KFOR-i e ofendon rëndë popullin e Kosovës kur deklaron se “po e analizojmë kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë”
Nga Donik Sallova
KFOR-i e ofendon rëndë popullin e Kosovës kur deklaron se “po e analizojmë kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë”. Çfarë analize, çfarë kërkese, çfarë kthimi? A e di ky KFOR se ushtria serbe në Kosovë ka qenë ushtri pushtuese që ka vra, ka pre e ka dhunu të pafajshëm, gra, fëmijë e pleq? Si mund të shqyrtohet kërkesa e një ushtrie të tillë kur dihen bëmat dhe qëllimet e saj të pandryshuara? Ushtria serbe kurrë s’ka qenë e pranuar nga populli i Kosovës, prandaj termi “kthim – si një e drejtë legjitime e dikujt për t’u kthyer në vendin që i takon” nuk ekziston për ushtrinë serbe në Kosovë. KFOR-i do duhej ta refuzonte edhe pranimin e kësaj “kërkese”, e lëre më analizimin dhe shqyrtimin.
KFOR-i duhet ta dijë që rendi kushtetues në Kosovë ka ndryshuar dhe Kosova më nuk është protektorat i OKB-së, por shtet sovran që e ka ftuar dhe mirëpritur prezencën ushtarake të NATO-s me Deklaratën e Pavarësisë deri në momentin kur do të jetë e aftë për t’u mbrojtur nga ushtria që bën “kërkesa për ripushtim”. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka gjykuar pavarësinë e Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë edhe rezolutën 1244. Njohja e Kosovës dhe pranimi i saj në organizata ndërkombëtare është çështje politike dhe jo më çështje e së drejtës, dhe KFOR-i s’ka asnjë të drejtë të interferojë në këtë proces duke bërë deklarata që mbjellin mosbesim tek populli i Kosovës dhe kanë natyrë shtantazhuese politike. KFOR-i e di më mirë se çdokush tjetër se serbët e Kosovës nuk rrezikohen prej shqiptarëve, por prej strukturave ilegale kriminale të Serbisë. Prandaj, në vend se të shqyrtojë “kërkesat e Serbisë për ripushtim”, KFOR-i ta shtojë prezencën në Veri për t’i mbrojtur serbët nga para-militarët e Serbisë dhe Rusisë të komanduar nga Vuçiqi e Putini.
Rruga Press