Kështu foli Moikomi për Ukshin Hotin
“Ukshin Hotin kam pasur rastin ta njoh më 23 nëntor të vitit 1992 në Tetovë gjatë një tubimi mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ai ishte me trupin plot plagë nga të rrahurat e policisë serbe. Po, erdhi në tubim, sepse në të shihte një shprehje të ideve të tij politike dhe të jetës”.
Moikom Zeqo
Nga Sefer Pasha
Qysh atë ditë që Moikom Zeqo më vuri në djeni se ishte diagonstikuar në Londër me leuçemi mardhëniet tona morën të krisur. Isha në djeni të sëmundjes së Moikom Zeqos. Gazetari Xhevdet Shehu e kishte botuar këtë lajm në faqen e parë të gazetës “Dita”. Me Moikomin ashtu si shumë vite më parë takoheshim tek kafeneja e tij e preferuar “Çajupi” ngjitur me pallatin ku ai banonte. Pas sëmundjes heshtazi u hap një humnerë e madhe. Asgjë nuk ishte si më parë. Miku im ndryshoi dhe në pamje. La mjekër pasi filloi kimioterapinë tek onkologjiku. E vëshgoja tinëzisht dhe vija re se fytyra filloi t’i zbehej. Ia bënin “mu” dy damarët e qafës. Dejet në të dyja anët e qafës ngjanin si dy fyrka lisi. Të krijohej përshtypja sikur furkat e ruanin kokën se mos ajo këputej. Unë përpiqesha që të bëja humor. Dhe ai qeshte me zor. Në atë periudhë dramatike mua më habiste fakti që Moikomi filste lirshëm për vdekjen. Nuk luftonte që ta largonte vdekjen që kishte trokitur në jetën e tij.
Pa i thënë gjë mikut tim fillova të mbaj një ditar sekret. Nuk shkruaja për ditë. Por kohë pas kohe hidhja në letër ngjarjet më pikante që m’i tregonte Moikomi. Ditari fillon ato ditë kur ai filloj kimioterapinë dhe përfundon më datën 15.6.2020 kur ai u nda nga kjo jetë. Janë qindra faqe. Duhet një libër voluminoz që ato të përmblidhen. Unë veja dhe vija nga Kosova. Por sa herë që kthehesha Mojkomi më pyeste për fatin e Ukshin Hotit. Figurën e filozofit të madh ai e kishte pikë të dobët. Vetë Moikom Zeqo qysh në vitin 1995 kishte redaktuar dhe botuar librin e Ukshin Hotit “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”. Qysh nga ajo kohë, ky libër është ribotuar pesë herë. Parathënia për librin e parë është një poemë epike. Kur Moikomi kthehej nga spitali ku bënte kimio-terapinë shpesh filste i nervozuar. Në spital nuk i krijonin kushte. E trajnionin në një dhomë me dhjetra të tjerë. Unë, për t’ia larguar dramën, e pyesja për takimin e Moikomit me Ukshin Hotin në Tetovë. Dhe ai i mallëngjyer përpara filxhanit të kafesë niste dhe më tregonte detaje nga ai takim i paharrueshëm. E përqafova Ukshin Hotin më thoshte ai. I kërkova t’më tregonte brinjët e thyera më dysh dhe më trish nga policia serbe. Dhe Ukshin Hoti nuk ngurroi dhe ma zbërtheu këmishën. E gjithë ana e djathtë qe e nxirë. Plot me gunga. Një pjesë e brinjëve qenë të fashuara. Unë u bëra gur. Nuk ia ndaja sytë gjysmës së trupit të dërrmuar. Në ato çaste nuk doja që Ukshin Hoti ta ulte këmishën dhe kanatjeren. Pjesa e nxirë me brinjët e bëra ashka – ashka më ngjau si një përcëllimë e djegur mbi Libohovë. I kisha parë në fëmini kur ngjitesha në monopatet e malit të Buretos. Por ajo pjesë e trupit mu duk dhe si një greminë. Si mundet të ecte njeriu me këtë “greminë” nën sqetull? Si nuk rrëzohej? E pyesja veten:- Si kishte ardhur që nga Prishtina në Tetovë me këtë të çarë mali? Doja të ulërija si ato erërat që frynin mbi shtëpitë e mia në Libohovë. Ngulmoja që gjendjen e Ukshin Hotit ta shikonin të gjithë ata që ishin në tubimin e Tetovës. Kërkova që trupin e sakatosur të Ukshin Hotit ta filmonin, ta fotografonin, ta preknin me dorë, ta përqafonin e t’i thoshin “të shkuara profesor!”. Kanë kaluar kaq shumë vite e mua më ka mbetur peng që atë ditë në Tetovë nuk bëra një foto me Ukshin Hotin. Aty pati njerëz që edhe fotografonin. Por nuk kam gjetur asnjë foto të tubimit. Mbase mes pjesëmarrësve do të duket dhe fytyra e Ukshin Hotit. E motra e Ukshin Hotit, Myrvetja, po i vazhdon kërkimet.
