Opinion/Aktualitet

Kim Mehmeti: Edhe një ngjarje ‘historike’ në një Shqipëri ku nuk ndryshon historia!

Nga Kim Mehmeti

Sot u mbajt Kuvendi i ‘rithemelimit’ të PD-së. Dhe aty u thanë të gjitha ato që u përsëritën gjatë takimeve paraprake të Doktorit me përkrahësit e vet, takime që treguan se Shqipëria është një ‘Foltore” ku nuk ndryshojnë as oratorët, as kryefolësi, e as ajo që thuhet, por vetëm gota me ujë, që u ofrohet folësve.

Dhe gjatë këtij Kuvendi, disa herë me radhë, u theksua pesha historike e së sotmes. Por thuajse të gjithë harruan të tregojnë se kalendari i Shqipërisë është përplot me data historike dhe se, shumë nga ato ditë të ‘lavdishme’, rrëfejnë për të shkuarën e dhembshme, për të sotmen e pashpresë dhe për të ardhmen e turbullt të shqiptarisë.

Në Tiranë, në Kuvendin e ‘rithemelimit’ të PD-së, shumë nga ndërtuesit e së djeshmes së vendit, u besatuan se do e ribëjnë të sotmen e Shqipërisë dhe se do e projektojnë të ardhmen e saj. Por duke mos treguar se cili ishte roli i tyre gjatë rrugëtimit të PD-së që nga dhjetori i lindjes së saj, e deri te ky i ‘rithemelimit’ dhe, si ndodhi që në mëmëdhe, të shtohet numri i folësve, e të pakësohet ai i banorëve të saj.

Pra Kuvendi i sotëm i PD-së së Doktorit, i solli vendimet e veta, që mbase do arrijnë vetëm një qëllim: ta dobësojnë partinë dhe, të ardhmen e saj ta marrin në duar të ardhurit nga e djeshmja, ata që, o besojnë se nuk i kanë dhënë aq sa munden vendin, o se nuk kanë marr aq sa meritojnë!

Tani mbetet të presim të mbahet edhe Kuvendi i PD-së së Kryetarit aktual, e atij që trupin e ka në seli të partisë, e kokën të dhënë me qira te ambasada amerikane, e me çka tregon se din ta drejtojë partinë, por jo edhe paaftësinë e vet politike. Dhe pa dyshim se edhe në Kuvendin e ‘dytë’ të PD-së, do përsëriten po ato që u thanë në Kuvendin e ‘rithemelimit’ të saj. Pra edhe ata do betohen se i janë përkushtuar të mirës së Shqipërisë dhe popullit të vet, pa shpjeguar si u bë që nga përkushtimi i tyre të mos përfitojë Shqipëria, por Piktori.

Lexo më shumë  Përse pasuria nuk krijoi elitë? Ndoshta tranzicioni na mësoi si të bëhemi të pasur, por nuk arriti të na mësojë çfarë duhet të bëjmë me pasurinë

Po pra, së shpejti do përfundojnë të gjithë kuvendet e PD-së e që do e shpalosin të vërtetën se sa më shumë rritet numri i të përkushtuarve për të mirën e vendit dhe të popullit, aq më keq e kanë shqiptarët dhe Shqipëria. Dhe se, edhe kur PD-ja ka kryetarin e saj të nderit, Shqipëria mbetet vend ku deri në mesditë je hero, e pasdite je gomar, ku ata që në drekë të duartrokasin e lëvdojnë si hero, pasdreke të shkelmojnë si të ishe gomar.

Dhe përderisa PD i mbanë kuvendet e saja, Piktori vazhdon ta çojë Shqipërinë drejtë projektit serb të quajtur ‘Ballkani i Hapur’, e nëpërmjet të cilit projekt, Rusia e realizon kontrollin e vet mbi këto hapësira. Edhe atë jo si në vendet e dala nga ish Bashkimi Sovjetik, duke i kërcënuar ato me forcat e veta ushtarake, por nëpërmjet konflikteve të heshtura, nëpërmjet shteteve që Beogradi mund t’i destabilizojë kur të dojë, si për shembull Bosnjën, nëpërmjet Republikës Serpska, Malin e Zi nëpërmjet kishës, Kosovën nëpërmjet veriut të saj, e Maqedoninë nëpërmjet elementeve proserbe brenda vetvetes.

Lexo më shumë  Rama kërkon të implikojë NATO-n - Media franceze: Nuk ka prova se Rusia qëndron pas protestave në Shqipëri

Po pra, përderisa PD-ja mbanë kuvendet e saja dhe e begaton shqiptarinë me data histitrtike, në Ballkan vazhdon të realizohet projekti serbo-rus “Ballkani i Hapur”, e që është pjesë e projektit për “Botën e mbyllur ruso-serbe”. Projekt i vëllazërisë së Piktorit me Vuçiqin, projekt që i defaktorizon shqiptarët, edhe atë duke e treguar Kosovën si kundërshtare të stabilitetit të Ballkanit, duke e shpërfaqur Kryeministrin e Kosovës si ngucakeqi që nuk i nënshtrohet presidentin serb, njeriut të dalë nga kapota e Millosheviqitt, njeriut që ishte me ata që e vrisnin Sarajevën, që e kërcënonte botën se për një serb të vrarë, ai do pushkatonte njëqind boshnjak!

Po pra sot Shqipërisë iu shtua edhe një ditë historike dhe u mbajt Kuvendi i ‘rithemelimit’ të PD-së. Në këtë Kuvend folën ata që besojnë se janë duke e shkruar një kapitull të ri të historisë së Shqipërisë, kapitull që ka autorë ata që e përcaktuan të djeshmen e mëmëdheut, ata që vendin e sollën deri te “Foltoret” e sotme. Dhe pa dyshim se nga Kuvendi i sotëm, doli me e dobët PD-ja, por më i fort Doktori! Dhe ku ta dish, mbase edhe ky ishte qëllimi i këtij Kuvendi. I këtij kuvendi që tregoi hapur se mëmëdheu assesi nuk ia del ta jetojë të sotmen e ta projektojë të ardhmen e vet dhe se, Shqipëria ka mbetur peng i mendësisë së saj së shkuar komuniste.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *