Gjeopolitika amerikane përballë “Botës serbe” dhe Kosovës
Nga Sadri Ramabaja
Veriu i Kosovës dhe përplasja me Serbinë rikthehen në epiqendër të vëmendjes amerikane. Pse integrimi i veriut të Kosovës trajtohet si çështje komplekse dhe sfiduese në gjeopolitikën e Ballkanit?
Pikënisjet e gjeopolitikës amerikane në përballjen mes “Botës serbe” dhe shqiptarëve në Ballkan kanë gjeneruar kthesa të jashtëzakonshme. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara me intenzitet të shtuar në rajon që nga shpërthimi i luftës në Ish-Jugosllavi në vitet 1990. Në këtë përballje gjeopolitike, ka patur dy palë bosht: “Bota serbe”, që përfaqëson interesat dhe ndikimin serb në rajon, dhe komuniteti shqiptar, bërthama e së cilës ndërkohë do të doja të konceptohet si Federata Shqiptare. Në këtë mes rikthimi i gjeopolitikës amerikane në Europën Juglindore do të duhej të kishte synim parësor sigurimin e fqinjësis së mirë mes dy popujve me histori tragjike në mes, e lumenj gjaku: popullit shqiptar e ati serb, i cili që nga formimi i shtetit modern serb (1878) në qendër të filozofisë së tij politike ka ekspansionin.
Lufta në Ukrainë dhe dinamika politike e SHBA-ve në rajon
Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në përkrahje të ndryshme për që të dy palët, ndërthurur me interesat e tyre strategjike në rajon. Në fillim të viteve 1990, SHBA-ja përkrahu Kosovën në përpjekjet e saj për rikthimin e autonomisë së suspenduar më 23 mars 1989, duke ndihmuar në lobimin e kauzës së shqiptarëve dhe ngritjen e vetëdijes ndërkombëtare mbi shkeljet e të drejtave të njeriut. LDK-ja ishte instrument adapt për këtë agjendë politike. Por, siç e dëshmoi koha, kjo agjendë dështoi.
Megjithatë ndihma amerikane u thellua me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, kur UÇK-ja kishte përmbysur mundësinë e mbajtjes së Kosovës brenda Serbisë, qoftë edhe me kthimin e autonomisë. Ndërhyrja e NATO-s kishte përshpejtuar përfundimin e luftës dhe dislokimin e forcës së KFOR-it (Forca e Sigurisë së Kosovës) për të siguruar stabilitetin në rajon dhe prosperimin drejt shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Gjatë rrjedhës së kohës, politika amerikane në rajon ka ndryshuar dhe ka përjetuar evolucione. Në mënyrë të ngjashme, përkrahja e SHBA-së për Kosovën është shndërruar në një angazhim më të moderuar dhe të balancuar ndaj interesave të ndryshme gjeopolitike dhe zhvillimeve në rajon. Kjo ka bërë që ndonjëherë të ketë tensione që de fakto janë nusprodukt i reflektimit amerikan mbi “Botën serbe”.
Shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe rikthimi i gjeopolitikës në Ballkan ka sjellë ndryshime të rëndësishme në dinamikën politike dhe sigurinë në rajon. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe konflikteve të armatosura në vitet 1990, me theks pas fillimit të luftës në Ukrainë, gjeopolitika është kthyer në Ballkan me një interes të rritur nga aktorët ndërkombëtarë.
Rajoni i Ballkanit mbetet i rëndësishëm strategjikisht për shumë fuqi botërore për shkak të pozicionit të tij gjeografik, burimeve natyrore dhe lidhjeve të tij të rëndësishme me Europën, Azinë dhe Afrikën. Këto interesa gjeopolitike kanë ndikuar në ndërhyrjet dhe politikat e fuqive të mëdha në rajon, duke krijuar një kontekst të ndërlikuar politik dhe të sigurisë. Madje nëpër vite, ka pasur ndërhyrje të ndryshme gjeopolitike nga aktorët ndërkombëtarë në Ballkan. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Rusia, Turqia dhe fuqitë e tjera që kanë pasur interesat e tyre të veçanta në rajon dhe kanë ndikuar në zhvillimet politike dhe ekonomike. Këto ndërhyrje janë kryer përmes lobimit politik, mbështetjes ekonomike, ndërhyrjeve ushtarake dhe iniciativave të natyrës diplomatike e me prapavijë kulturore, respektivisht me prapavijë religjioze.