***
Kohët e fundit u botua në Kosovë libri “Kodi Rajonal, Filozofik, Analitik dhe Shekcor i zgjidhjes së Çështjes Shqiptare” të Ukshin Hotit me redaktor Halil Kuliqi. Në këtë përmbledhje nuk ishte përfshirë parathënia e Moikom Zeqos e botuar qysh në përmbledhjen e parë në qershor të vitit 1995. Pikërisht për këtë arsye po ia përcjellim lexuesit ato që ka shkruar Mikom Zeqos tek libri “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare” të Ukshin Hotit.
Ja se çfarë shkruan Moikom Zeqo:
Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë, tërësisht njerëzore, kur më sollën dorëshkrimin e kompjuterizuar të librit “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare” të Ukshin Hotit.
Kam ndjerë krenari të vërtetë duke e lexuar këtë libër.
Kam përjetuar në largësi një ndërlidhje të shumfishtë, një shqisim, dhe përfytyrim universal dhe të pashbërbërshëm me autorin, i cili ishte konvertuar dhe thellësisht në çdo ind të librit, në këtë pasaportë emblematike dhe tipike përfaqësuese të vetvetes dhe të kombit që e përfaqëson denjësisht.
Dhe, kam besim ende më shumë tek idetë e pavdekshme.
Kam shpresuar te forca e pamposhtur e njeriut shqiptar.
Kam parandjerë se historia nuk humb, nuk e asgjeson kurrë vetveten, nuk është vetëm një vorbull e marrëzishme, apo cikël i përjetshëm humbjesh absurde, nuk është aspak një “perpetuum mobile” ekzistencial i një jete të rreme, i një statu kuoje fatale.
Kam rigjallëruar vetëdijen time.
Kam luftuar dhe kam fituar mbi vetminë, mbi dëshpërimin, mbi degradimin e neveritshëm, mbi kultet dhe tabutë, mbi përçarjen e përbindëshme, mbi mungesën e stimuluar të prespektivës, mbi vdekjen e programuar dinakërisht dhe kafshërisht të kombit.
Kam besuar jo vetëm tek idetë e pavdekëshme, po ende më tepër, tek interesat dhe tek të drejtat e pavdekëshme dhe të patjetërsueshme të kombit.
Kam kuptuar se humbjet janë të përkoshme. Se disfatat poetncialisht mund të kthehen në fitore.
Kam analizuar edhe një herë rrethanat antishqiptare për të mësuar se si mund të kthehen në shanse shqiptare.
Se filozofia politike e çështjes shqiptare buron nga filozofia e historisë shqiptare e pashkëputur nga filozofia e historisë botërore.
Se kënga funebre e mjellmës nuk mund të jetë edhe kënga e fluturimit të lirë të shqiponjës.
Se vonesat historike mund të jenë deri diku vonesa kalendarike po aspak edhe vonesa shpirtërore e sidomos mendore.
Se në fundin e mijëvjeçarit të dytë ne shqiptarët nuk do të kemi asnjë apokalips.
Se mijëvjeçari i tretë është Shpresa e Madhe me substancën e shenjtë dhe ndjellandritëse të realitetit.
Libri i mënçur dhe kurajoz i Ukshin Hotit është libri i një tribuni popullor dhe kombëtar.
Ukshin Hoti, intelektual dhe politikolog i klasit të parë, njeri i kompletuar fuqishëm për nga dijet, për më tepër një trim i pafrikshëm ka shpalosur në këtë libër kryetemën vigane të çështjes shqiptare.
Hoti nuk qëndis ornamente fjalësh. Nuk bën stolira të kota retorikash luksoze e krejt të padobishëme.
