nga stadiumi të përgjegjësve, pasi baneri bëri bujë të jashtëzakonshme.
Tifozët grekë njihen për qëndrime anti-Kosovë, por kishte një ndryshim rrënjësor në qasje nga tifozët e AEK-ut të enjten mbrëma, por klubi i famshëm grek është distancuar të premten nga ai veprim.
“AEK shpreh neverinë dhe dënon pa mëdyshje daljen, qoftë edhe për pak sekonda, të një pankarte me përmbajtje ekstreme nacionaliste në stadiumin tonë. Kjo nuk ka të bëjë absolutisht me origjinën historike të shoqatës sonë, as sigurisht me atë që ajo përfaqëson që nga themelimi i saj”.
“AEK-u nuk ka nevojë të provojë asgjë me fjalë, pasi e ka bërë me vepra në mënyra të padiskutueshme dhe me nisma që asnjë grup tjetër nuk ka marrë, kundër luftës”.
“Për ngjarjen konkrete trishtuese dhe indinjuese, AEK deklaron se nuk do të qëndrojë duarkryq”, ka shkruar AEK, duke shtuar se ka filluar puna që përgjegjësit të gjinden dhe tu ndalohet përgjithmonë hyrja në stadium.
Reagimet për banerin ishin të shumta sidomos në Serbi, ku mediat serbe e kanë vlerësuar “thikë pas shpine”.