Sidoqoftë, SHBA-të, pavarësisht pozicionimeve aktuale që për bazë kanë interesat gjeopolitike, mbesin aleati kryesor i Kombit tonë dhe rrjedhimisht edhe i Kosovës.
Përveç interesave të fuqive të mëdha, Ballkani gjithashtu ka qenë sfidë për t’i përmbushur synimet e veta gjeopolitike. Disa shtete të rajonit kanë pasur aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, ndërsa të tjerë kanë ndërtuar marrëdhënie të veçanta me shtete të tjera, si Turqia, Rusia apo shtetet e Lindjes së Mesme.
Rikthimi i gjeopolitikës në Ballkan ka ndikuar në politikën e brendshme të shteteve të rajonit, duke krijuar tensione etnike, politike dhe territoriale. Ndërlikimet gjeopolitike kanë sjellë gjithashtu sfida për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, duke vënë në pikëpyetje proceset e zgjidhjes së konflikteve dhe krijimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe paqësor. Është e rëndësishme të theksohet se ndikimi i gjeopolitikës në Ballkan nuk është një proces statik, por ndryshon sipas zhvillimeve të reja në skenën ndërkombëtare dhe politikën e rajonit.
Gjatë epokës së Obamës në qarqe politike ishte krijuar përshtypja se SHBA- të gradualisht ishin tërhequr si një ofrues sigurie për Europën Juglindore, së paku për ca kohë. Kjo ishte edhe pikëpamja e ish ministrit tëi jashtëm maqedonas Nikolas Poposki që ia kishte potencuar të përditshmes austriake Der Standard. [1]
Maqedonia dhe Kosova bashkë mund të konsiderohen si shembuj tipik të “Lojës së Madhe”, respektivisht të rikthimit të gjeopolitikës në Ballkan që është vërejtur prej disa kohësh. Sipas Le Monde Diplomatique në qershor 2016, Uashingtoni kishte ambasadën më të madhe në rajonin e Ballkanit, në Shkup. Ndërkaq vetëm pak vite më vonë, edhe në Prishtinnë do të ngritej simotra e asaj që ka rezidencën në ish Kalanë e Shkupt, kjo në lagjen Arbëria në Prishitnë.
Maqedonia dhe Kosova si dy shtete ndër më të vegjlit në Europë, me një popullsi prej gati nga dy milionë secila, konsiderohen si “kulla e kontrollit të Ballkanit”, siç e bëri të qartë lufta në Kosovë [1997–1999], konflikti i armatosur në Maqedoni [2001], por edhe kriza e refugjatëve e vitit 2015.
Por pavarësisht se “çështja shqiptare” mbetet si eshkë e ndezur edhe sot e kësaj dite, megjithatë nuk është i vetmi problem i pazgjidhur në Ballkanin Perendimor. E një natyre më specifike është “çështja serbe”, që së fundmi, nga nocioni i “Serbisë së madhe” të njohur që në fillet e shtetit modern serb përmes Naçertanias së Garashaninit, është promovuar si çështje e “Botës serbe”.
Në shërbim të idesë mbi “Botësn serbe, ndërkohë akademiku serb, Vasilije Krestiq, pavarësisht se në moshtë të thyer — ka shkelur në dekadën e dhjetë të jetës, në emër të ASHAS-it, ka pregaditur një “non-paper”, që për objekt trajtimi ka pikërisht Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, si hap i parë drejt “Botës serbe”.
Ky dokument është publikuar më 7 shkurt 2023.
Në pjesën e fundit të tekstit na shpërfaqet edhe qëllimi ral i autorit dhe institucionit, në emrë të të cilit botohet ky dokument.