Për Hotin çështja shqiptare nuk është një mit i rrugës. Po dhe asnjë fatazi e kabinetit intelektual.
Duke lexuar këtë libër m’u kujtuan fjalët e mrekullueshme të dijetarit të madh shqiptar Frang Bardhit, i cili qysh më 1636 shkruante: “Përkrahni lirinë e natyrëshme të njerëzve dhe diturinë e tyre me riberalitetin më të madh. Sepse vetëm kështu – shton ai – do të paraqesin përpara syve të tu të vërtetën lakuriqe dhe të panjollosur, sepse e vërteta nuk ka nevojë të lyhet dhe të stoliset me fjalë të bukura”.
350 vjet pas Frang Bardhit, Ukshin Hoti ecën në të njëjtën hulli të filozofisë politike të historisë.
Ukshin Hoti e konsideron politikën si një modus operandi të pashkëputur nga moraliteti historik dhe i prespektivës. Sipas Aristotelit vërtet njeriu është “kafshë politike” po në kushte dhe rrethana që e realizojnë historinë, jo si një zologji instiktive, po si një politikë mbi kafshore dhe tërësisht njerëzore, pra të kthimit të kafshës në njeri dhe jo të njeriut në kafshë, rrjedhimisht të politikës në histori dhe jo të hostorisë në thjesht politikë.
Politika si teori e një pozitivizmi shkencor, si art, si fuksionalitet, si tërësi kategorishë institucio nale është një gjë jashtëzkonisht serioze dhe e rëndësishme. Politika si operacionalizim i teorisë është e suksesëshme në raport të drejtë me vërtetësinë racionale dhe vizionare të vetë teorisë, në përputhje adekuate të teorisë me realitetin. Sociologjia politike ka karakter progresiv e kushtëzuar nga këndshikimi, nga premisat dhe nga thelbi i socialitetit e i zhvillimit të saj. Bota si politikë e një herakie bizntine të eletiës, nuk mund të jetë edhe botë e njeriut kolektiv si popull, sepse homo politikus -i nuk mund t’i kundrvihet e ta asgjesojë homo homonis -in, që e parakupton edhe homo etnikus -in.
Nocinet politike, që shpesh janë shumë relative dhe aspak tabu të primitivitetit të të kaluarës nuk mund të jenë gjithmonë dhe infinitus shtrat i Prokustit.
Nocionet politike burojnë nga historia e vërtetë dhe jo nga historia e falsifikuar. Ato janë instrumente të njeriut që merret me politikë, për të “asgjesuar” një ditë vetë politikën, dmth, për ta bërë atë të panevojëshme mbasi kështu njeriu do ta realizojë vetveten si qenie e plotë njerëzore, pa qenë nevoja që të jetë vetëm qenie politike. Ky kuptim i politikës është i përjetshëm dhe i pa pakundërshtueshëm.
Ukshin Hoti e di mirë thelbin e politikës, duke e refuzuar politikanizmin e stilit barok, dogmatik, apo të llojt folklorik e të vulgarizuar.
Ukshin Hoti në analizat e tij të guximshme dhe aspak konformiste i shikon relalitet politike në optikën shqiptare, por dhe në atë globale botërore. Për ta bota evro – amerikane nuk duhet t’i kundrërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga luhatjet dhe marrëzitë e sotëme[të politikave të] liderëve të përkoshëm shqiptarë.
Ukshin Hoti e shtjellon tezën e një demokracie autentike si tezën e një integrimi universal, ku nuk zhduket dhe nuk humbet identiteti i kombit shqiptar, po afirmohet në bazë të një të drejte ndërkombtare të përbashkët për të gjitha subjektet etnike të botës, ashtu siç ka një barazi funksionale për elementët e gjuhës të garantuara përjetësisht nga një gramatikë e brendshme e padeformueshme. Demokracia autetike është një gramatikë e lirisë dhe e dinjitetit, e kulturës, por dhe e kulturave e së veçantës, por dhe e së tërës. Në një Evropë, apo në një botë dialogjike, kombi shqiptar nuk ka pse të jetë shudhmemec, një komb handikapat, ose një maniekin i skenës.
Historia politike e fundit të shekullit të njëzetë me bipolarizimin, me prishjen e murit të Berlinit, me projektin e Evropës së Bashkuar etj… është në fakt një materie e gjallë përplot kontradita. Naiviteti në të kuptuarit e këtyre kontraditave është i pafalshëm. Këto kontradita duhet të na e mprehin vetëdijen ende më shumë të shqiptarëve. Nuk mund të jetë dhe nuk ka liri themelore të njeriut pa lirinë e tij etnike. Në këtë kuptim demokracia e nënkupton atdhetarizmin dhe atdhetarizmi është shprehje e demokracisë në atë masë që lejon të realizohet liria e lirive të njeriut dhe të koletktiviteteve etnike të seicilit njeri në botë.
Kombi shqiptar është i pjestuar padrejtësisht në struktura shtetërore të huaja dhe të ndryshme, duke qenë de fakcto një subjekt etnik i papjestueshëm dot.
Ky komb po e përjeton në imagjinatë atë që kombet e tjera e kanë realizuar prej kohësh. Po duke qenë një komb si të gjitha kombet e tjera, shqiptarët nuk kanë pse të përjetojnë gjithçka vetëm në imagjinatë.
Lufta e kombit shqiptar për liri nuk ka pse të instrumentalizohet si një luftë me terma fetarë midis kristianizmit ortodoks serb dhe mysymanizmit fundamentalist shqiptar. Kjo gjë është një absurditet.
Te shqiptarët, ku ekziston një pluralitet feshë, nuk ka ekzistuar ndonjëherë një fetarizëm i lidhur me qenien etnike. Fundametalizmi fetar për shqiptarët është një shpikje idiote dhe e kotë. Nga ana tjetër teoria e një protektorati ndërkombtar mbi Kosovën është e papranueshme nga Karta e OKB -së, ku të paktën juridikisht nuk njihet asnjë formë e kolonializmit, sepese nuk përputhet me parimet universale dhe të të drejtave të njerëzve dhe të kombeve.
Një Serbi që mban të të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropeizmit të saj të ardhshëm.
Politika shqiptare e një rezistence pasive është një degradim dhe falsifikim i vet gandizmit, i cili çoi në pavarësinë e Indisë. Rezistenca si afirmim është e ndryshme nga rezistenca në heshtje e humbjes së personalitetit.
Për Ukshin Hotin kompleksi i inerioritetit të kombit shqiptar është një fatalitet, që duhet kapërxyer. Nuk mund të ketë histori të shqiptarëve të bërë nga të tjerët, po ka histori të shqiptarëve të njohur, më në fund nga të tjerët.
Nga kompleksi inferioritetit kombi shqiptar ka pësuar disa herë disfata gjatë historisë dhe e ka viktimizuar vetveten.
Nga kompleksi i inferioritetit nuk do të ketë asnjëherë kapërxim të Rubikonit në historinë tonë, që është një kapërxim nga ferri në purgatorin e një të ardhme më shpresëndjellëse.
Prandaj ky libër me plot argumente është kundër kompleksit të inferioritetit.
Prandaj ky libër është një pasqyrë morali për seicilin nga ne, një monument sigurie dhe vetëdije.
Ukshin Hotin kam pasur rastin ta njoh më 23 nëntor të vitit 1992 në Tetovë gjatë një tubimi mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ai ishte me trupin plot plagë nga të rrahurat e policisë serbe. Po, erdhi në tubim, spse në të shihte një shprehje të ideve të tij politike dhe të jetës.
Sot, Ukshin Hoti është i burgosur. Por që nga burgu ai na dërgon ende më i plotfuqishëm dhe madhështor mesazhet e tij të urta dhe afatgjata.
Ai është një intelektual i martirizuar dhe kjo ka një kuptim të vërtetë dhe të madh. Është vetë kombi shqiptar një komb i martiriuar. Për çdo intelektual shqiptar, të veshur me këmishat ceremoniale të konferencave të shtypit, të masmedias, të mjediseve moderne të aeroporteve dhe të hoteleve luksoze. Imazhi i këtij të burgosuri është një thirrje për ballafaqim moral dhe shpirtëror.
Vetëdija e tyre duhet të bashkohet me vetëdijen e tij për të mos u tjetërsuar.
Historia nuk pranon asnjë lloj alibie, qoftë dhe e formuluar mjeshtërisht si truket e prestigjatorëve të paarritshëm. Historia është mbi individët dhe individët bëhëen të saj në atë kuptim kur ata shndërrohen në histori.
Ukshin Hoti është shndërruar tashmë në histori.
Durrës, 12 qershor 1993
Rruga Press