Kërkuan t’i hiqen medaljet, e quajtën edhe bastard – tani Putini e emëroi atë si shef të forcave tokësore të ushtrisë së tij
Rusia ka emëruar gjeneral-kolonelin Alexander Lapin si shef të shtabit të forcave tokësore të vendit, njoftoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve TASS, pavarësisht kritikave të ashpra për performancën e tij në Ukrainë.
Lapin, më parë komandant i distriktit qendror ushtarak të Rusisë, u sulmua tetorin e kaluar nga aleatët e ashpër të presidentit Vladimir Putin pasi forcat ruse u dëbuan nga qyteti Lyman në Ukrainën lindore, një qendër kryesore logjistike.
Siç vënë në pah mediat e huaja, promovimi i tij – i raportuar gjerësisht në mediat ruse, por as i konfirmuar e as i mohuar nga Kremlini – tërhoqi reagime të përziera nga njerëzit me ndikim të luftës ruse, të cilët japin komente shpesh kritike mbi përpjekjet me vështirësi ushtarake të Moskës në Ukrainë.
Igor Strelkov, një ish-udhëheqës i forcave pro-ruse në rajonin e Donetskut të Ukrainës, vuri në dyshim kredencialet e Lapin si komandant dhe e fajësoi atë për humbjet e rënda ruse vitin e kaluar pranë qytetit të Kharkiv.
Pasi Rusia humbi Lyman-in në tetor, në drejtim të Lapin pati kritika të ashpra publike nga udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov dhe Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit ushtarak privat Wagner, të cilët të dy kanë dërguar njësi në Ukrainë për të forcuar përpjekjet e ushtrisë së rregullt.
Kadyrov tha se Lapin duhet t’i hiqen medaljet dhe të dërgohet në front me një armë “për të larë turpin e tij me gjak”.
Ndërsa Prigozhin mbështeti komentet e Kadyrov, duke thënë: “Të gjithë këta bastardë duhet të dërgohen zbathur në front me armë automatike”.
Promovimi i Lapinit pason ndryshime të tjera gjithëpërfshirëse në udhëheqjen ushtarake të Rusisë gjatë luftës 11-mujore, në të cilën forcat e Moskës kanë marrë disa zona të Ukrainës jugore dhe lindore, por kanë pësuar një sërë disfatash dhe tërheqjesh të mëdha.
Rruga Press