“Me gjithë faktin se shteti ynë, në përpjekjen për t’i ruajtur interesat e tij jetike nacionale, në këtë çast gjendet në situatë komplekse, e deri diku edhe të palakmueshme, nga aspekti i politikës së jashtme, si në planin global, ashtu edhe në atë rajonal. Serbia, si shteti ekonomikisht më i fuqishëm dhe kulturalisht, shteti më i themeltë i Ballkanit Perëndimor, ka një sërë përparësish krahasuese që do të duheshin vënë në shërbim të realizimit të përshkallëzuar dhe mirë të menduar të strategjisë së programit kombëtar serb, përkatësisht idealit të “Botës serbe”, me ç’rast nisja dhe forcimi i bashkimit dhe i besimit ndërmjet gjithë serbëve të shpërndarë, e paraqet një kusht të domosdoshëm për afirmimin e mëtejmë të ndikimit serb në kornizat rajonale dhe më të gjëra ndërkombëtare.
Prandaj nuk çudit edhe rrethana se disa segmente te shoqërisë e kanë identifikuar, në sintagmën shtetformuese “Bota serbe”, potencialin për shfaqjen dhe zhvillimin e një lloj Naçertanieije të shekullit 21. Me gjithë distancën kohore, në aspektin simbolik ky është një çast shumë i rëndësishëm për lindjen e këtyre ideve, duke e pasur parasysh se historia na mëson se idetë më të rëndësishme nacionale janë shfaqur në kohë sfiduese dhe të rënda për secilin, pra edhe për shtetin dhe popullin serb”. [2]
Krejt natyrshëm pasi lexon qoftë edhe vetëm këtë pasues të këti dokumenti, që ka gjithësejt pesë faqe, shtrohet pyetja e ligjshme: a mos vallë diplomacia perëndimore tek “Bota Serbe”, si në fillim të shek.20, tek Jugosllavia, sheh instrumentin e duhur për paqtimin e Europës Juglindore?!
Prandaj idetë për një lloj “Anschluss-i” të entitetit federal të serbëve në Bosnjë — Republikës Srbska, Serbisë, mbesin në rend dite si në Beograd ashtu edhe në Banjallukë. Atje, një referendum i thirrur nga Presidenti Milorad Dodik për një festë kombëtare të diskutueshme, kohë më parë, ndezi debate të nxehta rreth separatizmit të dyshuar serb. Të njëjtët lojtarë të “Lojës së Madhe” janë aktivë në prapavijë: Rusia është në anën serbe, flamuri kombëtar i së cilës valëvitet në mitingje, ndërsa SHBA-të deri tani kanë mbështetur qeverinë qendrore boshnjake në Sarajevë, e cila refuzon kategorikisht çdo mendim për shkëputje.
Veriu i Kosovës — nyja gordiane e gjepolitikës në rajon
Ka shumë arsye pse Veriu i Kosovës është konsideruar si një “nyje gordiane” e gjeopolitikës në rajon.
E para, përbërja e popullsisë aktualisht: Harta demografike e veriut të Kosovës gjatë gjithë shekullit 20-të ka pësuar transformime të plota. Në të gjitha valët e kolonizimit, Beogradi në qendër të vëmendjes e kishte gjithësesi qytetin e Mitrovicës dhe veriun e Kosovës në tërësi. Nëse në prag të çlirimit nga Perandoria Osmane, kjo pjesë e Vilajetit të Kosoëvs banohej kryesisht nga shqiptarët, më pas ajo u kolonizua ndjeshëm. Ndërkaq dëbimi i madhë i shqiptarëve, madje pas çlirimit, më 3 e 4 shkurt të vitit 2000 [mbi 15.000 qytetarë shqiptar], e përmbysi realitetin demografik në mënyrën më të ndjeshme të mundshme. Sot elementi shqiptar në veri është simbolik, siç u dëshmua edhe në zgjedhjet e fundit.
E dyta, ndërlidhet me ndikimin gjeostrategjik: Veriu i Kosovës ka një pozicion gjeostrategjik të rëndësishëm. Ai ndodhet në kufirin me Serbinë dhe ka lidhje të drejtpërdrejta me Sanxhakun e tutje me Bosnjën. Kjo bën që kontrolli i veriut të Kosovës të ketë implikime të rëndësishme në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
E treta, përplasjet politike dhe territoriale: Veriu i Kosovës është pjesa e Kosovës ku ka pasur përplasje të mëdha politike dhe territoriale. Këto përplasje përfshijnë ndarjen e qytetit të Mitrovicës dhe përpjekjet për krijimin e një entiteti politik serb të pavarur në këtë zonë.
Për shkak të këtyre faktorëve, kontrolli i veriut të Kosovës është bërë një çështje e ndjeshme dhe e komplikuar për të gjithë aktorët e interesuar në rajonin Ballkanik. Gjeopolitika në këtë zonë përfshin sfida të mëdha në lidhje me sigurinë, të drejtat e njeriut, dhe stabilitetin rajonal. Gjetja e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët është sfidë e madhe për diplomacinë dhe politikën rajonale dhe ndërkombëtare.
Shih për këtë, veriu i Kosovës dhe përplasja me Serbinë ndërkohë janë në epiqendër të vëmendjes amerikane, nëse marrim në konsideratë interesat gjeopolitike të SHBA-ve në Ballkan. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara në përpjekjet për të ndërmjetësuar dhe zgjidhur konfliktin e vazhdueshëm midis Kosovës dhe Serbisë. Interesi i SHBA-së në këtë konflikt ka qenë i shumëfishtë.
Së pari, ata kanë mbështetur procesin e paqes dhe stabilitetin në rajon, duke e parë atë si një element qenësor për sigurinë dhe integrimin evropian. SHBA-ja ka ndihmuar në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (KSF) dhe ka qenë pjesë e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), si dhe ka përkrahur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.
Së dyti, SHBA-ja ka pasur dhe ka interes strategjik në rajon.
Pavarësisht të drejtës legale që ka qeveria e Kosoëvs, ndërkohë ajo ndodhet para një presioni në rrite të Perendimit. SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë me këmbëngulje që kryetarët shqiptarë të katër komunave, mos të hyjnë më në zyrat bashkiake, respektivisht të dalin prej tyre dhe që njësitë e Policia Speciale të largohen nga veriu. Qeveria e Kosovës, nënvizon analistja e njohur gjermane Adelheid Wölfl, “nuk dëshiron të dorëzohet para presionit të ambasadave perëndimore, sepse dëshiron të tregojë se edhe veriu i Kosovës është pjesë e territorit kosovar. Pikërisht kjo vihet në pikëpyetje nga thirrjet e ambasadorëve perëndimorë. Në veçanti, përfaqësuesit e SHBA-ve në Ballkan, si ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, kanë muaj të tërë që janë pozicionuar pas Vuçiqit dhe kanë kritikuar kryeministrin kosovar Albin Kurti. SHBA-të po braktisin një nga aleatët e saj më të rëndësishëm demokratikë në rajon, ndoshta shtetin më pro-amerikan në botë, Kosovën, dhe po mbështesin regjimin pro-rus të Vuçiqit të sunduar në mënyrë autokratike.” [3]
Përshtypja për braktisjen e Kosovës nga ana e SHBA-ve nuk duket më thjeshtë si bllof i reparteve të luftës speciale serbe, me të cilin bombardohet opinioni shqiptar nga mediat dhe opozita, por edhe nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë Politike, Edi Rama.
Koha do ta dëshmoj shpejt se a është ky fakt bllof apo luftë politike mes dy koncepteve shtetëndërtuese që ka në themel interesat e dy kombeve: kombit shqiptar dhe atij serb.
Ballkani, dhe veçanërisht Kosova, është një hapësirë e rëndësishme për stabilitetin e Evropës Juglindore dhe për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Shpërfaqja e fashizmit serb në përballje madje edhe me forcat e KFOR-it në veri të Republikës, më 29 maj, e dëshmoi se angazhimi më i theksuar i SHBA-ve është imanent.
Megjithatë, ndikimi gjeopolitik amerikan në Ballkan ka ndryshuar nëpër vite. Në disa raste, ka pasur përpjekje për të ndalur rikthimin e plotë të ndërhyrjeve të Rusisë dhe për të stopuar promovimin e interesave të saj në rajon, duke ndikuar në raportet e Serbisë me Kosovën. Konkurrenca dhe rivaliteti mes SHBA-së dhe Rusisë janë dukur në politikën ballkanike dhe kanë theksuar ndarjet etnike dhe politike në rajon. Ndërkaq përpjekjet ndërkohë për ta shkëputur tërësisht Serbin nga sfera e interesave ruse, kanë prodhuar edhe paqartësi jo vetëm në mesin e botës akademike shqiptare, por edhe më gjerë.
Shih për këtë, rikthimi i gjeopolitikës amerikane në përplasjen mes veriut të Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë një sfidë e rëndësishme për aktorët ndërkombëtarë. Përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë ende në proces, dhe roli i SHBA-së vazhdon të jetë i rëndësishëm në përkrahjen e dialogut dhe arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dy palët. A mund të arrihet kjo pa demokratizimin e Serbisë, është vështirë e paramendueshme.
Në këtë përballje konceptesh politike e interesash gjeopolitike, integrimi i veriut të Kosovës padrejtësisht trajtohet si çështje komplekse më shumë se në realitet ai është dhe sfiduese në gjeopolitikën e Ballkanit. Përgjejgës për këtë është kryekreje intenca e Beogradit për aneksimin e veriut. Pozicioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj kësaj çështjeje ka evoluar me kalimin e kohës. Megjithatë, në vitet e fundit, SHBA-ja ka reflektuar një ndryshim në qasje ndaj çështjes së veriut të Kosovës. Në vend të përkrahjes së plotë për integrimin e veriut të Kosovës, politika e SHBA-ve ka shkuar drejt përkrahjes së dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa ushtruar presionin e duhur ndaj Beogradit zyrtar. Sidoqoftë, administrata e re e SHBA-së ka inkurajuar bashkëpunimin rajonal dhe rikthimin e veriut të Kosovës në kuadër të integritetit territorial të Kosovës. Përveç kësaj, SHBA-të kanë inkurajuar qasjen evropiane në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe ka përkrahur dialogun nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian.
Por qasja europiane, që ndërkohë sinjifikohet në marrëveshjen e 27 shkurtit që u arritë disi të cilësohet si marrëveshje e rakorduar, pavarësisht se pala serbe refuzoi ta nënshkruante, nga ana e Beogradit ka tendenca të rihapet.
Qasja e diplomacisë amerikane dhe përgjithësisht asaj perëndimore ndaj veriut të Kosovës ndërkohë është një çështje e diskutueshme dhe nuk mund të reduktohet në një vlerësim të thjeshtë si “e gabuar” apo “e drejtë”. Kjo çështje është në thelb egzistenciale për Republikën, prandaj Prishtina zyrtare duhet të ketë në konsideratë edhe diversitetin e interesave gjeopolitke në rajon.
Një pjesë e opinionit perendimor dhe jo vetëm, ka përvetësuar gjykimin se diplomacia perëndimore ka qenë e përqendruar shumë në pavarësinë dhe integrimin e Kosovës si një shtet i plotë, duke lënë pas dore përkatësinë etnike të veriut të Kosovës. Disa kritikë kanë argumentuar se ky qëndrim ka pasur pasoja negative për komunitetin serb në veri, duke e getoizuar pa nevojë atë dhe shtyrë në ndeshtrasha të mëdha që ishin dhe mbesin pengesa reale për integrim në institucionet qendrore të Kosovës. Shih për këtë, ndërkohë, u shpërfaq edhe më hapur qortimi ndaj përpjekjeve të qeverisë për shtrirjen e sovranitetit të Republikës edhe në veri!
Si u minua integrimi real i veriut?
Përmes imponimit të marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, prej asaj të 19 prillit 2013, e me theks asaj 2015-ës, e deri tek kjo e fundit e 27 shkurtit 2023, që u arritë në Bruksel, diplomatët perëndimorë kanë argumentuar se qasja e tyre ka qenë e motivuar nga synimi për të siguruar stabilitet, paqe dhe bashkëjetesë të qëndrueshme mes komuniteteve në Kosovë. Ata pretendojnë se ky pozicionim ka qenë në përputhje me objektivin për ndërtimin e institucioneve të forta dhe gjithëpërfshirëse, duke synuar të integrojnë veriun e Kosovës në strukturat shtetërore të Kosovës dhe të sigurojnë që të gjitha komunitetet të kenë të drejta dhe përfaqësim të barabartë, pa çka se ai integrim ishte tepër sipërfaqësor dhe linte shumë për të dëshiruar. Kjo u pa në dhjetor të vitit që lamë pas, kur me një komandë nga Beogradi, Lista Srbska lëshoi institucionet dhe fill pas saj hoqën uniformën edhe mbi 500 policë serb, ndërkaq bojkotuan institucionet e drejtësisë edhe gjyqtarët e prokurorët serb. Me këto ngjarje u pa katërcipërisht se procesi i integrimit i tillë siç ishte realizuar pas marrëveshjes së prillit 2013, duke imponuar një lloj të bashkëqeverisjes me Lisëtn Serbe, që d.t.th me Serbin, de fakto kishte minuar integrimin real të veriut!
