Lajme

KLP e kthen ‘akreditimin’ e gazetarëve në mjet censure

Një formular akreditimi i KLP-së për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të medieve në mbledhjet plenare, ngre shqetësime tek gazetarët se është një mjet censure paraprake dhe cënim i lirisë medias.

Pasi mbylli për publikun mbledhjet plenare për gati tre vjet, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP njoftoi më 19 nëntor se gazetarët do të lejohen të ishin të pranishëm gjatë seancave pasi të plotësonin një kërkesë për akreditim.

Por formulari i akreditimin i dërguar medieve ka ngritur shqetësime në redaksitë e lajmeve. Nën petkun e mbrojtjes të të dhënave personale, ky dokument synon të diktojë se çfarë gazetarët mund të raportojnë nga mbledhjet e KLP-së dhe çfarë i ndalohet, duke u kthyer në një mjet censure paraprake.

“Më ngjan si një tentativë që KLP po bën që t’i mbylli gojën medias,” shprehet gazetarja Klodiana Lala, për një pikë të dokumentit të akreditimit që i ndalon gazetarët të publikojnë emrat e prokurorëve gjatë procedimit disiplinor.

“Kjo pikë është jo vetëm një ndërhyrje e këtij pushteti tek media, por është dhe mënyrë për të kontrolluar informacionin që i serviret publikut në media,” theksoi Lala.

I pyetur nga BIRN se ku është bazuar KLP për diktimin e gazetarëve se si duhet të ushtrojnë detyrën e tyre dhe nëse ky formular akreditimi ishte një mjet për censurën paraprake, kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi u shpreh se rregullat e vendosura në formular janë kërkesa të ligjit.

Lexo më shumë  Ola Xama: Gazetaria në Shqipëri është shumë e vështirë! Të respektohet liria jonë!

“Në këtë rast çdo pjesëmarrës merr përsipër detyrimet që ka KLP,” pretendoi Ibrahimi.

Neni 23 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton që mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive të jenë të hapura për publikun. Ndërkohë, në nenin 22 të Kushtetutës përcaktohet se liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar, ndërsa ndalohet censura paraprake e mjeteve të komunikimit.

Sipas formularit të KLP-së, materiali që i përcillet publikut nga gazetari nuk duhet të ketë referenca tek emrat konkretë, përveç emrave të anëtarëve të Këshillit dhe emrave të prokurorëve mbi të cilët janë vendosur masa disiplinore të pezullimit dhe të shkarkimit.

Ky ndalim sipas gazetarëve e bën të pamundur raportimin mbi punën e institucionit, ndërtimi i të cilit synonte rikthimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ gazetarja Anila Hoxha e ka cilësuar si të papranueshëm kërcënimin se gazetarët mund të nxirren nga mbledhja e KLP-së me urdhër të kryetarit në qoftëse nuk vetcensurohen. Hoxha i tha BIRN se ka refuzuar ta firmosë formularin e akreditimit dhe e ka bojkotuar mbledhjen, duke vënë në dijeni për këtë fakt redaksinë ku punon.

Lexo më shumë  “Vetëm liria është më e shtrenjtë se jeta”, Kurti citon pjesë të intervistës që heroi Ilaz Kodra kishte dhënë për një televizion gjerman

Ajo ngriti pikëpyetje mbi paralajmërimi që KLP i bën gazetarëve së mbajnë përgjegjësi për zbatimin e ‘rregullave’ që ky institucion mund të vendos mbi profesionin e tyre.

“Përse ky kërcënim absurd pavarësisht përpjekjes së mirë dhe dëshirës në dukje që synon disiplinimin e pjesmarrësve,” pyet ajo.

Gazetarja Klodiana Lala sqaron se i është drejtuar zyrës juridike pranë KLP-së që ta informojë se cilat kanë qenë arsyet dhe baza ligjore mbi të cilën janë përcaktuar në këtë formular pikat që ndikojnë në punën e gazetarëve.

Edhe gazetari i televizionit ABC, Ermal Vija dhe gazetarja e TV Klan, Bleona Metushi i konsideruan ‘absurde’ përcaktimet për gazetarët në këtë formular, si dhe si një pengesë për bërjen e transparencës për veprimatrinë e një prej institucioneve më të rëndësishme të krijuar në kuadër të reformës në drejtësi./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *