Bota

Kievi thotë se nga diga e shkatërruar janë shkaktuar 1.5 miliard dollarë dëme

Kievi tha se shkatërrimi i digës Kahovka, në zonën e kontrolluar nga rusët në jug të Ukrainës, ka shkaktuar dëme në mjedis në vlerë prej 1.5 miliard dollarë.

Diga u shkatërrua më 6 qershor dhe shkaktoi dëme shkatërruese në rajonin e Hersonit, si në pjesën që kontrollohet nga rusët, ashtu edhe në atë që kontrollohet nga ukrainasit. Si pasojë e vërshimeve, mijëra persona u detyruan të evakuoheshin dhe u rrit frika për një fatkeqësi mjedisore.

Kievi e ka akuzuar Moskën për “eko-cid” duke thënë se Rusia e ka hedhur në erë digën e epokës sovjetike në lumin Dnjepër, ndërkaq Rusia ka akuzuar Ukrainën për shpërthimin e digës.

Lexo më shumë  Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin – ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

“Çdo ditë Rusia po shkakton dëme të reja ndaj Ukrainës”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmygal, gjatë një konference të mbajtur në Londër për rindërtimin e Ukrainës.

Ai tha se kostoja e përgjithshme për rindërtimin e Ukrainës – që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus që nga shkurti i kaluar – sipas vlerësimeve të Bankës Botërore është 411 miliardë dollarë. Sipas tij, kjo shifër “do të rritet, veçmas pas shkatërrimit nga Rusia të digës Kahovka”.

Lexo më shumë  Trupat ruse hyjnë në bazën ajrore në Nigeri, ku janë të stacionuar ushtarët amerikanë

Kryeministri ukrainas tha se “vlerësimet e paraprake” thonë se dëmet mjedisore të shkaktuara nga shkatërrimi i digës arrijnë në vlerën prej 1.5 miliard dollarë. Në këtë shifër, sipas tij, nuk përfshihen “dëmet në bujqësi, infrastrukturë, ekonomi familjare dhe rindërtimin e digës”.

Rruga Press

YouTube player