Modelet europiane të integrimit – dalje nga rrethi vicioz
Dalja nga ky qerthull nënkupton aplikim të një modeli europian të integrimit të minoriteteve. Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe (Zajedničko veće opština — ZVO), përmbledh komunat ku jetojnë serbët në lindje të Kroacisë, është modeli të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dhënë si propozim në Bruksel për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
Modeli kroat [4] shihet si ideal për Kosovën edhe nga eksperti kroat për çështje të Ballkanit, Davor Gjenero. Së pari, ky model u ndërtua në Kroaci gjatë procesit të ripajtimit paqësor në Kroaci dhe integrimit të komunitetit minoritar serb në trupin politik të Kroacisë. Së dyti, mendoj se arsyeja se pse modeli kroat është zgjidhja më e frytshme për Kosovën është fakti se situata në Kosovë dhe Kroaci në të 90’at janë të ngjashme. Edhe në Kosovë edhe në Kroaci kemi pasur situatën ku projektet nacionaliste serbe kanë bankrutuar që ishin bërë përmes agresionit ushtarak. Dhe, ishte e domosdoshme për të gjetur një lloj modeli për zgjidhjen e problemeve të luftës. E treta çështja e përbashkët është fatki se edhe në Kosovë edhe në Kroaci serbët janë rreth 5 përqind të banorëve. Dhe përfundimisht edhe në Kosovë edhe në Kroaci kemi pasur të bëjë me një pjesë goxho të vogël të territorit shtetëror që në mënyrë koherente është banuar nga komuniteti serb, në Podunavlje në Kroaci dhe në veri të Kosovës”.[5]
Por ndërveprimi i Këshillit Nacional të Serbëve në Kosovë duhet të vijë në kontekstin e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të përputhet me synimet për integrimin evropian dhe multietnicitetin e vendit.
Pranimi i realitetit politik — hap i parë drejt integrimit
Pranimi i dobësive dhe sfidave të diplomacisë perëndimore në veriun e Kosovës është i rëndësishëm, ndërkaq synimi duhet të jetë të gjindet zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët. Dialogu i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi i ngushtë me aktorët lokalë pasi ata të jenë liruar nga strukturat e policisë fashiste të dirigjuara nga presidenti serb, janë thelbësore për të arritur progres në këtë drejtim dhe për të siguruar një përballje më të mirë me sfidat komplekse të rajonit.
Përkëdhelja që i bëhet presidentit serb Aleksandar Vuçiç nga ana e SHBA-ve është një aspekt i politikës së tyre të gjeopolitikës në Ballkan. Ndikimi i kësaj përkëdheljeje për paqen në rajon është i diskutueshëm dhe kompleks për t’u vlerësuar. Më 3 qershor, Derek Chollet, këshilltar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, në një twiter të tij shkruante:
“Inkurajova presidentin serb Vuçiq dje për të kërkuar qetësi mes serbëve të Kosovës, për të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe për t’u kthyer në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”
Këtë stil të komunikimit Vuçiqi më shumë e merr si inkurajim për ecje drejt krijimit të “Botës serbe”!
Duke përkrahur ose përkdhelur liderët politikë në rajon, siç është rasti me Vuçiçin, disa aktorë ndërkombëtarë shpresojnë të forcojnë stabilitetin dhe të inkurajojnë bashkëpunimin e palëve në zgjidhjen e çështjeve të ndryshme.
Përpjekjet për të imponuar një lloj normaliteti ndërfqinjësor mes Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhje të pjesshme të çështjes, duke shmangur domosdoshmërinë e njohjes së realitetit politik nga ana e Serbisë, po shihet se nuk japin produktin real të paqes së drejtë dhe të qndrueshme.
Lufta për çlirimin e Kosovës kishte në themel edhe elementet e luftës antikoloniale. Paqen në rajon mund ta kemi të garantuar vetëm atëherë kur Serbia e ka të qartë se Trepçën tashmë e ka të humbur, vetëm atëherë kur Beogradi të mos ketë guximin as të mendoj të jap urdhër për marshim të ushtrisë drejt kufijve të Kosovës. Pranimi i disfatës nga ana e Serbisë, d.t.th realisht fundi i luftës.
Në fund të fundit, pretendimi i Serbisë për ta aneksuar veriun, protestat aktuale në veri, në thelb janë vazhdim i luftës që përfundoi me kapitullimin e Serbisë më 9 qershor 1999 në Kumanovë.
Çfardo përpjekje për ta joshur Serbinë duke ia tumirë kërkesat e saj për autonomi të veriut, si trajtë e butë e aneksimit të përkohëshëm, derisa do të krijoheshin rrethanat për ripushtim të plotë, nuk do të nënkuptojë fundin e luftës; për sa kohë që një pjestarë i vetëm i njësive elitare të shërbimeve serbe është në territorin e Kosovës, siç u dëshmua më 29 maj në përplasjen me forcat e KFOR-it në Zveçan, Beogradi nuk heq dorë nga përpjekjet e tij irracionale për të ripushtuar Kosovën, respektivisht për të aneksuar veriun.
Me këtë akt kundër trupave të KFORit, sikur ju plotësua kërkesa Kremlinit, shprehet publicistja amerikane Ivana Stradner, për ta shpërfaqur NATOn ashtu si ai dëshiron: “si të ishte një tigër prej letre.” [6]
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se përkdhelja e një lideri politik nuk paraqet kurrfarë garancioni për paqen në rajon. Gjeopolitika e Ballkanit është e ndërlikuar dhe ka shumë çështje të ndjeshme etnike, historike dhe politike që janë në lojë. Për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon, është e nevojshme të angazhohen të gjithë aktorët e interesuar dhe të kryhen përpjekje të përbashkëta për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, pa cenuar demokracinë dhe përspektivën europiane të rajonit.
Diplomacia perendimore ndërkohë duke vazhduar ta trajtojë presidentin serb si të vetmin lider serb me të cilin mund të vazhdojë projektin e integrimit të rajonit në BE, ka lënë anash trajtimin serioz të shkeljeve bazike të të drejtave të njeriut, demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektit të fqinjësisë së mirë, pikërisht nga kjo Serbi që udhëhiqet nga Vuçiqi.
Heshtja e pakuptimtë për më shumë se 48 orë ndaj aktit agresiv që bëri Serbia përmes kidnapimit të tre policëve kosovarë, është shenjë dobësie pikërisht e diplomacisë perendimore. Me këtë akt pinjolli i Milosheviqit, partneri i mirë i ambasadorit Hill, presidenti serb, duke i kryer një shërbim Putinit, testoi NATO-n dhe thelloi talljen para së gjithash me perendimin.
Për të arritur një paqe të qëndrueshme në rajon, është e nevojshme të veprohet në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura, para së gjithash kërkohet të përmbyllet procesi i shtetformimit të Kosovës. E ky hap kërkon qasje të re, vendim politik të artikuluar drejt e pa dykuptimësitë standarde të BE-së, që ia bën të qartë Beogradit se, rikthimi i Serbisë në Kosovë, por as projekti për aneksimin e veriut, nuk kalon dot.
Ndërkaq rikthimi i luftës qoftë në Kosovë apo në Bosnjë, është një skenar i tmerrshëm që nuk do të sillte asgjë të mirë për rajonin në tërësi. Pasojat e një konflikti të tillë do të ishin katastrofike dhe do të shkaktonin humbje të mëdha njerëzore, dëme materiale dhe shkatërrim të infrastrukturës.
Ky skenar do të përkeqësonte situatën dhe do të ndikonte negativisht jo vetëm për të ardhmen e rajonit, por edhe për vetë prezencën e SHBA-ve në Europë.
Përfundim
Këtu më poshtë po sjell disa sugjerime për veprime urgjente që do të mund të ndihmojnë në ndalimin e Serbisë nga aventura për ta aneksuar veriun e Kosovës, qoftë përmes krijimit të imponuar të autonomisë territoriale si fazë kalimtare, qoftë përmes luftës dhe aneksimit të veriut:
Diplomacia aktive: Diplomacia duhet të jetë e përfshirë në përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët. Dialogu dhe negociatat duhet të jenë mjetet kryesore për të adresuar mosmarrëveshjet dhe për të arritur marrëveshje të përbashkëta.
Mbështetja ndërkombëtare: Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë Kosovën dhe të japë sinjale të qarta se ndarja territoriale dhe rikthimi i veriut të Kosovës me luftë nuk do të pranohet. Nëse Serbia vazhdon të eksplorojë mundësinë e një konflikti ushtarak, duhet të ketë një reagim të fortë dhe të qartë nga komuniteti ndërkombëtar.
Garancioni real nga Perendimi: Kosova mund të jetë tutje gjeneroze në raport me ca kërkesa më të arsyeshme të aleatëve tanë, por ato duhet të jenë të balancuara dhe të kenë në mes garancionin e fortë.
Një model europian i Asociacionit, konform marrëveshjes së 27 shkurtit e rakorduar në Bruksel, do të mund të tumirej nga pala kosovare, vetëm atëherë kur Perendimi ofron siguresë të qartë – garancion real, që nënkupton veprim të njëkohëshëm: aderim të Kosoëvs në NATO dhe realizim të asociacionit në përputhje me kushtetutën e vendit. Prandaj anetaresimi i Kosoëvs ne NATO përmes një procesi te pershpejtuar dhe te garantuar, është dalja reale nga ky qark i mbyllur.
Dialogu mes palëve: Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Marrëveshja e Brukselit e arritur më 27 shkurt duhet të realizohet në tërësinë e saj. Kjo do të thotë të përfshihen në negociata të ndershme dhe të vlerësojnë mundësitë për kompromis, modelet e ndryshme europiane, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
Forcimi i institucioneve shtetërore: Kosova duhet të vazhdojë me përpjekjet për të forcuar institucionet shtetërore dhe sundimin e ligjit në veriun e Kosovës. Kjo do të krijojë një atmosferë të favorshme për komunitetin serb dhe do të ndihmojë në ndalimin e përpjekjeve për të shfrytëzuar tensionet për qëllime të dobëta politike. Me këtë akt i ipet fund iluzioneve serbe të ushqyera ndër vite për gjoja mundësinë e aneksimit të veriut.
Promovimi i bashkëpunimit rajonal: Në bashkëpunim me aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë, duhet të inkurajohet bashkëpunimi ekonomik dhe i ndërsjelltë mes vendeve të rajonit. Krijimi i Tregut Unik kombëtar mes dy republikave tona — Shqipërisë politike dhe Republikës së Kosovës, do të ishte një hap tepër i rëndësishëm në këtë plan.
Federata Shqiptare — ledh i hegjemonisë serbe në rajon: Rishikimi, respektivisht hartimi i strategjisë nacionale, që do të nënkuptonte ecje graduale drejt krijimit të Federatës Shqiptare, si faktor që përshpejton dhe garanton paqen në rajon, duke e shndërruar kështu Federatën Shqiptare edhe si nyje të fuqishme të bashkëpunimit transatlantik.
- https://www.ipg-journal.de/regionen/europa/artikel/die-rueckkehr-der-geopolitik-auf-dem-balkan-1764/
- Citim sipas: https://www.koha.net/veshtrime/381079/bota-serbe/
- Adelheid Wölfl: https://www.derstandard.at/story/3000000174864/aleksandar-vucic-erhoeht-den-druck-au
- Shih: https://www.gazetatema.net/rajoni/fare-eshte-asociacioni-kroat-modeli-qe-propozoi-kurti-ne-bruksel-i388502
Dhe: https://fuen.org/de/members/Serb-National-Council-in-Croatia - https://nacionale.com/politike/modeli-kroat-qe-paraqiti-kurti-eksperti-nga-zagrebi-mund-te-sjelle-patriotizem-kushtetues-te-serbet-eshte-ideal
- Ivana Stradner: https://nypost.com/2023/06/14/why-is-biden-appeasing-a-putin-pawn-as-nato-forces-are-attacked/
Rruga Press